Revolveri që Verlaine plagosi Rimbaud shitet… 434 500 euro!

Revolveri me gjashtë plumba që poeti francez, Paul Verlaine, përdori në përpjekjen për të vrarë të dashurin e tij, Arthur Rimbaud, një pasdite të korrikut 1873 në Bruksel, u shit sot me çmimin e jashtëzakonshëm të 434 500 eurove gjatë një ankandi nga “Christie’s” në Paris.

“Revolveri gjeti një blerës me vlerën e 434 500 eurove, përfshirë taksat”, njoftoi një përgjegjës i shtëpisë së ankandit.

“Kjo Lefaucheux (markë e famshme në atë kohë) me dorezë prej druri, me gjashtë plumba të kalibrit shtatë milimetra, vlerësohej mes 50 000 dhe 60 000 euro”, vazhdoi ai.

Ky revolver është në zemër të një prej dramave më të famshme në historinë e literaturës franceze. Më 10 korrik 1873, ora 14:00, në një dhomë hoteli në rrugën “Brasseurs” në Bruksel, janë bashkë tre persona. Verlaine, nëna e tij dhe i riu Arthur Rimbaud. Situata është shumë e tensionuar. Papritur, dëgjohen dy të shtëna me armë zjarri.

Verlaine, që në atë kohë ishte 29 vjeç, qëlloi mbi Rimbaud, 10 vite më i ri. Një plumb plagos djalin e ri pranë dorës. Tjetri kapi dyshemenë.

Grindja mes tyre kishte filluar në Londër në maj të vitit 1873. Situata është tensionuar shumë mes dy të dashuruarve. Verlaine dëshiron të rikthehet me bashkëshorten e tij, Mathilde, të martuar më 1870, një vit para se të njihej me autorin e “Anije e Dehur”. Pas disa zëniesh, ai e lë të dashurin e tij dhe niset për në Bruksel. Rimbaud e ndjek.

Verlaine ka dëshira vetëvrasëse, Rimbaud thotë se do të hyjë në ushtri. Ata dehen, qajnë, duke njohur dëshpërimin e dashurisë që përfundon. Para se ta qëllojë, Rimbaud tregon se Verlaine i tha se “kjo është për ty meqë po ikën!”.

Të gjithë qetësohen kur shohin gjakun. Të tre shkojnë në spital. I sapo kuruar, Rimbaud mendon të largohet nga Brukseli për në Paris. Verlaine, që e ka marrë armën me vete, e kërcënon në mes të rrugës. Rimbaud kërkon ndihmën e një polici që i arreston të gjithë.

Verlaine dënohet me dy vite burg në Mons. Pas hekurave Verlain do të shkruajë 32 poema. Verlain dhe Rimbaud do të takohen shumë pak një herë të fundit pas lirimit të të parit, në shkurt 1875, në Shtutgart ku Rimbaud do t’i dorëzojë mikut të tij dorëshkrimin e “illuminations”.

Ska komente

Keni një mendim

Adresa juaj e email nuk do të publikohet.