KreuArt

“Kundërpërfytyrimi” i  Natasha Lakos, damës së vargjeve shqipe

 

Mbrëmjen e djeshme në ambientet e hotel “Rogner” u promovua vëllimi me poezi “Kundërpërfytyrimi” i një nga poeteve më të mira në vendin tonë. Asaj që di të lexojë më mirë se kushdo tjetër shpirtin e një kombi dhe problematikat e shoqërisë e të individit, i poetes Natasha Lako.

Të pranishmit patën kënaqësinë të dëgjonin disa poezi të përzgjedhura, të cilat i lexoi plot emocion vetë autorja, e cila gjendej mes familjarëve dhe miqve artistë, që ndiheshin entuziast për këtë prurje të poeteshës, që është një pasuri për letërsinë dhe poezinë shqipe.

E ka konsideruar këtë si një nga vëllimet më “të pjekur” të poezive, si dhe me besnikëri ndaj një nga dashurive të saj të mëdha ajo u shpreh për poezinë: “Të jetosh vetëm me poezinë, siç jetojnë poetët është një gjë e mrekullueshme. E di që është shumë e vështirë, pasi për mua sot njerëzit kanë frikë nga poezitë, sepse e tillë është periudha, shumë intensive. Poezia është si një kundërtrup, duhet të përgjigjesh për të mbrojtur veten”.

Natasha Lako, “grande dame” e vargjeve siç e ka konsideruar Robert Elsie, që në një kohë kur poezia po “dhunohet” ky vëllim poetik na njeh përpos emocioneve, trajtimit mjeshtëror të ndjenjave dhe problematikave me poezinë e vërtetë.

“Shqipëria nuk ka pasur kurrë një poete që të shpreh shpirtin e kombit dhe të pasqyrojë përjetimet e tij, për faktin e vetëm se deri rishtas, Shqipëria nuk ka pasur asnjë grua shkrimtare. Sidoqoftë, kohët kanë ndryshuar në Shqipëri ashtu si kudo, dhe ndoshta nëse bëjmë fare pak durim, Natasha Lako mund të na e japë këtë kënaqësi”, vlerëson Robert Elsie.

Natasha Lako (1948) lindi në Korçë. Kreu studimet në degën e Gazetarisë pranë Universitetit të Tiranës. Karrierën profesionale e nisi si mësuese letërsie, por ka punuar gjithashtu si gazetare dhe redaktore.

Ndërsa, veprimtarinë e saj letrare e nisi në moshën 16-vjeçare, duke botuar poezitë e saj të para në gazetën “Drita”. Është autore e tetë vëllimeve me poezi, si dhe fituese e disa prej çmimeve më të rëndësishme kombëtare të poezisë. Vepra e saj është e përfshirë në disa antologji botërore të poezisë dhe në disa përmbledhje ndërkombëtare poetike. Poezitë e saj janë të përkthyera në disa gjuhë të huaja.

Është shkrimtare, skenariste e një sërë filmash shqiptarë, publiciste si dhe dy herë deputete e Partisë Demokratike në Parlamentin e parë pluralist. Ka dhënë një kontribut të veçantë në ngritjen e Arkivit të Filmit Shqiptar, si drejtoreshë e këtij institucioni.

                                                                                                             /Bordo/ Anila Dedaj

 

 

 

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF