KreuStil Jetese

Dy engjëj të parakohshëm… U prehshi në paqe Ergi dhe Kejdi!

Dy engjëj iu shtuan qiellit, dy të rinj të mbushur me ëndrra dhe dëshira, dy jetë të ndërprera në mënyrën më tragjike…  Duhet t’iu japim lamtumirën Ergi Dinit dhe Kejdi Halilit, por jo kujtimit të tyre. Ergi ishte këngëtar, një nga zërat më të talentuar që përbënte një risi në muzikën e këngës shqipe.  Ishte këngëtar si motra e tij Barbana e cila  e prekur edhe e tronditur nga kjo humbje e pazëvendësueshme shprehet plot dhimbje: “Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet edhe pse për ne s’ka ngushëllim”. Shpresojmë që Barbana të gjejë forcë në kujtimet e vëllait të saj, në buzëqeshjen e tij , në zërin e tij që do të kujtohet gjatë, të jetojë për të dy. Po kështu BORDO u shpreh ngushëllimet të dyja familjeve!

Ja se si është shprehur pedagogia e UT,Erenestina Halili, në një intervistë të publikuar nga Panorama rreth djalit të saj të vetëm Kejdit:

“Ndonjëherë më duket se për gjithçka ka faj ai, më pas se për gjithçka fajin e kam unë. Herë të tjera se është fëmija më i mirë në botë, herë të tjera i shoh një mijë dobësi. Por, kur ai shtrihet e mbyll sytë e bukur me qerpikë të gjatë, unë e puth dhe mendoj se ashtu e kam ëndërruar që ditën që u ngjiz. Kejdi po burrërohet shpejt, në shtat e në mendje. Dhe raporti im është ai i një nëne që fëmijët e saj i ka në dritë të syrit”.

Ndërkohë që babai i Ergit, një natë para ngjarjes tragjike, ka publikuar një poezi të shkruar nga vetë ai që flet pikërisht për çastet e këqija, tragjike dhe të papritura që vetëm vdekja mund të shkaktojë dhe që i mori pabesisht të birin në lule të rinisë!

ÇAST I KEQ

Vdekja

më vështron

me sytë tuaj…

Retë dhe pulbardhat

digjen nga perëndimi.

Mbi buzët tuaja

prej lamtumire,

më pret puthja e fundit.

Hëh!

Trendafilat prej gjaku

të urrejtjes,

do thahen

në parvazin e horizontit.

Unë pres

i veshur

me smokingun e zi te muzgut,

të takoj ditën tjetër…

Dashamir Dini

 

U prefshi në paqe Ergi dhe Kejdi, dy engjëj të parakohshëm!

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF