KreuArt

Ekskluzive/Foto e rrallë e Rajmonda Bulkut

Rajmonda Bulku dhe kambanat e para të demokracisë

Dita e sotme ka një rëndësi të veçantë për sa i përket lirisë dhe demokracisë në vendin tonë. 8 dhjetori shënon 26-vjetorin e vendosjes  së pluralizmit në Shqipëri,  dhe prej 7 vitesh festohet si festë kombëtare. Një mënyrë kjo për të përkujtuar studentët dhe të rinjtë e vitit 1990. Më 8 dhjetor të atij viti, nisën protestat e para që do të sillnin demokracinë në vendin tonë, të cilat do të pasoheshin nga të tjera të një rëndësie të madhe për të vendosur pluralizmin dhe për të pasur një Shqipëri si gjithë Evropa.

 

Mes të rinjve që kanë kërkuar ngritjen e sistemit të vlerave të perëndimore dhe të shtetit të së drejtës si dhe integrimin në Evropë ka qenë edhe aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku. Një fotografi historike nga Ilia Terpini, që dëshmon kontributin e Rajmondës në vendimmarrjen e atyre ditëve që ajo vetë i konsideron si heroike dhe që do të çonin në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. Ishte ndër të paktat femra që u bënë pjesë e protestës atë ditë ku frika dhe kaosi ziente kudo, për më tepër edhe si nënë e re me dy fëmijë të vegjël, por për të sakrifica e atyre të rinjve peshonte shumë ndaj edhe vendosi të rrezikonte. 20 shkurt 1991, një ditë historike si dhe një foto që dëshmon kurajën e aktores. Edhe për të kjo foto ka qenë një surprizë nga Ilia Terpini, i cili e ka fiksuar këtë çast teksa Bulku ishte në ballkon duke u bërë thirrje njerëzve, për t’ia dhuruar aktores 20 vite më vonë. Të gjitha këto, ikona e kinematografisë shqiptare i rrëfen në një intervistë ekskluzive që mund ta lexoni të plotë në revistën “BORDO”….

Në vitin 1991 keni qenë edhe pjesë e protestave. Gjithçka e nisët në mbështetje të studentëve. Ndërsa, në 20 shkurt 1991 dolët në podium dhe bëtë një thirrje, e cila përfundoi me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës. A ju kujtohen fjalët që keni thënë atë ditë?

Nuk e mohoj se në jetën time, ditët kur akoma në fuqi ishte një pushtet tjetër, kanë qenë ditë, që në mënyrë personale mund t’i quaj edhe heroike. Nuk ishte e lehtë, frika ishte kudo! Unë në orët e para të çdo dite mblidhja firma nëpër Tiranë. Ne kemi qenë pas kuintave. Ndërsa, shkoja çdo ditë dhe në Qytetin Studenti, ku zhvilloheshin grevat. Në ish- Kinostudio kjo situatë ziente prej kohësh. Në oborrin e ish-Kinostudios kishte pasur presekucione, rrahje dhe arrestime, të shumë kineastëve. Në Tiranë vlonin, por nuk kishin çfarë të bënin. Unë punoja në teatër në vitin 1991. Ne artistët kemi qenë zërat e parë. Me shoqërinë kemi folur pa frikë. Ka qenë dita e fundit dhe ne donim, që të kontribuonim. Donim që të shkonim në Presidencë apo në RTSH të publikonim një telegram në mbështetje të studentëve. Ne gratë artiste ishim shumë që e dëshironim këtë gjë. Kur shkova në Qytetin Studenti ata thanë: “Shyqyr që na erdhi një femër! Çfarëdo që të thuash do të na i thuash ti”. Unë isha nënë e re me dy fëmijë të vegjël. Por, jeta personale nuk peshonte përballë asaj sakrifice, që po bënin ata djem dhe vajza të rinj. Kujtoj se me shumë kurajë kam dalë në ballkon dhe jam tmerruar, sepse menduam se po vinte policia që të na hiqte qendrën e zërit. Fjalët që kam thënë kanë qenë: ‘Gra dhe motra, në emër të fëmijëve tanë dhe të të rinjve që janë në grevën e urisë, të shkojmë drejt Presidencës!’ Kur e kam përsëritur sërish fjalinë kam thënë: Drejt presidencës, jo drejt bustit të Enver Hoxhës. Në këtë thirrje lëvizën të gjithë, burrat dhe gratë. Unë kisha bërë me dëshirë diçka, por pa e menduar që mund të kishte këto pasoja. Këtë moment e ka fiksuar në fotografi Ilia Terpini, i cili ka qenë në ballkon. Fotografinë ma ka sjellë pas 20 vjetësh. Ishte surprizë, sepse është foto që kam nga ata muaj, që rrinim dhe zienim brenda vetes. Prandaj, në jetën time kam ditë të lumtura, padyshim dhe ditë shumë të dhimbshme dhe tragjike, por atë moment unë e quaj heroik. Kur u ktheva në Qytetin Studenti; njerëzit dhe të moshuarit pa pushim më puthnin duart, duke më thënë: Ti e bëre këtë! Nuk do t’i harroj kurrë.

A ndikoi kjo ngjarje, që ju më vonë të përfshiheshit në politikë? Si ndikoi zgjedhja juaj në fushën e artit?

Në atë kohë nuk kisha ndërmend që të përfshihesha në politikë. Unë vazhdova punën time. Kisha dëshirë që e djathta të fuqizohej. Edhe shumë kohë më vonë mendova të bëhesha pjesë e saj. Në vitet 2004-2009 u bënë disa lëvizje të mëdha, si rruga e Kukësit, anëtarësimi në Nato etj,. prandaj mendova se dhe një katërvjeçar tjetër do t’i bënte shumë mirë fushës së artit. Por, kur hyn atje brenda ke dëshirën për të bërë gjëra të mëdha, por nuk ke një vendimmarrje! Mund të japësh ndihmesa të vogla, që mund të jenë efikase, por vëmendja e politikës ndaj artit është e fundit. Nga jashtë të duket se kultura ka prioritet, por kur je brenda e sheh se duhet që të bashkohesh me shumë zëra të fuqishëm, ndryshe e vetme nuk bën dot asgjë. Zërat e fuqishëm janë të përqendruar tek ekonomia, marrëdhëniet me jashtë etj. Ti ke prioritetin tënd, por kjo vëmendje nuk shkon në fushën tënde! Dëshira është, por tek ne mendohet ende që mos të mos ketë fare Ministri Kulture (kjo është thënë në vitet 2000). Nuk mund të them se hyra dhe pata mundësi që të investoja në fushën e artit, por më tepër u ndesha në kundërshti politike!

                                                                                                /BORDO/ Anila Dedaj

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF