KreuArt

Intervistë: Renato Mekolli, sekretet e një libri

Intervistë | Andri Xhahu

Ai është shefi i kuzhinës më i famshmi në vendin tonë. Me një karrierë të ndërtuar në Greqi dhe Shqipëri, Renato Mekolli ka arritur të lërë një shije të mirë në publik, jo vetëm përmes gatimeve të tij. I qeshur, me humor, spontan, i drejtpërdrejtë, ashtu si edhe në intervistën për Bordo, në të cilën Mekolli flet për librin e tij të parë me receta gatimi “Sekretet e shijes” si dhe për përvojën në “Dance with me”.

Renato, sapo keni publikuar librin tuaj të parë me receta gatimi. Si lindi ideja për një libër të tillë?
Natyrshëm. Pas shumë vitesh si shef, ishte momenti që të dilte libri im i parë me receta që janë provuar dhe janë krijuar nga mua gjatë gjithë këtyre viteve.

Sa kohë ju është dashur të punoni për këtë libër?
Shumë vite, por dy vitet e fundit janë punuar me shumë kujdes fotot por edhe recetat, që të ishin sa më pranë amvisave në Shqipëri.
Super të thjeshta, me teknika, sekrete dhe çdo gjë qe i duhet dikujt që futet për herë të parë dhe jo vetëm në kuzhinë. Me produkte që gjenden në çdo market dhe me çdo fjalë në libër që është vetëm në shqip.

Sa receta ka në brendësi?
Në librin tim të parë përfshihen mbi 170 receta. Mbi 80 për qind të recetave janë me fotografi.

Fotot janë të gjitha të realizuara enkas për këtë botim?
Fotot janë të realizuara eksluzivisht vetëm për recetat e pjatave që janë në libër. 80 për qind e fotove janë të bëra në studio në Athinë që merren vetëm me foto të gatimeve. Ndërsa pjesa tjetër është realizuar në Tiranë nga fotografë shqiptar.

Sa i vështirë ka qenë realizimi i tij?
Ka qenë pak i vështirë pasi doja që ky libër të ishte në kuzhinat e të gjithë shqiptarëve. Recetat janë punuar me shumë kujdes, janë provuar të gjitha dhe janë me produkte që mund t’i gjejnë lehtë të gjitha amvisat.

Libri juaj është edhe pjesë e panairit. Si po ecën ai?
Libri ka një shitje rekord, brenda pak orësh janë shitur me qindra kopje dhe kanë filluar të botohen kopje të reja.

A mund t’ju gjejnë aty dashamirësit për një autograf tuajin?
Unë ndodhem çdo ditë aty. Të shtunën dhe të dielën do të jem paradite dhe pasdite. Interesi është tepër i lartë dhe këtë gjë unë dua ta shikoj dhe ta shijoj nga afër, të jem aty me fansat për autograf dhe foto.

Ndërkohë, jeni pjesë edhe e spektaklit “Dance with me”. Si po shkojnë provat?
Provat po shkojnë shumë mirë. Një eksperiencë e re për mua, sado që unë nuk kam lidhje me këtë fushë të artit.

Çfarë ju bëri të thoni: “Po, do të marr pjesë në “Dance with me”?
Producentët prej tre vitesh më kërkonin për të marrë pjesë, por nuk ishte momenti. E shikoja si diçka të tepërt për mua, diçka jashtë fushës sime. Ishin shumë gjëra që ndikuan deri sa unë thashë “po”. Nuk do shkoja kurrë thjesht sa për të kërcyer dhe për t’u dukur në një show kërcimi nëse nuk do të kishte diçka më shumë.

E kishit menduar veten në një skenë kërcimi?
E kisha menduar, por kur u realizua thashë që kjo nuk është ajo që unë dua. Jam tërësisht jashtë asaj që unë dua në televizion.

Në cilin nga kërcimet e keni gjetur veten më mirë deri më tani?
Veten e kam gjetur më mirë në tango dhe kërcim latin.

Si është marrëdhënia juaj me Laurën?
Me Laurën, kemi një super marrëdhënie. U lidhëm menjëherë që në provat e para. Kalojmë shumë mirë bashkë dhe kjo na bën mirë të dyve.

Me çfarë kërcimi prezantoheni këtë javë?
Këtë javë do të prezantohem me një musical.

Faleminderit Renato dhe suksese.
Ju faleminderit shumë edhe juve. Suksese revistës si dhe juve personalisht.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF