KreuStil Jetese

Teksti i Rozana Radit, himn për dhunën apo për gruan?

Shoqëria shqiptare, ende sot pre e mentalitetit dhe traditave që vendosin në qendër të vendimmarrjes figurën mashkullore, e ka të pranishme dhunën ndaj gruas pothuajse kudo në një nga format e saj. Ajo që është më evidente është dhuna fizike, që jo rrallëherë degradon edhe në vrasje. Një mentalitet që lipset të ndryshojë, që individi shqiptar të kuptojë dhe të respektojë lirinë e tjetrit qoftë ky edhe familjar, bashkëshorte apo fëmijë. Por një ndryshim i tillë duhet të nisë nga vetë gruaja. Të shumtë janë faktorët që duhet të kontribuojnë për të nxitur femrën të kërkojë pavarësinë e saj, fillimisht të mendimit, ndër ta rol parësor luan edhe arti, veçanërisht kur ai transmetohet nëpërmjet ekranit duke shkuar tek një masë më e gjerë. Këngët, sidomos ato me tekste të drejtpërdrejta që shkojnë tek dëgjuesi pa pasur nevojën e një “përkthyesi”, kanë ndikimin e tyre tek pjesa e shoqërisë që ndoshta është më “e dobët”. Për të gjitha këto po diskutohet rreth këngës fituese të spektaklit “Kënga magjike 2016”. Një këngë, teksti i së cilës na përshkruan një grua të nënshtruar,  e cila është pre e dhunës por pa reflektuar asnjë kundërshti apo revoltë konkrete për t’i thënë “Mjaft!” një situate si kjo. Një femër, një grua, një nënë që i lutet bashkëshortit të saj ‘të mos i bërtasë’, ‘të mos e keqtrajtojë’ në sy të fëmijës. Madje  ajo përpos këtyre akteve të dënueshme shkon më tej duke pohuar se “unë vdes çdo ditë pa e jetuar, se u çmenda për ty”. Një këngë që nxit lehtësisht imagjinatën edhe instinktivisht të bën të përfytyrosh një fëmijë që mbyll veshët për të mos dëgjuar ulërimat e atit të tij. Por cila është zgjidhja, mesazhi që përçon ky tekst? Me siguri që në një vend të huaj, një nënë e tillë që i shpreh dashurinë “dhunuesit” do t’i sugjerohej ndihmë psikologjike, bashkëshorti do të dënohej ligjërisht dhe fëmija do të merrej në mbrojtje dhe në kujdestari, por këtu jemi në Shqipëri, ku një grua e përvuajtur,konsiderohet një grua e mirë. Një grua kokulur, mund të jetë bashkëshorte e denjë, një nënë që qan pa reaguar që fëmija i saj të mos jetë i dhunuar psikologjikisht apo akoma më keq fizikisht mund të jetë një nënë e dhimbsur.

Ndërkohë që menjëherë të vijnë në mend të gjitha viktimat më të fundit të dhunës dhe “çmendurisë” mashkullore, dhe thua ndoshta kështu ka lindur historia e tyre, fundi i tyre…

Ma thuaj ti

Mjaft, mos më bërtit të lutem 
Nuk jam fajtore nëse ti s’më do 
Mbyllma derën, asnjëherë nuk futem 
Në sy të vajzës keq mos më trajto 
Netëve dëgjoj kur ti asaj i thua 
Se unë nuk jam, nuk jam për ty 
E unë vdes çdo ditë pa e jetuar 
Se u çmenda për ty 

Ma thuaj ti sa vlen tani kjo jetë për mua 
Thuaja ti fëmijës tonë që nuk ju dua 
Thuaja ti sa shumë unë ty të kam duruar 
Thuaja ti 
Ta them unë ty ku e gjej forcën për t’u çuar 
Ta them unë ty kush është motiv për të jetuar 
Ma thuaj ti pse një baba është i munguar 
Ma thuaj ti 

Mjaft, mos bërtit të lutem 
Nuk jam fajtore nëse ti s’më do 
Mbyllma derën, jo nuk futem 
Në sy të vajzës keq mos më trajto 
Sa e varfër zemra jote 
Tani mbaroi, asgjë nuk vret 
Të ndjek vetëm hija jote 
Ta them në sy 
Do di t’ia dal dhe vetë 

Ma thuaj ti sa vlen tani kjo jetë për mua 
Thuaja ti fëmijës tonë që nuk ju dua 
Thuaja ti sa shumë unë ty të kam duruar 
Thuaja ti 
Ta them unë ty ku e gjej forcën për t’u çuar 
Ta them unë ty kush është motiv për të jetuar 
Ma thuaj ti pse një baba është i munguar 
Ma thuaj ti 

Të ishe ti 
Në vendin tim njëherë 
Të dije si ish dhimbja 
Kur jetën tënde unë sillja në jetë 
Të ishe ti 
Por ti nuk ishe asnjëherë 
Të fala i mallkuar 
Por vetëm këtë herë 

Ma thuaj ti sa vlen tani kjo jetë për mua 
Thuaja ti fëmijës tonë që nuk ju dua 
Thuaja ti sa shumë unë ty të kam duruar 
Thuaja ti 
Ta them unë ty ku e gjej forcën për t’u çuar 
Ta them unë ty kush është motiv për të jetuar 
Ma thuaj ti pse një baba është i munguar 
Ma thuaj ti 

Ma thuaj ti

                                                                                           /BORDO/ Anila Dedaj

 

Tags:

Home bordo

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF