Fundi i Amy Winehouse sipas nënës, të dashurit dhe fanses së saj

“Ishte çështje kohe. Një natë më parë shkova ta takoj, dhe kur u largova ajo më tha: – ‘Të dua mami’. Këto fjalë do t’i ruaj si thesarin më të çmuar!” Kështu kujton Janis, e ëma e këngëtares Amy Winehouse, vdekjen e së bijës më 23 korrik 2011 në moshën 27 vjeçare.

Amy Winehouse
Amy Winehouse

Është folur gjatë në median ndërkombëtare, për humbjen e këngëtares së njohur, duke nënvizuar cilësitë vokale dhe jetën e çrregullt. Nëse do të shkonim përtej kësaj dhe do të flisnim për muzikën, këngët e Winehouse e kanë bërë me kohë një gjë të tillë: hite të suksesshme që kanë evidentuar vokalin e fuqishëm – një ndër zërat më të vlerësuar të kohës. Nëpër intervista, talenti britanik do të pohonte shpesh, që nuk ishte aspak ambicioze. Pak e vështirë të merrej seriozisht me muzikën, duke patur parasysh natyrën e saj. “Amy ka qenë gjithnjë kokëfortë dhe sillej çuditshëm” – është shprehur babai i saj për revistën Rolling Stone në vitin 2007. Madje kur në moshën 12 vjeçare shkon në prestigjozen Sylvia Young Theatre School, dëbohet pak para diplomimit. Arsyeja se pse Amy sillej kështu, ishte fëmijëria aspak e lehtë që kaloi.

Janis dhe Mitch (nëna dhe babai i Amy Winehouse)
Janis dhe Mitch (nëna dhe babai i Amy Winehouse)

Babai i saj Mitch Winehouse (shofer taksie) dhe nëna e saj Janis (farmaciste) do të divorcoheshin kur Amy ishte 9 vjeç. Bashkë me të vëllanë Alex do të jetonin më së shumti me nënën, në Southgate, në periferi të Londrës. Mungesa e babait do të ndihej shumë, dhe do të ndikonte në sjelljen e Amy-t më vonë, duke shtuar këtu edhe martesën e dështuar me Blake Fielder-Civil. “Ajo thoshte se jemi si binjakë. Kështu ishte lidhja jonë. Unë sabotoja veten time, edhe Amy sabotonte veten e saj. Ndoshta kjo ishte natyra jonë. E pyesja pse ishte kaq e shthurur. Tregues i një njeriu që ka kaluar një ngjarje traumatike. Kështu më dukej, duke patur parasysh jetën e saj,” – tregon Blake.

Amy Winehouse dhe ish-i dashuri i saj Blake Fielder-Civil
Amy Winehouse dhe ish-bashkëshorti i saj Blake Fielder-Civil

Në koncertin e fundit në Beograd gjëndja e saj ishte mjaft e rënduar. “Tek e shihja ashtu në skenë, ishte terrorizuese! Ishte një pamje e frikshme,” – kështu është shprehur muzikanti amerikan Moby. Vetëm pak orë më vonë, pasi koncerti u ndërpre për shkak se Amy ishte e dehur dhe e papërgjegjshme në ato që bënte, mësohet se anulohen të gjitha koncertet sepse këngëtarja nuk ishte në gjendje të këndonte dhe të performonte më në skenë.

Amy Winehouse në performancën e saj të fundit në Beograd, 18 qershor 2011
Amy Winehouse në performancën e saj të fundit në Beograd, 18 qershor 2011

“Ishte shumë e rënduar dhe e pambrojtur. Ajo sikur kërkonte ndihmë,” – kujton një fanse e përlotur. Por askush nuk mundi ta ndihmonte…

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.