Tradita e familjes së bashkuar

Nga Eglantina Nikollaj

Tradita e bashkimit të familjes dhe e të afërmve në ditët e festave, na jep gjithnjë kënaqësi të vecantë. Percon tek gjithesecili prej nesh ndjesinë e forcimit të marrëdhënieve dhe njëherazi na motivon për të mbajtur gjallë rrënjët e familjes së madhe. Për shkak të obligimeve të shumëfishta familjare apo edhe profesionale, në ditët e sotme rastet e mbledhjes rreth një tavoline të të gjithëve ne, po rrallohen gjithnjë e më shumë. Emigracioni është një ndër shkaqet e largimit të brezave nga njëri tjetri. Kushërinjtë e parë, rezidentë ndoshta edhe në kontinente të ndryshme, po komunikojnë gjithnjë e më pak mes tyre.

Gjyshërit e prindërit tanë janë ata që po përpiqen të ofrojnë sa të jetë e mundur fëmijët, nipërit e kushërinjtë me njëri-tjetrin, me qëllimin e mirë të ruajtes së unitetit me ndjesinë e familjes së fisme. Festat e fundvitit janë një konfirmim i kësaj përpjekjeje, ku ftesat për tu bashkuar rreth së njejtës tryezë janë më se të zakonshme.

Tradita e bashkimit të familjes së madhe dhe e kushërinjve te afërt, na motivon në muajt e fundit të vitit për të menduar surpriza e dhurata që do të gëzonin te dashurit tanë. Për të rinjtë e fëmijët, festat e Krishtlindjes dhe Vitit te Ri, mbartin gëzim dhe emocion të vecantë. Gatimet tradicionale, bisedat e këndshme me njëri-tjetrin, takimet me kushërinjtë, gëzimi që iu lexohet në sy prindërve e gjyshërve do të tu japin tek ta ndjesi pozitive dhe motivim për ta nisur mbarë vitin që vjen.

Tek fëmijët, tavolinat e mëdha me prindërit, tezet, hallat e dajat që kishin kohë pa i takuar, do të injektojë përgjegjësinë e respektit për të afërmin, vlerësimin e familjes së madhe dhe ruajtjen gjallë të traditave të familjes. Në të ardhmen ata do të bëhen kryefamiljarë dhe “zotimi” se kjo traditë do të vazhdojë, mbetet një obligim në heshtje në ndërgjegjen e tyre.

Ndarja e përgjegjësive

Për të shijuar sa më shumë ditët e festave dhe mbrëmjen finale të Krishtlinndes apo të Vitit të Ri, nuk duhet të harrojmë ndarjen e punëve. Do të ishte rraskapitëse sikur të merrej me të gjitha vetëm zonja e shtëpisë. Edhe fëmijët duhet të përfshihen në organizimin e festave. Ata i pëlqejnë festat dhe do të lumturoheshin shumë sikur të ndiheshin pjesë e detyrave të dhëna. Psh., një kontribut që do ti përfshinte ata në emocione pozitive mund të jetë dekorimi i pemës së Krishtlindjes. Fëmijët kanë nevojë të marrin përgjegjësi nga më të rriturit dhe të bëhen sadopak pjesë e organizimeve. Idetë e reja që do të ballafaqojnë me gjyshërit apo kushërinjtë e mbledhur për të festuar,do ti afrojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe krijojnë mundësinë e forcimit të marrëdhënies afektive tek të miturit.

Reflektim, dhurata, nostalgji

Ditët e festave me familjen të bashkuar do të na shërbejnë për të reflektuar dhe ballafaquar me njëri tjetrin arritjet e vitit. Cfarë mësuam, cfarë fituam dhe cmund do të kishim bërë më mirë. Kjo vlen edhe për fëmijët. Ata mund të lihen të lirë për të treguar atë cka i ka lënë më shumë mbresë, por edhe pengjet dhe dëshirat që pret ti realizojë. Fëmija do të motivohet më shumë nëse arritjet do të shpërblehen me dhuratën që pëlqen. Sado modeste të jetë, shkëmbimi i dhuratave mbetet një rit i vecantë që gëzon gjithësecilin prej nesh. Tek e fundit ky është edhe qëllimi: Të kalojmë festa të gëzuara me njëri-tjetrin. Para na pret një vit tjetër i mundimtë. Kushedi… nëse vitin e ardhshëm do të gjendet mundësia për të qenë sërish të gjithë bashkë… Ndaj gëzojuni këtyre ditë festash duke qëndruar sa më gjatë me njëri-tjetrin dhe ndarë emocione pozitive!

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *