KreuCelebrity

Dy vjet nga largimi i Dr.Florit, miku i tij rrëfen minutat e fundit

Sot u bënë dy vjet nga largimi i parakohshëm nga jeta i kantautorit të njohur Dr.Flori. Teksa shumë miq e kanë kujtuar atë duke i dedikuar nga një status apo një kujtim, pastori Fitor Muça, një prej miqve të afërt të Florit ka treguar minutat e fundit të tij.

Ja çfarë shkruan ai:

“Flori, sot duhet të ishim duke e pirë kafen e mëngjesit bashkë, si në të shumtën e herës. Dhe nuk kisha menduar kurrë se atë mëngjes nëntori do të vija në shtëpinë tënde për takimin e fundit me njëri-tjetrin. Nuk do t’i harroj kurrë sytë e tu, ndërsa hyra në dhomën ku ishe bashkë me Albanin. As sot nuk jam në gjëndje ta deshifroj shikimin tënd, por e di që ishte më shumë se një mesazh i vetëm. Dhe e kam lënë të të pyes kur të shihemi bashkë në qiell, sepse një ditë do të takohemi. Donim të të ngrinim, të të vendosnim në divan bashkë me Albanin, miku im, por ti ishe i rëndë, shumë i rëndë, dhe u rrezova duke të mbajtur nga shpatullat, dhe koka jote e pafuqishme u mbështet nga krahu i zemrës sime. Albani u nis për të shkuar tek ambulanca që s’po vinte dhe ishim vetëm ti dhe unë dhe vdekja që po përpiqej të të merrte. Pastaj u përmenda se duhej të bëja diçka, por nuk e dija miku im, nuk e dija se çfarë.. Një moment, me shumë kujdes të anova dhe të shtriva në dysheme. Vendosa veshin në krahun e zemrës tende…po rrihte shumë ngadalë, shumë ngadalë, mezi dëgjoheshin të rrahurat dhe një moment mu duk se nuk e dëgjova më. Kishe ikur? As këtë nuk e dija. Mjekët hynë dhe nisën të merren me ty. Dukej se ishte vonë. Shumë vonë! Tashmë ti ishe nisur. Dola prej andej, duke të lënë shtrirë në duart e mjekëve, si atë ditë kur po dhuroje gjak për fëmijët talasemikë… me proporcionin e dashurisë që shumë herë nuk ta lexuan dot. Atletet ishin tek pragu i derës, ato që nuk i lidhje asnjëherë, ishe për rrugë, dhe në rrugën ku do të shkoje, që e kishe zgjedhur dy vite më parë, ato nuk të nevojiteshin më … Ambulanca u nis dhe pak minuta më pas një telefonatë e Albanit që ishte në të bashkë me ty…”Pastor, mbaroi…” Isha i bindur se kishte udhëtuar vetëm trupi i yt. Kisha dëgjuar rrahjen e fundit, ndërsa zemra jote kishte pushuar së qeni, miku im! Flori. Iku. Rrahja e fundit e zemrës së tij ia kishte lënë vëndin rrahjes së parë në një jetë të re.  Une e di se ku është, dhe një ditë do të takohem me të dhe kam kaq shumë pyetje për t’i bërë. Mos u bëni merak për shënjtërinë apo denjësinë e tij për qiellin. Ai është atje ku ishte besimi i tij!,”

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF