Ëndrra amerikane e Martin Luther King dhe vrasja e apostullit kundra dhunës

Përshtati | Andri Xhahu

Në prillin e largët 1968, një valë tronditëse kumboi në mbarë botën me lajmin se lideri amerikan i të drejtave civile Martin Luther King i Riu, u vra në Memphis, Tennessee. Ministër baptist dhe themelues i Konferencës së Udhëheqësve Kristianë të Jugut, Luther King ka drejtuar lëvizjen e të drejtave civile që nga mesi i viteve 1950, nje kombinim i fuqisë së fjalës dhe taktikave kundër dhunës përmes demonstratave, bojkoteve e protestave (duke përfshirë marshimin masiv në Washington në vitin 1963) për të luftuar ndarjen dhe për të arritur përparime në votimin e të drejtave të afro-amerikanëve. Vrasja e tij çoi në një valë zemërimi në mesin e amerikanëve me ngjyrë, si dhe në një periudhë zie kombëtare që ndihmoi në përshpejtimin e krijimit të një projektligji kundër diskriminimit në strehim, që do të ishte arritja e fundit e rëndësishme legjislative në epokën e të drejtave civile.

Martin Luther King
Martin Luther King

“Unë kam një ëndërr. Edhe pse përballemi me vështirësitë e së sotmes dhe së nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Më në fund të lirë! Më në fund të lirë! Falë perëndisë së plotfuqishme… Ne jemi më në fund, të lirë.” Ky është një nga fjalimet më frymëzuese të shekullit XX, fjalimi historik i Martin Luther King, i mbajtur më 28 gusht 1963 në Washington, që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fraza e famshme “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) do të kumbonte përpara 250 mijë protestuesve që kishin dalë për të denoncuar racizmin dhe për të kërkuar barazi.

Martin Luther King, gjashtë vjeç
Martin Luther King, gjashtë vjeç

Martin Luther King i Riu, u lind më 15 janar 1929 në Atlanta, Georgia. Në vitin 1951 diplomohet për sociologji dhe më pas nis rruga e gjatë drejt një qëllimi: të drejtat e njeriut. Dr. King ishte aktivist dhe i njohur për rolin e tij në përparimin e të drejtave civile të afro-amerikanëve përmes thirrjeve jo të dhunshme bazuar në besimin e tij të krishterë. Më 14 tetor 1964, Luther King, merr një Nobel për Paqe, për luftën kundër pabarazisë racore pa dhunë.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Kemi ditë të vështira përpara. Por kjo gjë nuk më shqetëson tani. Le të bëhet vullneti i perëndisë. Nuk i frikësohem askujt. Sytë e mi kanë parë madhështinë e ardhjes së perëndisë.” Ky ishte fjalimi i fundit i tij. Në të u duk sikur parashikoi fundin e tij. Të nesërmen, në orën 06 pasdite, King po qëndronte në ballkonin e dhomës 306 në katin e dytë në motelin “Lorraine”, duke biseduar me muzikantin Ben Branch, i cili do të performonte atë natë në një mbrëmje ku do të ishte vetë Luther King i pranishëm.

Martin Luther King në ballkonin e motelit "Lorraine" ku u vra
Martin Luther King në ballkonin e motelit “Lorraine” ku u vra

Në orën 06:01 minut, të 4 prillit 1968 u dëgjua një e shtënë. Ishte plumbi i një snajperi që goditi në qafë Luther King-un duke zbritur në shtyllën kurrizore e më pas në shpatull. E çuan menjëherë në spitalin “St. Joseph”, ku u deklarua i vdekur një orë më vonë, në moshën 39 vjeçare.

Tronditja dhe ankthi mbi lajmin e vdekjes së Martin Luther King, shkaktoi trazira në më shumë se 100 qytete të vendit, duke përfshirë djegie dhe plaçkitje. Mes një vale zie kombëtare, presidenti Lyndon B. Johnson, iu bëri thirrje amerikanëve të dënonin vrasjen e Luther King-ut, duke e quajtur atë “apostullin kundra dhunës”.

Vrasësi James Earl Ray
Vrasësi James Earl Ray

Menjëherë pas vrasjes, filluan kërkimet për autorin. Më 8 qershor, autoritetet kapën të dyshuarin për vrasjen e Martin Luther King-ut, 40 vjeçarin James Earl Ray, në aeroportin Heathrow të Londrës. Dëshmitarët e kishin parë atë të largohej me shpejtësi nga një ndërtesë pranë motelit “Lorraine”, me një objekt në dorë që mendohet të ishte arma më të cilën kreu vrasjen. Prokuroret thanë se ai ndodhej në dritaren e tualetit të një ndërtese kur kreu vrasjen fatale. Më 10 mars 1969, Ray u shpall fajtor dhe u dënua me 99 vjet burg.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.