KreuStil Jetese

Aurela Gaçe: Djalë a vajzë? Kjo është çështja!

Në një shoqëri si e jona, ku paragjykimet e të qenit femër lindin bashkë me të, ende sot edhe pse janë bërë shumë hapa përpara në këtë drejtim, ka nevojë që të flitet për këtë temë. Ndihet nevoja që njerëzit të ndërgjegjësohen se gjinia e fëmijës nuk është ajo çka përcakton të ardhmen e tij. Ka reflektuar rreth kësaj çështjeje sot në Facebook edhe këngëtarja Aurela Gaçe, në një status që përcjell emocione por mbi të gjitha mesazhe me vlerë…

Postimi i Aurelës:

Djalë a vajzë? Kjo është çështja.

32 javë… Ajo zemra e vogël që në javët e para i dëgjojmë vetëm rrahjet, vjen e rritet e formohet në mënyrën më të bukur e më të mahnitshme të mundshme bashkë me të gjitha organet e tjera, me gjymtyrët e vogla që lëvizin e lumturojnë nënën në çdo moment që i ndjen… Zot , kjo është ndjesia më e bukur e lutem për çdo grua e çdo çift të këtë mundësinë e të qenit prind. 

32 javë…
Çdo jetë që vjen në jetë , është mrekulli. 
Nuk i kuptoj dot ata njerëz që duan edhe përzgjedhje në gjini, ata që më pyesin se çfarë pres e thartojnë turinjtë kur marrin vesh që brenda meje rritet një vajzë. A thua do ta rrisin ata?
A thua do ta kenë ata “barrën” për ta edukuar siç duhet, që të përballojë jetën? 
Unë vajzë linda e nuk më ka penguar asgjë të bëja realitet gjithçka doja për veten time. 
Mund ta kisha më të lehtë në një shoqëri si e jona nëse do të isha djalë? Se besoj. 
Shumë mundësi do të kishte të bëja karrierë si “i forti i lagjes “? Ose mundet përsëri në skenë të bëja diçka por, Zoti nuk bën gabime dhe Ai zgjodhi të isha kështu. Mund të jesh djalë e t’i sjellësh probleme familjes e po ashtu të jesh vajzë e të bëhesh krahu më i fortë i familjes tënde. Ose anasjelltas. 
Çdo jetë që vjen në jetë është mrekulli. Është bekim! Është pasuri!
Kur mendoj sa çifte ka që nuk arrijnë dot t’i gëzohen lajmit më të rëndësishëm në jetë, se një zemër e vogël ka nisur të rrahë , kur mendoj se sa vajza e ëndërrojnë momentin kur trupi i tyre të shndërrohet në shtëpinë e një embrioni, aty ku do të marrë formë , ku do të zhvillohet dita-ditës, aty ku merr gjakun, frymën, ushqimin nga ajo që do ta thërrasë Mami….atëherë them, Zot faleminderit për këtë mundësi. 
Secili punon e ka një profesion, ka pasione e ëndrra… Mund të arrish shumë në jetë . Mund të kesh kaq shumë suksese por asgjë, asgjë nuk mund të krahasohet me këtë ndjesi. 
Unë do ta përsërisja prapë e prapë gjithçka, edhe pse ka raste mezi eci, edhe pse vjen një moment e ti nuk fle dot, edhe pse gishtat e tu marrin formën e salsiçeve, këmba nga 36 shkon numër 38 dhe dhimbjet s’të ndahen, edhe pse fytyra jote fillon ti përngjajë panines, edhe kur mjeku të urdhëron të qëndrosh në shtrat për muaj të tërë, edhe kur ti ke kriza të tmerrshme urthi e duket sikur një llavë e nxehtë vjen nga stomaku e pret të shpërtheje…

Edhe sikur të sillja në jetë 10 vajza do të isha njeriu më i lumtur, sepse do të sillja në jetë , jetë tjetër…
Do të thosha vetëm, Zot faleminderit!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF