Hersi Matmuja: “Në art, ‘pasaporta’ nuk ka vlerë”

Intervistë | nga Andri Xhahu

Hersi Matmuja sapo është diplomuar me rezultatin më të lartë që konservatori “Santa Cecilia” në Romë jep për studentët. Vitet e bukura por edhe të lodhshme të studimit të kantos u kurorëzuan me një vlerësim nderi për këngëtaren e talentuar nga Kukësi. Me shumë pjesëmarrje në festivale këngësh, çmime dhe vlerësime, me një prezantim dinjitoz të Shqipërisë në Eurovizion, Hersi tanimë i është përkushtuar muzikës serioze si një soprano, zëri i së cilës ka befasuar publikun amator dhe profesionistët. BORDO ka biseduar me këngëtaren Matmuja për të marrë përjetimet dhe emocionet e para pas diplomimit.

Hersi Matmuja pas diplomimit në konservatorin "Santa Cecilia", Romë
Hersi Matmuja pas diplomimit në konservatorin “Santa Cecilia”, Romë

Hersi, urime për diplomimin.

Faleminderit!

Vitet e tua të studimeve për kanto në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë u kurorëzuan me një certifikatë nderi. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Jam shumë e lumtur që studimet e mia u kurorëzuan me rezultatin më të lartë që konservatori u jep studentëve. Një ëndërr e kthyer realitet falë studimit. Unë adhuroj të studioj dhe jam e lumtur që aktivitetet artistike nuk më kanë larguar nga librat dhe studimi. Nuk është e lehtë të studiosh deri në orët e para të mëngjesit e të nesërmen pa fjetur mirë, të këndosh në koncerte. Por pjesa e studimit ka qenë gjithmonë pjesa e preferuar e punës sime.

Si ka qenë ky rrugëtim? Aq më tepër në një vend të huaj… 

Në konservatorin e Romës nuk jam ndjerë kurrë e huaj. Për mua ka qenë dhe do të mbetet një familje që më ka adoptuar dhe më ka ndihmuar të rritem. Në fillim isha unë që ndihesha e huaj por kur bëhet art, pasaporta nuk ka vlerë. Arti ka nevojë për talent, pasion, punë dhe përulje ndaj tij.

Ka pasur momente gjatë studimeve kur jeni lodhur e keni thënë “mjaft”?

Ka pasur shumë momente “mjaft” por nuk mund të heq dorë nga kantoja. Është jeta ime. Mendoj që nuk mund të ndalojmë jetën vetëm prej momenteve të vështira ose ndoshta të pamundura. Ka qenë kështu dhe studimi, me plot pasiguri, dyshime dhe lot shpeshherë. Por kurrë nuk kam menduar të dorëzohem.

Përtej aspektit profesional, çfarë leksioni keni marrë nga jeta universitare?

Unë kam mësuar të jetoj artin. Të jetoj çdo moment muzikën.

Cila është këshilla që ju kanë dhënë profesorët?

Mos humb kurrë dashurinë që të karakterizon për jetën dhe kanton.

Hersi Matmuja
Hersi Matmuja

Kur vitin e kaluar u takuam në konservator, pamë që profesorët tuaj atje ju konsideronin si kolege. Keni menduar të jeni vërtet kolegia e tyre? 

Më vjen mirë që të kujtohen ato minuta shumë të lumtura. Ndihem e privilegjuar nga kjo konsideratë. Kam menduar dhe po punoj që t’i bashkohem konservatorit dhe si pedagoge.

Si është të jetosh në Romë?

Roma është qyteti më i bukur në botë por unë mezi pres të rikthehem në Tiranë për festa. Roma të ofron shumë mundësi por ekonomikisht nuk është e lehtë.

Keni menduar të ktheheni në Shqipëri apo do qëndroni atje?

Jeta ime për momentin është në Romë, por unë e ndjej veten qytetare të botës. Nuk mendoj që do qëndroj vetëm në Romë.

Hersi Matmuja
Hersi Matmuja

Shohim që jeni mjaft aktive me koncerte të muzikës serioze. Me cilat vepra po punoni këto kohë?

Mbrëmë kisha një koncert që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë në Vatikan në nder të Shën Terezës. Në fundjavë filloj provat për operën “Carmen” që do të vihet në skenë nga data 3-13 nëntor në teatrin “Olimpico” të Romës. Po përgatis njëkohësisht projekte të tjera. Do të jem protagoniste në një vepër teatrale këtë herë si aktore. Sapo më kanë lajmëruar që kam fituar audicionin. Për mua do të jetë një eksperiencë shumë interesante.

Do të kemi një rikthim tuajin në muzikën e lehtë?

Nuk e di nëse do të ndodhë. Ti do të jesh i pari që do të të kontaktoj me shumë dashuri.

Keni një mesazh për ata që duan të ndjekin rrugën e Hersit?

Ndiqni ëndrrën dhe mos reshtni së punuari deri sa të arrini. Unë çdo ditë bëj diçka që t’i afrohem sa më shumë.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.