Klesta Qehaja përfaqëson Shqipërinë në Junior Eurovision 2016

Këngëtarja Klesta Qehaja me këngën “Besoj” që do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovsion 2016, u zgjodh si fituese e çmimit të parë të edicionit të 52-të të Festivalit Kombëtar të Këngës për Fëmijë unanimisht nga një juri që për herë të parë kapërceu kufijtë e muzikës shqiptare.

Përveç emrave të njohur të artit tonë, në juri u përfshinë edhe dy personalitete të festivalit evropian të këngës për fëmijë; producenti dhe organizatori i Junor Eurovision, z. Gordon Bonello si dhe një nga anëtarët e jurisë evropiane,  Znj. Olga Salamakha Koordinatore Projekti në EBU & Kryetare e Delegacionit Bjellorus në Junior Eurovision 2016.

Juria e Festivalit që organizohet nga Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë përzgjodhi njëzëri si fituese të çmimit të parë,  këngën “Besoj” të kompozuar nga Adrian Hila, me tekst të Pandi Lacos,  më 1 Qershor 2016 në një transmetim të drejtpërdrejtë nga Televizioni Publik Shqiptar.

Junior Eurovision Song Contest 2016  do të jetë edicioni i 14-të i konkursit të këngës për fëmijë që u dedikohet fëmijëve nga mosha 9-vjeç e deri në moshën 14-vjeç. Do të mbahet në Maltë në datë 20 nëntor të vitit 2016, për të dytën herë në këtë vend. Në ndryshim nga herën e fundit prezantuesit ndryshojnë: në vitin 2014 u prezantua nga Moira Delia, ndërsa këtë vit do ta drejtojnë eventin Ben Camille dhe Valerie Vella.

Në këtë edicion do të rikthehen në garë edhe Qipro, pas një pauze 1-vjeçare, Izraeli pas tre edicionesh dhe Polonia pas 12 viteve mungesë.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.