Arben Bajo, Pak oksigjen për skulpturën!

Në takimin tonë të parë me Arben Bajon është qartazi e dukshme se ai është skulptor figurativ, por me këndvështrim bashkëkohor, ndaj dimensioni i krijimtarisë së tij është paksa i privilegjuar. I privilegjuar teksa në morinë e vepra të skulptorëve modernë has krijime, para metaforave të të cilave ose qëndron për t’i zbërthyer, ose i kalon shkarazi. Kjo nuk ndodh me skulpturat e Arben Bajos; ato duken thuajse të gjalla. Sikur duan të hyjnë me çdo kusht në jetët tona. Nudot të joshin me shikimet e tyre, fëmijët të buzëqeshin për të lodruar me ta, ndërsa kuajt të ftojnë në aventura të pafundme. Krijimet e Bajos ngjan sikur kanë nevojë vetëm për frymë për të jetuar mes nesh. Kjo është arsyeja që ato kanë nevojë për pak oksigjen, ashtu si krijimet e çdo skulptori tjetër në Shqipëri, realizimi i tyre kalon përmes një procesi që kërkon intensitet fizik, intelektual dhe shpirtëror. Kur thua oksigjen, jo domosdoshmërish nënkuptojmë atë që thithim përditë, pasi një lloj oksigjeni është tregu për krijuesit, të cilëve u mungon. “Prodhimtaria e krijuesve vendas, shpesh gjendet para rrezikut të mos promovimit në tregun e brendshëm, dhe akoma më tepër në atë të jashtëm. Përtej kësaj, sot skulptura edhe pse teknologjia e re e ka bërë më të lehtë punën, mbetet gjithsesi një zhanër me të vërtetë i vështirë me kosto të larta materialesh”, – thekson Bajo.

Si artist në kontakt të vazhdueshëm me veprat e artit, cila është ndjesia që ju përshkon në krijimtarinë tuaj të përditshme?

Në fakt, flitet për një proces nëpërmjet të cilit kalojnë të gjithë krijuesit. Përballja e përditshme me veten tënde përbën një sfidë emocionesh dhe botëkuptimesh, aq sa dhe “rutina” gjen gjithnjë interesanten në rrugën e vet. Kjo shoqërohet pashmangshmërisht nga bisedat me kolegë dhe miq, apo edhe nga kontakti me zhvillimet artistike të botës së artit.

Për juve si skulptor, sa e vështirë është rruga e krijimit apo materializimi i procesit krijues?

Ky është një proces shumë i gjatë, që nuk mund të përshkruhet me dy fjalë, sepse për të krijuar një vepër, tek artisti ndërthuret eksperienca e shumë viteve me impulset e fundit që ai ndërmerr nga përditshmëria. Bashkë me të, tek artisti “flenë” edhe gjithë ato imazhe nga historia e madhe e artit botëror, të cilat shërbejnë në mënyrë krahasimore për materializmin e çdo vepre.

Skulptura është një art i mundimshëm dhe i kushtueshëm. Në këtë këndvështrim, sa ofron realiteti shqiptar sot për ju?

Erdhëm dhe më në fund tek pjesa që duhet të ankohemi pak. Është e vërtetë që skulptura është një zhanër mjaft i vështirë, e kjo është e vërtetë jo vetëm në ditët që jetojmë. Kjo, pasi realizimi i saj kalon në një proces me disa faza që kërkon intensitet fizik, intelektual dhe shpirtëror. Thuhet që dikur Mikelanxhelo teksa punonte Davidin, për tre muaj nuk i hoqi këpucët nga këmbët dhe kur i hoqi ato, i hoqi me gjithë lëkurë. Kjo për të ilustruar sadopak përhumbjen e artistit në marrëdhënie me veprën. Sidoqoftë sot, duke pasur parasysh realitetin shqiptar, ky profesion ofrohet si tejet i vështirë. Kjo, sepse duke qenë një vend i varfër dhe për shumë kohë i izoluar, vetë realiteti dikton vështirësi të mëdha të menaxhimit, promovimit dhe ruajtjes së vlerave të këtij profesioni. Po ndalem shkurtimisht tek e para, Menaxhimi, p.sh., i cili është një element mjaft i rëndësishëm për promovimin e krijimtarisë së çdo artisti. Mungesa e tij, si element domethënës, tregon në fakt mungesën e një sistemi të vërtetë artistik në vend. Prodhimtaria e madhe e krijuesve vendas shpesh gjendet para rrezikut real të mos promovimit si në tregun e brendshëm, dhe akoma më tepër në atë të jashtëm. Këtu mungesa e vëmendjes shtetërore dhe nepotizmi politik mendoj se është domethënëse. Përveç kësaj, s’duhet harruar dhe përballja institucionale me trashëgiminë kulturore të afërme. Po marr si shembull dy nga skulptorët e rëndësishëm të artit vendas, Paskalin e Paçon, të cilëve nuk u janë ruajtur punët dhe studiot e tyre, që shumë mirë mund të ishin ofruar si hapësira ku mund të lexohej nga brezat e ardhshëm multiformiteti i tyre profesional. Kjo detyrë nuk mund t’i delegohet familjarëve, por shteti duhet të kishte një vëmendje më të madhe ndaj asaj që konsiderohet trashëgimi e vonë kulturore. Përtej kësaj, sot skulptura, edhe pse teknologjia e re e ka bërë më të lehtë punën, mbetet gjithsesi një zhanër me të vërtetë i vështirë me kosto të larta materialesh.

Vitet e fundit keni hapur disa ekspozita, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa  vitin që lamë pas erdhët me një ekspozitën ‘Skulpturë’, një kërkim interesant ku përfshihen disa cikle nga punimet tuaja. Ç’mund të na flisni më gjatë për këtë eksperiencë?

Në fakt, për hir të së vërtetës, kjo ekspozitë, solli për publikun një përballje të ndryshme, pasi në të përfshiheshin disa cikle njëherësh në të njëjtën hapësirë. Në ekspozitat që kam hapur në dhjetëvjeçarin e fundit kryesisht kam propozuar ekspozita tematike, siç ishte “Mite dhe portrete” dhe “Lost time” në GKA, apo ajo me portrete në Galerinë FAB, ndërsa në këtë eksperiencë të fundme përfshiva disa cikle në të njëjtën hapësirë. Nën kurimin e artistit dhe mikut Ardian Kapo, këto cikle (nudot, raftet, kafshët, dhe natyrat e qeta), u propozuan si krijimtaria ime e viteve të fundit, çka dëshmon dhe tematikat apo interesin tim për plastikën figurative dhe se si hulumtohet mbi të në subjekte të ndryshme. Pas saj, në muajin nëntor u angazhova në një ekspozitë jashtë vendit, në qytetin e Hagës, në Holandë, një eksperience interesante ku u paraqita me 18 skulptura në bronz nga krijimtaria ime ndër vite. Ishte në këndvështrimin tim një retrospektivë e vogël, e cila iu ofrua publikut të atjeshëm, nën kujdesin e ambasadës shqiptare me rastin e festave të nëntorit, me qëllimin e promovimit të artit shqiptar atje. Rezultoi një eksperiencë mjaft interesante, e cila e vendos produktin tim artistik nën vëzhgimin e një publiku të ndryshëm, çka provokon debate e këndvështrime të reja, mjaft të rëndësishme për diskursin tim estetik. Gjej rastin të falënderoj stafin e ambasadës dhe veçanërisht Xhuljeta Kekon, që u angazhua maksimalisht me organizimin e këtij eventi.

A mund t’ju përkufizojmë juve si një skulptor figurativ?

Është e vërtetë, skulptura ime mbetet kryesisht figurative, pasi dhe formimi im akademik ishte i tillë, por këndvështrimi im mendoj se është bashkëkohor.

Si ndiheni në këtë realitet, kur skulptura figurative është e pakët?

Ndihem i privilegjuar, në fakt. Si gjithmonë gjërat e pakta janë dhe më të mirat. Por kjo që thoni ju është një opinion i përgjithshëm, pasi në skenën botërore të artit figurativ ka me mijëra e mijëra skulptorë realistë. Madje, disa prej tyre gëzojnë një reputacion të padiskutueshëm, kjo pasi në fakt nuk flitet për realizëm të mirëfilltë, por për një përqasje realiste ndaj subjektit. Bëhet fjalë për një përqasje tejet bashkëkohore, me mjete të ndryshme, aspak të dalë nga koha e që për më tepër ngre dhe përballet me të njëjtat pikëpyetje si çdo artist që zgjedh në formë tjetër prezantimin e  metaforës së tij personale.

Tirana tashmë jeton si metropol, ku mungon jo pak vepra e artit. Cili është mendimi juaj mbi këtë fenomen? Çfarë mund të bëhet më shumë?

Në fakt, në kryeqytetin tonë janë të pakta hapësirat publike. Fatkeqësisht ato erdhën duke u zvogëluar në dekadat e fundit. Patjetër që ato duhet të shtoheshin në raport të drejtë me shtimin e popullsisë, ashtu si do ishte mirë të shtoheshin dhe veprat e artit publik, e bashkë me to dhe një perceptim i ri estetik i publikut  mbi realitetin urban. E pas kësaj vjen e ligjshme të kërkohet dhe një galeri e qytetit, një kërkesë e ripërsëritur kaq shpesh nga komuniteti artistik në realitetin tiranas. Ajo që artistët kërkojnë, padyshim që duket paradoksale për shumë të tjerë të cilët ngrenë pikëpyetje të shumta mbi vështirësitë e shtresave në nevojë, por theksoj që paralelisht me to çdokush nga ne ka nevojë për hapësira të gjelbra, aq sa ka nevojë për ajër të pastër e bashkë me to dhe për vepra arti, të cilat nuk bëjnë asgjë më tepër se promovojnë shpirtin estetik të kohës që jetojmë.

Dikur student i Akademisë së Arteve, e sot pedagog. Mund të na ofroni një opinion krahasimor mbi diferencat e këtyre brezave?

Sigurisht, çdo kohë përmban problematikat e veta. Në kohën kur studioja unë kërkesa ishte e orientuar drejt një prakticiteti, bazuar në orë të shumta pune, për shkak të kërkesave të estetikës së kohës, ndërsa njohja jonë mbi historinë e artit arrinte deri tek fillimi i shekullit XX-të. Për më tepër dhe mbyllja e vendit diktonte një diskutim të mbyllur e rajonal, çka dëmtonte seriozisht zhvillimin e dialogut të secilit krijues me kolegë të realiteteve të tjera. Sot gjërat janë më të hapura dhe informacioni është shumë më i madh, ndërsa interesi i studentëve është më i vogël, edhe pse mundësitë e tyre për të vizituar apo për të studiuar nga afër kryeveprat e artit botëror janë shumë të realizueshme. Padyshim që brezat e rinj duhet të jenë shumë më kërkues ndaj vetvetes dhe të zotë për të tejkaluar vështirësitë që realiteti imponon.

Si janë marrëdhëniet tuaja me artet e tjera, si muzika, letërsia, teatri?

Një artist nuk mund të jetë kurrë indiferent nga zhanret e tjera të artit. Në fëmijërinë time kam studiuar muzikë, një eksperiencë që më ndihmoi të rafinoj shijet e mija artistike, e përveç kësaj, për fat u rrita edhe në një familje ku librat ishin pjesë e përditshmërisë sonë. Por mendoj që çdo krijues ka nevojë për këto zhanre artistike për të ndërtuar botën e tij larg nga retorika dhe zhurma e politikës së ditës.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *