60 aktivitete në Panairin e 19-të të Librit

 

/Bordo/ Anila Dedaj

Panairi i 19-të i Librit është çelur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në të rreth 90 botues kanë mundësi të prezantojnë botimet e reja dhe jo vetëm për lexuesit. Nga dita e parë, (dje) deri në ditën e fundit do të ketë më shumë se 60 aktivitete; takime me autorë, prezantime librash, aktivitete të ndryshme për fëmijë, seminare dhe konferenca personale. Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, u shpreh në ceremoninë e çeljes së Panairit se: “Është Panairi i 19-të i Librit. Vitin e ardhëm kemi vitin jubilar , të 20-in. Jemi pothuajse të njëjtët aktorë: botuesit, autorët, përkthyesit, institucionet e tjera botuese, shoqata të ndryshme, përfaqësues të institucioneve kulturore të huaja, që marrin pjesë në Panairin e Librit e që të gjithë bashkë i japin një bukuri të veçantë kësaj feste: festës së librit.

Ky panair do të ketë shumë aktivitete, shumë risi, shumë promovime librash, takime me autorë, përkthyes dhe personazhe të tjerë të botës kulturore dhe letrare”. Disa nga aktivitetet kryesore të Panairit janë; Prezantimi i projektit të bashkëpunimit të përkthimeve e botimeve nga gjuha kineze në shqip dhe nga shqipja në gjuhën kineze; Konferenca mbi Problemet e Përthimit dhe Botimit nga gjuhët e tjera si: gjuhët sllave, nordike dhe gjuhët e tjera të vogla si: polonishtja, rumanishtja etj. “Vitet e fundit ka shumë prurje, shumë botime e shumë përkthime të këtyre letërsive në gjuhën shqipe. Është një gjë pozitive”. Lexuesi shqiptar është mësuar të ketë botime nga frëngjishtja, nga anglishtja, italishtja e shumë të tjera, por një risi e këtyre 10 viteve të fundit; që lidhet edhe me punët e botuesve, por edhe me punën bashkëpunuese të institucioneve evropiane; ka sjellë një fluks të dukshëm të botimit dhe përkthimit të këtyre letërsive. Panairi i Librit përfundon më 13 nëntor (ditë e diel) ora 21.00.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.