Robert Ndrenika feston sot 75-vjetorin e lindjes

Mjeshtri i madh i teatrit dhe kinematografisë shqiptare feston sot vitin e 75 të jetës.  Robert Ndrenika i ka dhënë kaq shumë teatrit dhe filmit shqiptar sa nuk do ta falenderojmë dot kurrë mjaftueshëm. Modest, aq sa të bën ta adhurosh akoma më shumë, ai rrallë shumë rrallë jep intervista për mediat. “Kam besuar gjithnjë që një aktor popullor e përmbush komunikimin e tij me publikun më së miri nëpërmjet shfaqjes në skenën e teatrit dhe në ekranet e kinemasë dhe televizionit. Shfaqjet e shumta të tjera në median vizive dhe atë të shkruar, sinqerisht më janë dukur të tepërta”, i është përgjigjur aktori pyetjes se pse del aq rrallë në media. Shqipëria është një vend i vogël, për të përballuar talentin e madh të Ndrenikës. Me siguri çdokush prej nesh mendon, se nëse ai do të kishte fatin të kishte lindur në Amerikë, me siguri dhe me bindje do të ishte krah të mëdhenjve të Hollywood-it.

Robert Ndrenika ka lindur më 10 janar të vitit 1942.



Robert Ndrenika cilësohet si një ndër aktorët më të mëdhenj të historisë së kinemasë shqiptare.

Në vitet 1960-1964 studioi për aktrim në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Pas mbarimit të shkollës, deri më 1970, punoi si aktor në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 luajti në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve, i quajtur ndryshe Teatri i të Rinjve, dhe me pas në Teatrin Kombëtar, deri në vitin 2001, kur doli në pension.

Robert Ndrenika ka dy vajza.

Robert Ndrenika ka pasur një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, që e shoqëronte gjithmonë në prova.

Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër. Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe u rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ka kryer detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar në vitet 1993-1994.

 Për shumë vite Robert Ndrenika ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Akademinë e Arteve.

Ka interpretuar mbi 30 filma, midis të cilëve mund të përmendim “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Bolero” e shumë të tjerë. .

Në vitin 1979, Ndrenika u nderua me çmimin “Artist i Merituar”

Në vitin 1988 aktori i madh merr titulli “Artist i Popullit”.

Në vitin 2012 dekorohet nga presidenti Bamir Topi me Urdhrin “Nderi i Kombit“, me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, artistit të madh e të dashur për publikun, i cili i ka dhëne dhe i jep teatrit dhe kinemasë shqiptare vlera të papërsëritshme me rolet që realizoi me mjeshtëri, origjinalitet dhe me frymë thellësisht kombëtare, duke dhënë njëherazi një kontribut të qenësishëm në shkollën shqiptare të aktrimit”.

 Është nderuar me Kupën për Aktorin më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”, ndërkohë që ka marrë edhe dhjetëra çmime të tjera në Shqipëri.

 

 

 

 

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *