KreuCelebrity

Princi Albert blen shtëpinë e nënës së tij, Grace Kelly

Shtëpia në Philadelphia ku aktorja fituese e një Oscar-i, Grace Kelly, u rrit dhe pranoi propozimin për martesë nga princi Rainier III i Monakos në vitin 1955, është tani në duart e familjes mbretërore. Djali i saj, princi Albert i Monakos, ka konfirmuar se ai është blerësi i shtëpisë stil kolonial në pjesën lindore të qytetit. Në një intervistë, princi është shprehur se: “kjo shtëpi është mjaft e veçantë për familjen tonë”.

Në vitin 2014, kjo shtëpi u përfol pasi ish-pronari i saj u akuzua për mbajtjen e kafshëve shtëpiake në kushte johigjienike. 81 vjeçari e ka pasur këtë shtëpi në pronësi që prej vitit 1973. Nga agjentët mësohet se shtëpia u shit për 754 mijë dollarë. Ndërkohë princi bën me dije së shumë shpejt do të shkojë në Philadelphia pasi ai ka plane për shtëpinë. “Jemi duke menduar se çfarë do të bëjmë me të. Dëshiroj që shtëpia të ketë hapësira për muze si dhe zyra për fondacionin tonë.”

Shtëpia është ndërtuar në vitin 1935 nga babai i Kelly-t, John B. Kelly. Ai ka qenë tre herë fitues i medaljes së artë olimpike në vitet 1920 e më pas një biznesmen i njohur, aktiv në jetën politike të Philadelphia-s. Shtëpia me gjashtë dhoma gjumi, ndodhet në tokën që shtrihet në rreth 2800 metra katrorë, e cila ka një kopsht të madh, para dhe pas ndërtesës.

Grace Kelly u largua nga Philadelphia në moshën 20 vjeçare për në Hollywood, por mbeti e adhuruar nga të gjithë për shumë vite. Qyteti i saj i lindjes mbajti zi për vdekjen e princeshës Grace në vitin 1982 nga plagët e marra në aksidentin automobilistik në Francë ku u përfshi dhe vajza e saj adoleshente. Grace Kelly ishte 52 vjeç.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF