Justin Timberlake rrezikon burgun për një selfie!

Të martën më 25 tetor, Justin Timberlake ishte në qytetin e tij të lindjes në Memfis, në shetin e Tenesi, për të votuar në presidencialet amerikane. Këngëtari dhe aktori ka përjetësuar këtë gjest qytetar nëpërmjet një selfie që më pas e ka ndarë me fansat e tij në Instagram.

Por ka vende që nuk lejohet të bësh foto dhe të filmosh. Në shtetin e Tenesi, një ligj i votuar vitin e kaluar i ndalon votuesve të përdorin celularët për të telefonuar, fotografuar apo filmuar brenda qendrave të votimit. Ky ligj parashikon një dënim që mund të shkojë deri në një muaj burg dhe 50 dollarë gjobë. Një rrezik mbi të cilin me sa duket Justin Timberlake nuk ishte i informuar.

Sikurse e provon mesazhi që shoqëronte foton, tashmë të fshirë, ky gjest i pamenduar nisej nga një vullnet i mirë. “Shkoni të votoni!” shkruante Justin për të nxitur 37 milion fansat e tij që të bëjnë si ai.

Por që prej deklaratës së bërë nga autoritetet lokale, ylli nuk ka bërë asnjë koment. Nga ana tjetër, Amy Weirich prokurore e distriktit nga i cili varet kjo qendër votimit, nuk ka konfirmuar asnjë hapje hetimi.

“Komunikimi i publikuar sot (25 tetor) nga zyra ime për Justin Timberlake ishte i gabuar dhe hapja e hetimit është kërkuar pa miratimin tim”, kishte theksuar ajo.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.