Arben Derhemi vazhdon “misionin” e At Zef Pllumit, kësaj here tek Eksperimentali

Arben Dehremi vjen sërish në petkun e At Zef Pllumit. Kësaj here nga dita e nesërme deri në 6 nëntor, ora 19.00 do të jetë në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Derhemi dhe regjisori Milto Kutali me monodramën “Rrno vetëm për me tregue” të Zef Pllumit dëshirojnë, që të zhvendosin publikun dhe ne si komb drejt të zezës, drejt burgut, që kanë përjetuar martirët gjatë periudhës së komunizmit. Por, ata na rrëfejnë edhe se si në atë skëterrë 45- vjeçare mund të gjendet e bukura… Gjetja e Derhemit për të komunikuar At Zef Pllumin dhe për të nënvizuar rrëfenjën e tij e sidomos thelbin e saj ku në fund shprehet: “Unë nuk di a jemi të sigurt a është liri e vërtetë ajo atje jashtë? Por, megjithatë unë do ta vazhdojë rrugën time, vetëm për me tregue, sepse dikujt mund t’i hynë në veshë fjalët e këtij plaku të mjerë edhe diku, dikur në jetën e tyre diçka mund të ndryshojnë, sepse ata njerëz edhe pse atje jashtë, asnjëherë nuk kanë qenë të lirë”, është e përsosur. “Rrno vetëm për me tregue” do të vazhdojë udhëtimin e saj në mbarë Shqipërinë.

At Zef  Pllumi “Rrno për me tregue” e shkroi për të treguar se e kanë lidhur, e kanë rrahur, e kanë izoluar, dhe ai sërish arriti të flisë me oficerët e Sigurimit, sepse ata kishin respekt për të. Vepra “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit u përshtatë për t’u ngjitur në skenë nga dramaturgu Bashkim Hoxha. Rrugëtimi i saj do të vazhdojë në mbarë trevat shqipfolëse në kisha, xhami, pse jo dhe në Parlament! Hyrja për publikun është falas!

                                                                                                                  /Bordo/Anila Dedaj

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.