Intervistë: Flori Nazifi, këngëtari i kishës në skenën e “Këngës magjike”

Intervistë | Andri Xhahu

Flori Nazifi, është emri që do ta dëgjoni gjatë në muzikë. Këngëtari me zërin e ngrohtë, zbuloi talentin kur për herë të parë këndoi në një kishë, në moshën pesë vjeçare. Nga atëherë nuk i është larguar muzikës, deri në prezantimin e radhës në “Kënga magjike” me këngën “Mos ik”. Në këtë intervistë, Flori me emocion tregon rrugëtimin e tij në muzikë dhe për këngën më të re.

Flori, përshëndetje. Urime për prezantimin tuaj në “Kënga magjike”.

Përshëndetje dhe shumë faleminderit për intervistën dhe urimin.

Ju prezantoheni në kategorinë e të rinjve me këngën “Mos ik”. Kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

Alban Kondi është kompozitori i muzikës dhe orkestrimit si dhe autor i tekstit, të cilin e falenderoj shumë për të gjithë realizimin e kësaj balade kaq të bukur dhe plot mesazh brenda.

Kujt i thoni “Mos ik”?

Besoj se teksti është i frymëzuar nga situata të ndryshme. E di që i dedikohet dikujt, por besoj se Albani vetë do të zbulojë më shumë në lidhje me dedikimin e kësaj kënge.

Të pestë anëtarët e jurisë dhanë të gjelbërtën e tyre për ju. E prisnit reagimin e tyre?

Që në momentin e parë sapo muzika dhe teksti u krijuan, e vërteta është se më pëlqeu e gjitha shumë. Kur vendosa të jem pjesëmarrës te “Kënga magjike”, kisha një lloj pritshmërie që të pestë anëtarët e jurisë do tregoheshin pozitivë sepse kënga përcjell mesazh dhe besoj se ka dhënë emocion nga mënyra se si është kënduar.

Kujt i druheshit më shumë mes anëtarëve të jurisë?

Askujt në fakt, por e falenderoj shumë jurinë për vlerësimin.

Si kanë qenë komentet e publikut apo të njohurve tuaj për këngën?

Në çdo kompeticion që kam konkurruar, dua të theksoj se publiku gjithmonë më ka mbështetur pafund. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në konkurrimin në “Kënga magjike”, kanë qenë një mbështetje shumë e madhe për mua. Ndaj një falenderim shumë i madh dhe i veçantë shkon pikërisht për këtë publik kaq të dashur sepse e kanë pëlqyer këngën dhe e kanë komentuar shumë pozitivisht. Po i njëjti vlerësim ka qenë edhe nga miqtë e mi dhe artistët, konkurrentë dhe jo konkurrentë.

Kush ka qenë i pari ose e para që ju ka uruar për këngën? Ka patur ndonjë mesazh apo koment që ju ka prekur?

Bashkëshortja ishte e para që më uroi suksese në këtë kompeticion, e cila ishte plot gëzim edhe përlotur duke më suportuar emocionalisht ashtu si ajo me suporton në çdo hap të jetës sime.

Flori Nazifi
Flori Nazifi

Flori, si ka qenë qasja juaj në muzikë? 

Takimi im i parë me muzikën ka qenë që në moshën pesë vjeçare ku unë këndova në një kishë, dhe papritur atje zbulova talentin tim. Them se e kam të trashëguar edhe dhunti, por më shumë e quaj dhuratë nga Zoti.

Sa besoni në Zot?

Unë besoj që gjithçka e mirë dhe dhuntia vijnë nga Zoti si dhuratë, pastaj patjetër që e kam të trashëguar në familje muzikën. Unë mendoj se çdo njeri, Zoti e ka pajisur me një dhunti ashtu si mua me zërin. Por secili duhet të jetë kërkues ndaj vetes për të zbuluar këto dhunti që vijnë prej së larti. Unë jam rritur me besimin, ndaj dua të theksoj se Zoti është miku im më i çmuar, ku e kam gjetur veten plotësisht të mbështetur nga Ai!

Ju jeni nga Korça. A ka mundësi dhe hapësira ky qytet për këngëtarët e rinj?

Gjithmonë, qyteti i Korçës, ka mbështetur edhe ka nxjerrë artistë të rinj.

Çfarë keni marrë nga Korça apo nga korçarët?

Kulturën, mikpritjen dhe serenatat tona aq të bukura.

Flori Nazifi
Flori Nazifi

Cili është angazhimi juaj në muzikën live?

Unë punoj si një nga drejtuesit e adhurimit në disa shërbesa te “Kisha Rilindja”, ku pothuajse jam i përfshirë gjatë gjithë kohës duke kënduar live.

Çfarë do të ketë pas pjesëmarrjes suaj në “Kënga magjike”?

Është ende herët për të folur për këtë pjesë por unë bashkë me Albanin kemi disa projekte për të cilat kemi qenë duke punuar fort. Besoj që shumë shpejt do të nxjerrim materiale goxha të bukura, për t’ja dhuruar publikut tonë të mrekullueshëm.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.