Lirohet Ramush Haradinaj, reagimi i politikanëve dhe bashkëshortes

 

Gjykata franceze vendosi lirimin me kusht të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili u arrestua më 4 janar të këtij viti. Menjëherë pas lirimit të tij, kanë reaguar edhe politikanët shqiptarë.

Kryeministri i vendit , Edi Rama është shprehur kështu: “Mirëukthefsh në Prishtinë i dashur Ramush. Mbyllet episodi absurd, por beteja për fshirjen e listës së urdhër-arresteve të vjetra vazhdon. Momenti po ashtu, për të vlerësuar përpjekjet politike dhe diplomatike të autoriteteve në Tiranë e në Prishtinë, si edhe për të falënderuar çdo qytetar kudo ku i dha zë përpjekjes së përbashkët kundër një padrejtësie spektakolare (Dhe e përsëris, duhet të vijojmë të përpiqemi të gjithë bashkë, që të mos përsëritet më një i tillë absurditet!) Respekt për institucionet e drejtësisë franceze, që bënë drejtësi; një shembull më shumë për të çmuar vlerën jetike të drejtësisë së drejtë!”

Reagim në mbështetje të Haradinajt ka patur edhe nga ana e Blushit.  “Isha i bindur që Ramush Haradinaj do lirohej dhe është çështje kohe dhe pastrimi i të shkuarës së tij nga akuza të gjykuara dhe të paprovuara. Kosova, Shqipëria dhe Bashkësia Ndërkombëtare janë me Ramushin, por tani i takon dhe atij të administrojë statusin e tij prej martiri për të shmangur krizat e brendshme në Kosovë dhe më gjërë. Cilësia më e lartë e heronjve është maturia!”, ka shkruar në Facebook, Ben Blushi.

“Jam i gëzuar që drejtësia franceze ka marrë një vendim që lehtëson padrejtësinë ndaj Ramush Haradinaj. Uroj që drejtesia e plotë të bëhet sa më parë dhe Ramushi të lihet sa më shpejt i lirë për t’u kthyer në Kosovë. Urdhër-arrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por janë njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë së Kosovës dhe integritetit të saj politik.  Ka vetëm një garanci që kjo padrejtësi ndaj Kosovës të mos përsëritet më: të detyrohet Serbia të anullojë urdhër arrestet për luftëtarët e Kosovës. Kjo është detyra kryesore e qeverisë tonë: trysnia ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera për të ushtruar trysni mbi Serbinë”, ka shkruar lideri i Pardtisë Demokratike, Lulëzim Basha përpara se të merrej vendimi i lirimit me kusht të Haradinaj.

Ndërkaq, një deklaratë të fortë ka bërë edhe bashkëshortja e Ramush Hardinaj. Në statusin e saj ka kritika të forta ndaj Kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës.

“Një Kryeministër me 72 dosje që e mbajnë peng, e një president tugjarë që ka shku mu marrë me shit-blerje biletash për inaugurim të Presidentit Amerikan me siguri s’kanë pas kohë ende me komentu vendimin e Gjykatës per Ramushin!!! Koha do të flasë për ju!!!! Ramush, duart t’i lidhin, por forcën dhe vullnetin për ta bërë Kosovën shtet kuptimplotë, s’mundet me ta lidh askush!!! S’kanë mujt as atëherë e as tash e as nesër!”, shkruan Anita Haradinaj.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *