KreuBusull

Check-in me personazhet e njohur shqiptarë

| nga Andri Xhahu

Thuhet se historitë më të bukura janë shkruar në fletët e një pasaporte. Në fakt, çdo vulë rrëfen një ngjarje, një kujtim… Për këto kujtime, që lidhen me rrugët e një qyteti, me një pjatë të shijshme, me një muze apo dhe me njeriun që i ka shoqëruar, kemi bërë bashkë disa personazhe të njohur që ndajnë me ne preferencën e tyre për vendet që nuk lodhen kurrë së vizituari.

Anjeza Shahini

Edhe pse këngëtarja Anjeza Shahini jeton në Londër, duket se preferencat e saj janë për të vizituar vendet pranë Shqipërisë. “Italia është një ndër vendet ku unë kam shijuar vetëm momente të bukura të jetës dhe kam kujtime që më bëjnë të rikthehem çdo herë. Klima mesdhetare dhe natyra ekspresive e njerëzve më bëjnë të ndihem sikur jam edhe në Shqipëri edhe në Evropën perëndimore.” Po çfarë e tërheq më shumë Anjezën nga ky vend që e frymëzon? “Jo vetëm pastat dhe pizza-t, por arkitektura, muzika, kultura italiane në përgjithësi më inspiron. Nuk besoj do ishte njëjtë nëse do të jetoja aty, pasi besoj që shkëlqimi i një qyteti bie kur familjarizohesh me problemet apo rutinën e tij, por përfundimisht e dua Italinë si vizitore.”

Herion Mustafaraj

Nëse flasim për udhëtimet, aktori Herion Mustafaraj pranon se është një udhëtar emigrues. “Kur një vend më pëlqen, jetoj aty dhe nuk mjaftohem thjesht me një vizitë”. Mustafaraj duket se ka rënë në dashuri me Shqipërinë dhe prej dy vitesh jeton këtu për të rifituar kohën e humbur dhe mungesën 25 vjeçare. Por Herioni e ka një vend të preferuar, gjithsesi. Është Kalifornia, aty ku ka jetuar për shumë vite dhe që e njeh mjaft mirë. “Më pëlqen koha e ngrohtë, dielli, oqeani, natyra e këtij shteti të mrekullueshëm ku nga malet me dëborë, zbret në plazhet e ngrohta e të mbushura me jetë turistike, vreshtat e shumta në veri të saj, magjia e pyjeve me pemët gjigante Red Oak, plazhet e pafunda në San Diego, shtëpitë e mrekullueshme nëpër maja shkëmbinjsh që shohin mbi pafundësinë oqeanike, ushqimi i larmishëm dhe mbi të gjitha lirshmëria dhe thjeshtësia e njerëzve që mund të jenë mjaft të famshëm e të pasur por që Kaliforninë e quajnë shtëpinë e tyre dhe e mbrojnë duke i ruajtur pasuritë natyrore të këtij vendi përrallor.”

Denata Toçe

Psikologia Denata Toçe, jo vetëm që është mjaft e dhënë pas udhëtimeve por ato i lidh me njerëzit më të dashur që jetojnë në ato vende. Një prej tyre është Vjena. “Më pëlqen Vjena si vend i Mozart-it, kompozitorit tim të preferuar por edhe sepse aty jeton im vëlla.” Në mesin e vendeve të preferuara të Denatës është edhe Parisi. “Më pëlqen Parisi pasi një pjesë të lidhjes me tim shoq e kam konsumuar atje.” Përveç qytetit romantik, një vend që i ka lënë shumë mbresa është qyteti i Firences. “E kam vizituar mjaft herë dhe sërish dua të kthehem. Është vend që mban dhe përcjell shumë kulturë. Duke patur dhe një pasion të madh për pikturën dhe skulpturën, atje gjenden muzetë dhe veprat më të preferuara të mia.” Përveç se pëlqen Toskanën në përgjithësi, psikologia Toçe ka të preferuar edhe Kroacinë, një nga vendet që ka vizituar më shumë.

Blendi Salaj

Ka një qytet që gazetari Blendi Salaj e do shumë, tek i cili kthehet herë pas here. “Në Amerikë ndodhet edhe Las Vegas-i, nga i cili kam kujtime shkretëtire, po ashtu edhe New York-u me dritat pa fund, të cilin e kam vizituar dhjetra e dhjetra herë, apo Boston-i, shtëpia ime larg shtëpisë… por unë dua t’ju tregoj për një qytet të vogël, në Florida, që quhet Saint Augustine.” Bëhet fjalë për qytetin buzë detit, pranë një fortese të pabesueshme ndërtuar nga spanjollët, me rrugët e rrugicat më të bukura, plot lule kacavjerrëse, studio piktorësh e gjithfarë baresh e restorantesh. “Dimri është si ‘Pranvera në Shën Agustin’, ndaj mund të vizitohet kurdo.” Saint Augustin-i është qyteti i parë i themeluar në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Dhe unë sa herë kam mundësi, ndalem në Saint Augustine për një gotë verë siç duhet, pirë jashtë, me miq.”

Jon Tarifa

Vitet e fundit, këngëtarit Jon Tarifa, i cili jeton në Holandë, i është dhënë mundësia që të udhëtojë në shumë shtete jashtë Evropës, si në Tajlandë, Sri Lanka, ishujt Maldive, Kurasao, Malajzi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por vendi i tij i preferuar është Indonezia, kjo edhe për një arsye madhore. “Vendi im i preferuar është dhe do të mbetet Bali, në Indonezi. Bali është vendi ku unë jam fejuar dhe do të mbetet gjithmonë në zemrën dhe shpirtin tim. Bashkëshortja ime, Kimberly Tarifa, është me origjinë indoneziane.” Joni, deri para se të njihej me vajzën që do të bëhej edhe shoqëruesja e jetës, nuk e kishte menduar ndonjëherë që do të shkonte kaq shpesh në këtë vend të largët si ky. “Bali ka një jetë shumë të këndshme, histori shumë të pasur dhe kulturë të veçantë, ushqim fantastik dhe një natyrë të pabesuesheme. Është ngrohtë gjatë gjithë vitit dhe njerëzit janë të dashur dhe shumë mirënjohës.” Vizitave të shpeshta të Jonit në Bali do t’i shtohet edhe një tjetër pasi ka zgjedhur që festat e fundvitit t’i kalojë në kontinentin tjetër.

Blerta Gaçe

Jeta dhe karriera e saj është e ndërtuar mes New York-ut dhe Tiranës. Pavarësisht kësaj, këngëtarja Blerta Gaçe është mjaft e lidhur me Vlorën, qytetin e saj të lindjes. Por kur vjen puna te vendet që ka vizituar për të pushuar zgjedhja e saj është Italia, e konkretisht malet Dolomite. “U mendova dhe malet Dolomite më erdhën në mendje menjëherë. Më ka lënë shumë mbresa veriu i Italisë. Sa më lart të ngjitesh, aq më bukur është.” Blerta nuk harron të përmendë edhe liqenin Misurina, me peizazhin e mrekullueshëm që ofron. “Nëse do të shkoja sërish në Itali, do të kërkoja të vizitoja këtë vend përsëri.”

Alaudin Hamiti

Për producentin dhe gazetarin Alaudin Hamiti, një nga vendet e preferuara është Los Angeles pasi gjen të përbashkëta me vendlindjen e tij. “Los Angeles më kujton Prishtinën, jo nga bukuria por nga shpirti dhe atmosfera që krijon ky vend.” Alaudini tregon se gjatë gjithë kohës ky vend të lë përshtypjen se gjithçka lëviz ngadalë por në fakt është krejt e kundërta. “Njerëzit sado që duken sipërfaqësorë, thellë kanë histori interesante, jane unikë dhe plot jetë, kanë mirësi dhe janë të shoqërueshëm.” Moderatori Hamiti vë theksin edhe te stili i jetës së Los Angeles-it. “Lifestyle i këtij vendi është diçka që të bën të ndjehesh i lirë, entuziast dhe një vend perfekt për të pasur karrierë dhe diell gjatë gjithë vitit.”

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF