KreuStil Jetese

Leonardo DiCaprio për planetin/ ‘Before the flood’

Nga Ilda Lumani

Publikuar më 9 nëntor 2016 në bordo.al

Teksa në Londër në fund të gushtit u prezantua dokumentari “Before the Flood”, një lajm i pazakontë për Leonardo DiCaprio zuri vend në shumë faqe të shtypit botëror. Pretendohej se ai kishte shpërdoruar 3.5 miliardë dollarë, të cilat i ishin dhënë në mënyrë indirekte fondacionit të tij. Departamenti i Drejtësisë është në fakt ende duke investiguar, e megjithatë ashtu si shumë ndjekës të yllit amerikan edhe unë u trondita nga ky lajm. Një zhgënjim, që në fakt u përpoqa ta harroj, por që m’u rikthye në vëmendje dy net më parë, ndërsa ndoqa dokumentarin e tij, “Before the Flood”. Në këndvështrimin tim, përgjigjja e akuzave që i bëheshin DiCaprio-s për përvetësim fondesh, ishte vetë “Before the Flood”!

Ndryshimet klimaterike, apo ndryshe ngrohja globale, deri më sot ka kaluar në vëmendjen tonë si një klishe, por në fakt është një alarm. Gjithçka po ecën kaq shpejt sa ashtu sikundër e pohonte edhe vetë DiCaprio, apo mandej edhe presidenti i ShBA-së, Barack Obama dilema e madhe e së ardhmes është “A do të shohin pasardhësit tanë borë me sy”?!

5 dekada më parë kjo pyetje ngjante si tepër e largët, madje askush nuk e kishte kuptuar, kur ajo ishte thënë publikisht, siç dëshmohej në dokumentarin e DiCaprio-s, por sot ajo është një e vërtetë tronditëse, për të cilën nuk jemi aspak të ndërgjegjësuar. Iniciativa dhe serioziteti i DiCaprio-s është i paçmueshëm në këtë drejtim. Vetë nuk do ta besoja nëse nuk do të kisha parë “Before the Flood”!

Pak vite më parë kisha parë një tjetër dokumentar për ndryshimet klimaterike “Home” (2009), por në fare pak kohë gjërat kanë ndryshuar shumë, për keq!

Qëllimi që DiCaprio i vë vetes me këtë dokumentar është gati-gati qëllimi i jetës së tij sot, ndërgjegjësimi për çfarë po ndodh.

Faktet janë të dhimbshme.

Florida kërcënohet nga përmbytjet. Kryetari i bashkisë ndjek punime të bordurave që do të ndalojnë ujin. Këtu nisin tronditjet e para, teksa Obama pohon se nëse do t’u thuhej njerëzve për rrezikun që vjen nga uji, ata do të dyndeshin në zonat malore, çka do të cenonte sigurinë kombëtare…

Serioziteti i çështjes nuk duhet të neglizhohet më. Kina është shembulli më fatkeq i kësaj situate. Ndotja e ajrit është në nivele ekstreme, njerëzit dalin nga shtëpia me maska. U deshën protestat popullore, që qeveria të vepronte dhe të merrte masa. Sot në Kinë janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen panele diellore, që do të zëvendësojnë elektricitetin. Duke pohuar se nëse populli reagon, qeveritë veprojnë!

Dëshmitë që vijnë në dokumentar janë shokuese. Nga vendi i xhirimit të “The Revenant”, në provincën kanadeze të Albertas, në periferinë e ndotur të Pekinit, nga Groenlanda në arkipelagun Kiribati apo në Sumatra, Leonardo DiCaprio përshkruan planetin dhe konstaton seriozitetin e dëmeve. Shkrirja e akujve, ndotja që prek jetën e përditshme të kinezëve, rritja e ujërave që venë në pikëpyetje të ardhmen e ishujve dhe në një afat më të gjatë të vetë njerëzimit, shpyllëzim të mushkërive të gjelbërta të planetit, zhdukje të koraleve…

DiCaprio ka shkuar deri atje, duke akuzuar 10-tra kompani amerikane, që nga Burger King, Doritos, Kraft etj., vaji i palmave që përdoret prej të cilave ka rrafshuar pyjet.

Udhëtimi dyvjeçar i Leonardo DiCaprio-s përreth botës ka në fokus evidentimin e problematikave, por edhe zgjidhjen e tyre. E gjitha është në dorë të njeriut! Gjithçka komentohet nga ekspertët e fushave, por edhe politikëbërësit, vendimmarrësit e deri te Papa Françesku.

Ambasadori i Paqes, aktori dhe producenti, fitues i çmimit Oskar për rolin e tij në filmin “The Revenant”, me “Before the flood” është më i vërtetë se kurrë… Aktualisht, dokumentari është parë nga 13 milionë njerëz. Nuk mund të ndërgjegjësohemi pa e parë!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF