KreuArt

Neki Emra: “Shumë herë kemi qarë bashkë duke kënduar”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Neki Emra është një emër i ri në muzikë si interpretues, por karrierën e ka nisur qysh herët me pianon. Dashurinë për muzikën e ka ndër deje pasi vjen nga një familje me traditë muzikore, babai i tij është kompozitor mjaft i njohur në Kosovë. Shpesh ai etiketohet si “romantiku i pandreqshëm” pasi këngët e tij janë balada të ndjera për dashurinë. “Një dhimbje mbete ti”, “Me heshtje mos më dëno”, “Engjëll dukesh ti” janë vetëm disa nga krijimet shoqëruar me klipe, mjaft të pëlqyera sidomos nga publiku femëror, të cilat kanë rrëmbyer çmime në festivale dhe gara të ndryshme. Këngëtari nga Prizreni rrëfehet në këtë intervistë për BORDO për muzikën, dashurinë dhe fansat.

Neki, si ka qenë qasja juaj në muzikë?

Unë muzikën e kam trashëguar nga babai. Nga mosha 4-5 vjeçare unë kam ekzekutuar në piano, dhe tingujt e pianos kanë qenë të pranishme në shtëpinë tonë. Përfundova më pas shkollën e muzikës dhe u përfshiva në grupe të ndryshme muzikore si tastierist. Fillimi i paraqitjes sime në media ishte kur nisa të këndoj dikur në vitin 2011 apo 2012. Atëherë fillova të shfaqem si këngëtar dhe kështu vazhdoj ende, me shumë mbrëmje live nëpër vende të ndryshme.

A ka vend për preferencë mes këngëve tuaja?

Nga këngët e mia preferencë ka kënga “Një dhimbje mbete ti”. Këtë këngë e kam kompozuar vetë, po ashtu edhe vargjet i kam shkruar vetë. Edhe shumë këngë të tjera i kam kompozuar vetë, por kjo këngë është më e veçantë për mua.

Është ndonjëra dedikim për një person të veçantë në jetën tuaj?

Po, secila prej këngëve të mia ka diçka nga jeta ime. Sidomos vargjet e këngëve që i kam shkruar, një pjesë e tyre kanë diçka nga jeta ime. Por më përshtaten edhe vargjet e autorëve të tjerë me të cilët kam bashkëpunuar. Vargjet që nuk i ndjej, e kam të vështirë t’i këndoj. Kështu që unë e bëj këtë punë me plot dashuri dhe emocion.

Ju i këndoni dashurisë duke na dhënë përshtypjen e një romantiku të pandreqshëm. Po përtej muzikës, a jeni po kaq romantik?

Unë në jetë jam romantik në momente të caktuara. Në thellësinë time, po, jam mjaft romantik. Jeta, në rrethanat në të cilat jetojmë, na detyron herë pas here të jemi të vrazhdë. Këtë vrazhdësi e kam dhe unë shumë shpesh. Mirëpo, nëse qetësohem pak nga gjithë sa kalojmë në jetë, menjëherë shndërrohem në atë që jam brenda.

Çfarë ju frymëzon duke ditur që ju i shkruani vetë një pjesë të këngëve?

Së pari mendoj që karakteri i një artisti është i rëndësishëm për krijimin e tij. Pastaj është jeta të cilën e kemi kaluar, përvoja dhe në fund aftësia për të krijuar. Duke i kombinuar të trija, mendoj që dalin krijimet e mia. Nuk përmbahem në krijimtari, atë që e ndjej e shpreh në nota edhe në vargje.

A është dashuria e jetës suaj muzë frymëzimi?

Nuk do të kufizohesha vetëm në një dashuri të vetme. Dua t’ju tregoj një rast shumë interesant. Këngën time “Ti më nuk je” e kam realizuar duke parë një film. Dy të moshuar kalojnë një jetë, dhe njeri prej tyre vdes. Isha emocionuar aq shumë dhe ishte aq i realizuar ai film, saqë më dolën natyrshëm vargjet e më pas kompozova këngën. Po ashtu edhe skenarin e klipit e pata shkruar vetë. Pra, mund të jetë diçka nga jeta në përgjithësi që mund të më frymëzojë dhe menjëherë lind diçka. Por normalisht, edhe dashuria ka rolin e jashëtzakonshëm në krijimtari, nuk e mohoj aspak.

Sa ka ndryshuar jeta juaj pas martesës?

Jeta ime pas martesës mund të them se nuk ka ndryshuar aspak. Unë edhe para martesës kam bashkëjetuar, dhe pas martesës më dukej çdo gjë e njëjtë. Të jem i sinqertë, nuk vërej asnjë dallim për momentin. Të ardhmes, nuk i dihet (qesh).

Kush është kritiku më i sinqertë? 

Kritiku më i ashpër është gruaja ime. Çdo këngë kur e realizoj në fazën e parë, vetëm me piano dhe pa orkestrim, ajo nuk e pëlqen. Pastaj kur e zhvilloj në fazën përfundimtare të kompozimit e sidomos pas orkestrimit, atëherë ajo befasohet me rezultatin dhe thotë “më fal, tani duket shumë e mirë”. Kohëve të fundit po i them që nuk do t’ja tregoj më këngët pa i realizuar në tërësi. Por kam dhe dy kritikë të tjerë që janë ekspertë të fushës. Është babai im, i cili është kritiku më i mirë në fazën e parë dhe çdo herë ja qëllon nëse kam realizuar diçka të mirë ose jo. Po kështu edhe Florent Boshnjaku, producenti im, të cilit i besoj në çdo gjë që më thotë dhe më udhëzon. Nëse Florenti nuk aprovon ndonjë këngë që realizoj, nuk vazhdoj me atë këngë. Pra, jam i lumtur që kam përkrahje nga ta.

Si është raporti juaj me fansat? A ka patur ndonjë episode për t’u shënuar, një surprizë apo moment i veçantë me ta?

Me fansat kam shumë momente të bukura. Shumë herë kemi qarë bashkë duke kënduar, shumë herë më kanë hedhur në ajër. Kur kam pasur ditëlindjen, i gjithë lokali ku kam kënduar më ka bërë suprizë për të më uruar në orën 12 të natës. Unë këndoja atë natë në atë club, ishin ndoshta mbi 200 vetë, dhe në moment u ndalën të gjitha dritat dhe të gjithë më uruan me këngë njëzëri. Kam pasur raste kur më kanë kërkuar ta këndoj këngën time “Me heshtje mos më deno” shtatë herë, një pas një. Ndërsa një vajzë ka kënduar dhe ka qarë me mua. Ka dhe shumë momente të tjera që nuk më kujtohen tani. Unë jetoj për ta, dhe jam më i lumturi në botë kur jam me ta.

Kjo është periudhë festivalesh. Keni menduar të merrni pjesë në ndonjërin prej tyre?

Po jam duke menduar të marr pjesë. Fatkeqësisht kam pasur përvoja jo të këndshme deri tani me disa nga këto festivale, por këtë vit kam një shpresë që do të jetë më ndryshe dhe nuk e kam humbur ende besimin. Duke pasur parasysh që disa ekspertë të muzikës do të angazhohen në njërin nga festivalet, të cilën do ta bëj publike së shpejti, shpresa ime rritet pak më shumë për këtë vit. Të shohim. Të ardhmes ende nuk i dihet.

Çfarë do të kemi në vijim nga ju në lidhje me muzikën? 

Unë këngën e re e kam në fazën e fundit të punës. Bëhet fjalë për një baladë shumë emoicionale. Kjo këngë besoj që do të jetë e dedikuar për festival. Mirëpo edhe nëse nuk do të jetë për festival, gjithsesi unë do ta realizoj videoklipin e kësaj kënge pasi fansat e mi janë në pritje. Shumë nga ata po presin diçka nga unë. Kam dhe plane të tjera për këtë vit por ende nuk janë të sigurta. Të tjerat, po ja lë kohës.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF