Marie Tuci, e vetmja grua që u lumturua mes 38 martirëve

/Bordo/ Anila Dedaj

Sigurimi gjatë periudhës komuniste i linte të burgosurit të vetmuar në një qeli. Kur, i shihnin se ishin të sfilitur nga tortura dhe vetmia u dërgonin në qeli një tjetër, i cili ishte spiun. Lodhja dhe tortura do ta detyronte atë të fliste. Edhe kështu spiuni bënte raporte, sipas udhëzimeve të Sigurimit. Ndërsa, viktima do të merrej dhe torturohej disa herë, me qëllim që të pranonte akuzën dhe ta dënonin. Një prej tyre ishte dhe Marie Tuci, e vetmja femër në listën e 38 martirëve shqiptarë, që u lumturuan nga Papa Françesku. Marie Tuci (1928-1950) lindi në fshatin Ndërfushëz të Mirditës. Studioi në shkollën e mesme të motrave stigmatine në Shkodër dhe nisi punë si mësuese në Mirditë.

Me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë u fajësuan shumë familje mirditore. Ajo u arrestua pas reprezaljeve të qeverisë komuniste. Po atë ditë u arrestua edhe i vëllai, Marku, të cilin nuk e pa më, as të gjallë, as të vdekur.

Gjatë burgosjes ajo ruante qetësinë. Por, spiunimit nuk i shpëtoi dot. Mes të tjerash pësoi dhe tortura të tmerrshme. E mbyllën në një thes, brenda së cilit futën edhe një mace të tërbuar, që e godisnin me shkop, vetëm dhe vetëm që të gërvishte dhe kafshonte dhe më shumë 20-vjeçaren.

E torturuan në mënyrë që të mos njihej. Një nga anëtarët e Gjykatës, duke qenë një vajzë e re, i bëri edhe disa propozime, të cilat ajo i refuzoi me vendosmëri. Ky refuzim u quajt për kriminelin një fyerje personale dhe e pafalshme, derisa ai i tha: “Do të shpërfytyroj deri në atë pikë sa as familja jote nuk do të njohë më”. Por, Maria e refuzoi në mënyrë të prerë prandaj ndodhi dhe shpërfytyrimi.

 

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.