Intervistë: Florian Agalliu, vlen!

Intervistë | Andri Xhahu

Ai e do ekranin dhe skenën, e po kaq shumë ekrani dhe skena e do atë. E kemi parë në skenën e teatrit si aktor, po kështu edhe në film e seriale. E kemi parë të vallëzojë në spektaklin “Dancing with the stars”. E kemi parë gjithashtu të prezantojë rubrikën “5 anët e botës”, “Lotarinë Kombëtare” dhe emisionin “Blind taste”. Florian Agalliu tashmë është angazhuar në një tjetër program të rëndësishëm, në drejtimin e spektaklit të talenteve “Tu si que vales”. Të gjitha këto, Floriani i ka kryer me përkushtim dhe profesionalizëm. Ndaj publiku e ka pranuar dhe i ka dhënë atij pëlqimin “Ti vlen!”. Në këtë intervistë për BORDO, Agalliu na tregon më shumë për këtë eksperiencë, për personazhet që kanë lënë gjurmë tek ai, marrëdhënien me bashkëprezantuesen Çiljeta Xhilaga e shumëçka tjetër.

Florian Agalliu
Florian Agalliu

Florian, përshëndetje. Si po shkojnë përgatitjet për spektaklin e radhës të “Tu si que vales”?
Deri tani shumë mirë! Të enjten kemi shfaqjen dhe besoj çdo gjë do dalë mirë. Në të tilla spektakle ka nevojë për mirëorganizim nga të gjithë komponentët e shfaqjes.

Ka pasur ndonjë personazh apo talent nga ata që janë prezantuar deri tani, që ka lënë më shumë gjurmë te ju?
Për të thënë të vërtetën, shumica e konkurrentëve kanë qenë mbresëlënës aq më tepër që kjo fazë e konkurrimit nuk është se kërkon maksimumin e aftësive të tyre. Më tepër janë në fazën e paraqitjes së aftësive të tyre dhe nëse kalojnë për gjysmëfinale ata fillojnë të nxjerrin arsenalin e rëndë. Megjithatë deri tani ai që më ka lënë gojëhapur ka qenë personazhi i Mr. Bean-it, Vadzim and the bear, Ajola Laska me violinë e shumë të tjerë.

Në “Tu si que vales” prezantoni përkrah Çiljetës. Si po funksionon dyshja juaj?
Dyshja, çdo javë që kalon, aq më tepër konsolidohet. Jam i bindur që do i japim publikut më të mirën tonë.

Florian Agalliu dhe Çiljeta Xhilaga
Florian Agalliu dhe Çiljeta Xhilaga

Sa bashkëpunues jeni për të mos qenë dyshja klasike e prezantimit: prezantuesi kryesor dhe bukuroshja krah tij!?
Ne jemi aq bashkëpunues sa është vështirë ta besosh me çfarë na kanë parë sytë. Nuk kemi komplekse kush flet më shumë apo më pak, përpiqemi të krijojmë. Kur ka atmosferë të mirë, mobilizohemi më shumë për ta bërë mirë punën tonë.

Në një situatë mediatike ku secili mund të bëhet prezantues lehtësisht, çfarë mendoni se keni sjellë ndryshe në këtë fushë?
Nuk mendoj kështu! Tregu është i vështirë dhe i ka shoshitur në shumë pak kohë figurat e ekranit. Janë me kokrra ata që numërohen dhe bëjnë televizion. Megjithatë unë nuk e kam si qëllim të bëj gjëra me patjetër ndryshe. Thjesht skenarin përpiqem ta sjell sa më afër vetes dhe me gjëra që rrinë në gojën time dhe sekreti qëndron tek improvizimi. I besoj shumë atmosferës dhe improvizimit!

Ju jeni pjesë e televizionit dhe keni qenë në forma të ndryshme. Sa e vërtetë është ajo që ndodh në televizione sot? Ka vend për truke, inskenime apo situata të stisura? 
Varet nga formatet e spektakleve apo emisioneve. Nuk mund të abuzosh me lajmet ashtu sikundër nuk mund të thuash të vërtetën për një gjë që është personale… pra varet gjithmonë! Por kam parë spektakle këto kohë që janë vetëm inskenime dhe më vjen keq për këtë gjë.

Nga kush prisni me padurim një mesazh apo thirrje me një kritikë kur sapo keni mbaruar programin? 
Regjisori!

Nëse çdokush ka momentin e kthesës në një sukses, cili është i juaji që ju çoi kah prezantimi?
Unë kam dashur t’i bashkohem televizionit që pasi xhiruam serialin “Komuna e Parisit”. Kam marrë pjesë dhe në audicione të cilat nuk i kam fituar për të qenë moderator. Por di që procesi ka qenë i ngadaltë dhe gradual deri sa kemi ardhur në këtë pikë. Jo si moderatorët që përmendët ju më lart.

Do t’ja sugjeronit vajzës suaj botën e artit si një zgjedhje kur të rritet?
Unë do ja sugjeroja por nuk do ta detyroja kurrë. Do kisha dëshirë që ta zgjedhë vetë rrugën e saj, sigurisht në bazë të formimit që do të marrë nga prindërit.

Florian Agalliu me vajzën e tij
Florian Agalliu me vajzën e tij

Cili është mendimi i bashkëshortes suaj në lidhje me qasjen tuaj në art?
Nuk ma ka thënë ndonjëherë mendimin e saj për këtë gjë në fakt, por mendoj se kam akoma punë për të bërë.

Po i përkushtoheni tërësisht spektaklit këtë periudhë apo gjeni kohë edhe për teatrin e filmin?
Unë jam përgjithësisht korrekt dhe doja që këtë gjë që kam nisur ta çoja deri në fund i fokusuar. Kështu që kam zgjedhur të bëj vetëm “Tu si que vales”.

Publiku artdashës kur do t’ju shohë sërish në skenë apo ekran si aktor?
Shumë shpejt.

Florian Agalliu dhe Diellza Kolgeci në filmin "Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3"
Florian Agalliu dhe Diellza Kolgeci në filmin “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3”
Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.