Fundjavë në Divjakë

Udhëtim në zemër të Myzeqesë në pyllin halor të Divjakës, një drekë me pjata vendase, peshk dhe gaforre blu, pa harruar Pelikanin Kaçurrel dhe reliket e mbetura të breshkës Caretta Caretta.

Olsi Kolami

Rrugës së sapoasfaltuar, në një korridor palmash nuk sheh këmbë njeriu. Është fundjavë, por vizitorë sheh rrallë. Veç 16 kilometra e ndajnë Divjakën nga rruga nacionale, gjithsesi numri i vizitorëve është i vakët. Divjaka është e mrekullueshme jo vetëm në Pranverë dhe Vere. Nga shtëpitë buzë rrugës nxjerrin kokat degëza vjollcë pemësh të sapoçelura. E gjelbra shfaqet ngado çdo ditë të vitit falë klimës Mesdhetare.

Pllaja, kodrina e fusha me sera të qelqta e plasmasi shfaqen sa zbret tatëpjetën e kodrëstë fshatit Çermë. Majtas, një fushë eksperimentale kërpudhash, në kahun tjetër një familje fermerësh nxjerrin ndanë kanalit karrotat e sapovjela ngjyrë portokalli. Hyjmë nën hijen halore të pyllit. Hap pjesërisht xhamin e makinës dhe ndjej sesi flegrat përkëdhelen nga aroma e pishës përzier me jodin e detitqë vijnë me flladin e stinës. Një pyll magjepsës. Ka mbetur njësoj nga kujtimet e mia prej fëmije, veçse tek-tuk ndonjë pemë ‘e ngrënë’ nga motet, krijon hapësira boshe prej nga duket kaltërsia e qiellit. Prejsëlargu, në fushat e çelura nga bimësia,duken kurrizet e buallicave që pllaquriten në baltë dhe pellgje që shkëlqejnë si pasqyra. Tutje-tej, zbardhin kokat e mbuluara me shaminë e bardhë të grave myzeqare. Papritur, krijohet një iluzion optik me fushat e Myzeqesë që puqen njësh me horizontin…!

Është kohë dreke. Nuk është fort e vështirë të zgjedhësh restorantin e duhur mes dhjetra syresh vendosur nën hijen e pishave. Lokali i Lani Rrudhos spikat prej së largu nga makinat e parkuara çrregullt. Çdo gjë për rreth është e mbuluar nga e gjelbra e pishave. Hyrja e restorantit është një gjysmëharku purtekash të thurrura që vijojnë si korridor i blertë dhe kafenjtë, krijuar me vazo-trungje pemësh, të cilat të orientojnë drejt tendës.

Lani shfaqet para. Buzëqesh. Përzemërsisht të uron mirëseardhjen. Tok dorën fort, teksa tregon udhën. Është një restorant modest, sa do të doje të rrish jashtë, por oxhaku flakë e prush, është një atraksion joshës para të cilit dorëzohemi.

Para se të porosisim, Filipi, një miku im i huaj, nuk e fsheh dëshirën, se do për drekë mish qengji në saç. I zoti i lokalin bën me dorë nga kuzhina. “Ka pak që gruaja nxori mishin nga saçi. Kaloj nëpër një udhesë të ngushtë ku takoj disa gra: njëra po gatuan një kek aromëmirë, ndërsa tjetra pastron peshkun mbi tepsi. Në kuzhinë, një nga ato tipiket me vatër prej nga nxjerr gjuhët zjarri, Mira, e zonja e shtëpisë, fshin duart me përparëse për të na dhënë dorën. Shamia e bardhë mbi kokë është simbol i nikoqirllëkut. ‘Mishi i qengjit’-tregon Mira, ndërsa i shoqi ngre me mund saçin. Kjo masë metalike-enë gatimi, përvëlon si diell prej së largu. Përmbi, shkëndija prushi fshehur në hi flejnë aty që nga mëngjesi, për të pjekur butësisht mishin, peshkun, e madje dhe ëmbëlsirat tipike të Divjakës.

Pronari i restorantit na sugjeron verën vendase në broke, nuk harron të sjellë djathin, e një gotë raki për mikun e huaj, që mezi po priste të provonte pijen e burrave shqiptarë.

Një djalosh shtatvogël na hap oreksin duke na vendosur para një listë me emra peshqish e speciesh detare, aq sa nuk di se çfarë të zgjedhësh më parë. E lëmë zgjedhjen në dorë të zotit të shtëpisë. Burdullaku është peshku që kapin kryesisht vendasit, na tregon Lani, ndërsa në tavë kaltërojnë gaforret blu, tipike të ujrave të Adriatikut. “Këto janë tonat. Na i sjellin peshkatarët të freskëta. Edhe levrekun, gjuhëzën”-tregon me krenari Lani.

E shijuam drekën qetësisht, duke u qasur sa më pranë zjarrit të oxhakut. Kamarieri nuk e bën dysh dëshirën tonë për të pjekur ca kokrra patatesh në prush, ndërsa sjell në pjatë dhe kekun me mollë.

Rrezet e diellit kanë filluar të zbehen, por nuk mund të rrimë pa shijuar detin. Mbi ca trungje, mahnitem nga forma dhe madhësia e zhguallit të dy breshkave Caretta Caretta. Ajo është mbretëresha e Adriatikut, një specie e rrallë, thuajse është zhdukur, duke lënë pas gjurmët e ekzistencës së saj përmes këtyre zhgualleve, si për të treguar se dikur ajo ka jetuar aty, duke sfiduar vendasit se mbretëria e tyre e zaptuar sot nga njerëzit, dikur i takonte atyre. Të vjen keq kur mendon se Divjaka, vendi ku dikur breshka stacionohej çdo vit për të vendosur vezët në rërën e kafenjtë, tashmë thuajse nuk shfaqet më në ato anë, duke zhdukur bashkë me motet disa nga vlerat e kësaj krahine.

Vetëm pak metra më tutje, në këmbët e të fundmeve pisha, shfaqet deti. Mbi rërë derdhen leshterikë përzier me boçe pishe. Një varkë ka mbaruar misionin e ditës, atë të peshkimit dhe dremit nën përkëdheljet e valëve. Përtej, dëgjohen hingëllima kuajsh, një pjesë e të cilëve ende jetojnë në gjendje të egër duke u endur dunave me rërë. Trokthi i tyre thuajse i heshtur ndal në vijën e ujit të Lagunës së Karavastasë, e më pas dynden vrapthi, si të fundit indigjenë të mbetur, për t’i shpëtuar syve të vizitorëve. Ata janë nga të paktat pasuri që kanë mbetur aty, pasi i shpëtuan tufëzimit, duke mbetur sërish të egra.

Në Lagunën e Karavastasë, mes baltës e kallamishteve, pllaquritjeve përzier me rrahjen e krahëve, nuk ka sesi të mungojë mbreti i specieve të Divjakës: Pelikani Kaçurrel. Është nga të paktët zogj të rrallë mbetur ende aty, në vendin ku ka mbretëruar prej shekujsh, një simbol, i cili po zbehet vit pas viti. Pelikani është një specie e cila mbrohet me ligj. Zhdukja e tyre është kthyer prej vitesh në një shqetësim madhor, ndaj ata zgjatin sqepat drejt qiellit pa lëvizur nga një grumbull shkarpash ku kanë ngritur folenë. Zogu autokton i Divjakës është i vetmi që nuk shtegëton si gjithë të tjerët. Peshon plot 16 kilogramë dhe është i vetmi në llojin e vet në Mesdhe që lind, shumohet, jeton e vdes në Lagunë. Mbreti i bardhë me njolla të përhirta klith fort. Një formë proteste për të treguar se ende nuk është dorëzuar. ‘Lufta’ shekullore mes pelikanit dhe njerëzve është bërë e fortë dekadat e fundit, një luftë për territore dhe gjah. Ashtu si divjakasit, pelikani ushqehet me peshq, por ndryshe nga instikti i lindur i shpendit, konkurenca e njerëzve është e pamëshirshme, duke ndikuar në zhdukjen e florës dhe faunës, që janë habitati ku jeton ky shpend gjigand, krenar, i bukur, autokton.

Ikim nga laguna duke dëgjuar rrahjen e krahëve të mbretit të lagunës, një mirëupafshim, a lamtumire ndoshta, edhe pse shpresa për ta rigjetur është e vakët. Tabela në dalje të pyllit ‘Ndal gjuetisë’ të jep shpresë se divjakasit do të kujdesen për ruatjen e të vetmit thesar mbetur në lagunë.

Pishat sa vijnë e zvogëlohen në horizont, dielli zhytet ngadalë në det, pasqyrat e serave shndrijnë tek-tuk nga përthyerja e rrezeve mbi to. Pas kodrës së parë, shfaqen neonet e rrugës nacionale, Divjaka mbeti pas…!

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *