Merita Rexha Tërshana: “Të rinjtë shqiptarë, kanë nevojë të edukohen me art” 0 288

Pianistja, Merita Rexha Tërshana, rrëfen për turet koncertore brenda dhe jashtë vendit. Në të ardhmen ka dëshirë që të punojë më tepër me interpretimin e veprave shqiptare

Merita Rexha Tërshana i kujton fare mirë takimet e para me artin. Përpos zgjedhjes së saj për t’u bërë pianiste, qysh fëmijë duhet të shihte koncerte recitale dhe opera. Ajo rrëfen se operën “Traviata” e ka parë, për herë të parë, në klasë të parë. Teksa na tregon se si këto angazhime artistike gjatë fëmijërisë kanë ndikuar në formimin e saj artistik të mëvonshëm, shpreh keqardhje për të rinjtë shqiptarë sot, të cilët arrijnë moshën 20-vjeçare pa parë asnjë koncert me muzikë klasike apo opera. Edhe pse numëron shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit, artistja mendon se repertori për piano është i pafundmë, aq sa as jeta e një pianisti nuk del për t’i luajtur të gjitha veprat. Por, teksa rendit një listë shumë të gjatë me veprat që dëshiron të luajë, e ndien të nevojshme se duhet të investojë më shumë në interpretimin e veprave shqiptare. Kjo për të është mënyra më e mirë që të lërë gjurmë në kulturën tonë. Ajo mendon se artistët në Shqipëri duhet të vlerësohen edhe më tepër për artin që bëjnë, jo nga ana materiale, por duke investuar në sallat ku ata realizojnë koncerte.

Zonja Rexha, gjatë kësaj periudhe keni realizuar disa koncerte jashtë vendit, si Tokio, Verona, Prishtinë etj., si ndiheni?

Është e vërtetë që jam duke përjetuar emocione të mëdha. Nga Tokio u riktheva me mbresa të jashtëzakonshme, jo vetëm sepse Japonia është një nga vendet më të bukura që kam parë, por edhe nga organizimi që kishte bërë Ambasada Shqiptare për këtë koncert. Kam pasur përvoja jo shumë të mira, për mënyrën se si ambasadat shqiptare mbështesin artistët shqiptarë. Para disa vitesh takova ambasadorin e vendit dhe i thashë: “Nesër kam koncertin”. Ai m’u përgjigj: “Nesër duhet të shkoj në koncertin e një pianisti rus”. Kësaj here gjithçka ishte ndryshe. Por, jam e emocionuar edhe nga mënyra se si pritën muzikën shqiptare të Tonin Arapit, duke më kërkuar dhe partiturat. Me Dorina Selimaj luajtëm arie nga opera e parë shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës. Ky është një lloj detyrimi që ne duhet të bëjmë për muzikën shqiptare. Mendoj se askush nuk mund ta ngrejë dhe ta zbardhë fytyrën e Shqipërisë më mirë sesa arti! Këtë e tregon edhe fakti që kur sopranoja shqiptare Ermonela Jaho fitoi çmimin e publikut në “International Opera Awards” e gjithë bota nisi të fliste për Shqipërinë. Ndërsa në koncertin në Verona u prezantova së bashku me violinisten Abigiela Voshtina me “Sonatën e Krojcerit”. Ishte një koncert shumë i mirë. Pas tij vazhdova në Prishtinë për të mbyllur Festivalin ReMusica 2016 me koncertin e pestë të Bethoveen-it.

Si kanë ndikuar këto arritje artistike në zgjedhjen tuaj të fëmijërisë për të qenë pianiste. A të bindin edhe më tepër për zgjedhjen që ke bërë?

Ndihem me shumë fat për këtë zgjedhje. Kënaqësia që marr pas koncerteve ma shpërblen punën që kam bërë më parë. Së fundmi kam qenë shumë e angazhuar dhe vazhdoj të jem edhe për koncertet e mëvonshme, por mendoj se në momentin që punon për të dhënë maksimumin në skenë, nuk ka rëndësi ku ndodh koncerti, por besimi që i jep publikut, i cili do të vijë të të dëgjojë sërisht. Suksesin që kam arritur e shikoj si rezultat të punës serioze, duke mos anashkaluar asgjë.

Një nga problemet për artistet është ekuilibri mes jetës artistike dhe detyrimeve familjare. Sa e ndjeni ju këtë vështirësi?

Natyrisht që është sfidë të mbash ekuilibrin midis egoizmit apo punës që bën dhe asaj çka presin familjarët nga ti. Unë jam nëna e tre fëmijëve. Secili do kohën e vet, qoftë edhe për të folur pa marrë parasysh angazhimet. Tashmë janë rritur, por vajzat janë adoleshente dhe prania e prindit është e domosdoshme. Jam përpjekur që t’i marr gjithmonë me vete në koncertet që bëj, në mënyrë që të kalojmë sa më shumë kohë bashkë. Është një ekuilibër shumë i brishtë dhe ndonjëherë ndiej një lloj faji. Shpresoj që ata ta kuptojnë se kjo është një gjë për të cilën ja vlen të sakrifikoj në këtë moment të jetës.

I keni numëruar ndonjëherë koncertet?

Jo (qesh). Kjo është një ide shumë e mirë, sepse kohët e fundit janë bërë shumë të shpeshta.

Por, gjatë këtyre eksperiencave duhet të keni kaluar momente të lumtura dhe të vështira…

Momente të vështira ka gjatë koncerteve solo dhe me orkestër. Për shembull, në koncertin e pestë të Bethoveen-int bashkë me Orkestrën e RTSh-së kam kaluar momente tensioni, pavarësisht se kur përfundoi koncerti kënaqësia ishte e madhe. Mendoj se aq sa më pëlqen të luaj me orkestër, aq sfidë e madhe është.

Por, janë edhe 22 vjet si pedagoge. Tashmë shumë nga ata janë bërë edhe kolegë tuajt…

Sensin e fajit që ndiej për fëmijët, gjatë kësaj periudhe e ndiej edhe për studentët. Kur jam në Tiranë shkoj paradite dhe pasdite në shkollë për të bërë mësim. Vitet e fundit kam pasur studentë shumë të mirë dhe kjo më bën të ndihem edhe më tepër përgjegjëse për të ardhmen e tyre. Nëse ata dalin mirë e shikoj si sukses, sepse fati i tyre në këto pesë vjet është i lidhur me mua. Do të veçoja disa prej tyre: Ardita Bufaj, e cila është pianiste në TKOB, Veisla Muçaj dhe Ali Nerjaku, të cilët janë mësues në Lice dhe Lirika Pulën, e cila është një ndër pianistet më të mira në Kosovë.

Sa optimistë ndihen ata për rrugën që kanë nisur?

Shqipëria është një vend i vogël ku arti nuk vlerësohet aq sa duhet. Unë mendoj se kultura shqiptare meriton më tepër, duke filluar nga sallat e koncerteve. Salla e Akademisë dhe Operës janë në atë nivel të papërshtashëm, jo vetëm për artin, por dhe për Tiranën si kryeqytet. Këtu duhet të nisë investimi. Natyrisht që hapësirat janë të vogla, por jam e sigurt që sallat do të ndryshonin çdo gjë, sepse njeriu nuk shkon në koncert vetëm për të dëgjuar muzikë, sepse këtë e bën dhe nga Youtube-i, por shkon dhe për të shijuar një orë të një ngjarjeje kulturore. Edhe unë si muzikante nuk shkoj vetëm për të dëgjuar muzikë në La Scala, por edhe për të shijuar.

Tashmë keni një piano të re në Universitetin e Arteve…

Ishte një thirrje ndërgjegjësimi mes kolegëve për artin e mirë. E them me krenari se kësaj thirrje për pianon ju përgjigjën ajo pjesë qytetarie, që nuk bërtet, por që ka ndjeshmëri ndaj gjërave që ndodhin në këtë vend.

Po në rrethe, përveç Festivalit të  Muzikës së Dhomës në Durrës, çfarë ndodh përsa i përket muzikës klasike?

Në Durrës gjatë verës kam dy koncerte. Ohri është një qytet shumë më i vogël se sa janë qytetet e Shqipërisë, por arrin që të mbledhë turistë nëpërmjet koncerteve të muzikës klasike. Kjo që bëhet në Ohër, nuk ka përse të mos bëhet në Vlorë, Dhërmi, Sarandë, në të gjitha qendrat turistike që janë plot në verë. Por, për fat të keq jeta artistike në Shqipëri ofron shumë pak për turistët që duan të ndriçojnë shpirtin. Ohri është shembull që duhet marr parasysh.

Çfarë humbasin brezat që vijnë?

Për fat të keq vitet që ikin nuk kthehen më pas. Rinia jonë po merr pak nga kultura evropiane dhe po edukohet me shembuj të këqij, të cilët lindin nga suksesi i shpejtë dhe i dyshimtë, në të gjitha fushat. Edhe unë si prind jam e preokupuar, që fëmijët e mi shohin shembuj jo të drejtë.

Dikur ka pasur programe për edukimin me art. Ju kujtohen koncertet që frekuentonit gjatë fëmijërisë?

Natyrisht. Kam qenë te Shkolla e Përmetit dhe qysh fëmijë duhet të shihnim edhe opera. Operën “Traviata” e kam parë që në klasë të parë. Jo të gjithë fëmijët që i shkojnë i pëlqejnë koncertet, por kjo formë u jep rastin që t’i shohin ato. Është e turpshme dhe e papranueshme që një i ri, 20 vjeç, në Shqipëri nuk ka qenë ndonjëherë në një sallë koncerti apo në opera. Duhet bërë shumë më tepër për shkollimin e fëmijëve. Unë shikoj se fëmijët mësojnë gjëra që nuk do t’ju duhen fare në jetë, mësojnë faqe të tëra përmendësh nga libra që nuk i mbushin, por vetëm i mërzisin. Kjo është e ardhmja e Shqipërisë dhe nëse ne i edukojmë keq, atëherë do përgatisim një brez të paedukuar, që do të ketë fatin e vendit në dorë.

Çfarë doni të arrini ende në karrierën tuaj si pianiste?

Ajo që më vjen në mendje është se repertori i pianos është i pafundmë. Nuk mjafton jeta e një pianisti për të luajtur të gjitha veprat. Unë kam një listë shumë të gjatë me vepra që dua të luaj, por ndiej se duhet të investoj më shumë në interpretimin e veprave shqiptare. Veprat e Ludwig van Bethoveen-it, Johann Sebastian Bach-it, Johannes Brams-it etj., i luajnë qindra pianistë nëpër botë, ndërsa partiturat shqiptare luhen vetëm nga ne. Prandaj mendoj se kjo është mënyra më e mirë që ne të lëmë gjurmë të mira në kulturën shqiptare, duke e përhapur atë dhe nëpër botë.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *