Suela Bako: Eksperienca unike e filmit të parë horror shqiptar 0 519

Nada Biraçi

Shumë shpejt në projektorin e kinemasë, për herë të parë në historinë e kinematografisë shqiptare, do të shfaqet filmi i parë horror shqiptar. Regjisori Australian, me kërshërinë që i zgjoi Kanuni i Lekë Dukagjinit, erdhi në Shqipëri me idenë për të realizuar filmin horror “Bloodlands”, me temë dhe aktorë shqiptarë. Aktorja kryesore, Suela Bako vjen në një rrëfim për BORDO, ku përshkruan këtë eksperiencë unike në karrierën e saj. Suela, aktorja që nuk ka parë kurrë një film horror nga fillimi në fund, kësaj here vjen si aktorja kryesore e filmit të frikshëm.

Bloodlands , është filmi i parë shqiptar i zhanerit horror. Si u ndjetë ju në këtë film?  

Të them të drejtën, nuk e kisha menduar ndonjëherë që do bëja pjesë në një film të tillë, për faktin e thjeshtë, që unë nuk jam fare e mirë, si një shikuese horrori. Unë hidhem pupthi në kinema, nga çdo e papritur e një filmi normal, imagjino një horror. Nuk kam çuar asnjëherë një film  horror deri në fund…dhe pikërisht unë u desh të luaj rolin tim të parë të plotë, në horrorin  e parë shqiptar. Jam ndjerë shkëlqyer! Regjisori Steven Kastrissios, ma ka bërë këtë eksperiencë një nga më të bukurat në jetën time profesionale.

Ju keni rolin kryesor në këtë film. Si u përzgjidhët për të qenë pjesë  e kastit?

Unë luaj Shpresën, gruan dhe mamanë, në familjen që vihet në shenjestrën e shtrigës dhe njerëzve që ajo ka mbledhur rreth vetes. Jam përzgjedhur me audicion, pas një njoftimi në facebook, dhe një lajmërimi prej Tan Kazazit, (njërit prej bashkëproducentëve dhe njëkohësisht regjisor kastingu). Audicionin e kam kryer në prani të regjisorit dhe partner mbështetës kam patur Dritan Arbanën, (producentin tjetër në film, dhe njërin nga aktorët e filmit gjithashtu). Audicioni, falë Zotit shkoi mire, dhe unë mora si përgjigje atë që kisha ndjerë përgjatë audicionit nga reagimi i Stivenit. Unë isha përzgjedhur…

Regjisori i filmit Steven Kastrissios është Autralian. E keni pyetur ndonjëherë, pse donte ta realizonte në Shqipëri këtë film dhe pse me aktorë shqiptarë?

Regjisori në sytë  e mi është treguar gjeni në nuhatjen dhe ndjesinë e tij për të krijuar një lidhje mes gjakmarrjes dhe zhanrit horror. Stiveni i impresionuar nga fakti i egzistencës së kanunit të Lekë Dukagjinit dhe funksionimi ende i tij në një pjesë të shoqërisë shqiptare, (duke u njohur me këtë fakt prej Tan Arbanës), niset në aventurën e tij filmike, pikërisht në vendin që e frymëzoi, në Shqipëri, dhe si mund të bëhej më mirë se sa me aktorë të këtyre trojeve!?

Ishte e vështirë për ju kjo eksperiencë e parë në këtë zhaner?

Kur mora skenarin dhe filllova punën me rolin, ne mendje me vinin gjithfarë lloj teorish, se si mund të ishte të luaje një horror, duke u nisur nga klishetë, por procesi ishte tepër profesional dhe unë kuptova shumë shpejt se nuk kisha për të interpretuar asgjë të çuditshme, përvecse të jetoja hallin e Shpresës e të hyja në lëkurën e saj, në mënyrën që unë dija më mirë dhe nën orientimin e Stivenit. Linja ime, është tejet realiste, dhe kjo për mua ishte dhe çelësi se si unë duhet të hyja brenda personazhit.

A mund të dimë diçka më shumë rreth temës së filmit, apo rreth ngjarjeve që zhvillohen?

Filmi sillet rreth historisë së një familje të vënë në shenjestrën e një gruaje e cila prej stigmatizimit që i është bërë në rininë e saj, nga një shtatzëni e paligjshme, shndërrohet në shtrigë ( Ilire Celaj) dhe vihet përballë të gjithë njerëzve që kanë pasur lidhje me këtë ngjarje, duke kërkuar  ndihmën e mbështetjen  e të gjithë të pakënaqurve që njeh. Historia futet ne qerthullin  e gjakmarrjes,  sapo kjo grua dhe banda e saj rrëmbejnë Skënderin (Gezim Rudi)…Nëna (Shpresa) dhe fëmijët e saj (Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj) vihen në kërkim të babait, duke kaluar shumë peripeci që do të zbërthejnë dhe konfliktin  e filmit.

Me datë 25 Shkurt ju keni premierën botërore në Skoci. Çfarë pritshmërie keni?

Po, 25 Shkurti po bëhet befas një datë shumë e rëndësishme për mua. Mezi po pres të shoh filmin. Filmi është një proces tejet delikat, ti asnjëherë nuk e di deri në fund se si do të jetë ai…uroj të kemi bërë një punë të mirë.

Po për publikun shqiptar, kur do të jetë e mundur për t’u  parë Bloodlands?

Filmi mendohet të vijë për publikun shqiptar rreth muajit Maj apo Qershor, pasi të ketë kaluar një sërë premierash në disa prej festivaleve më në zë të zhanrit horror.

Më shuani një kureshtje, pse nuk janë realizuar ndonjëherë filma horror në Shqipëri? Ku qëndron vështirësia sipas jush?

Mendoj se të realizosh një film horror, kërkon një infrastrukturë, të ndërlikuar për të cilën industria e filmit në vendin tonë nuk besoj se është ende gati. P.sh di t’ju them se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të filmit ka kaluar në postproduksion, ku janë realizuar ndërhyrje të efekteve speciale, apo ndërhyrje tejet profesionale në audio, nga një ekip shumë i specializuar dhe me eksperiencë në këtë fushë…dhe kjo është kosto…

Shpeshherë aktorët shprehin pakënaqësi për profesionin e tyre në vendin tonë. A ndodh kjo me ju?

Unë  e dua shumë profesionin tim, jeta e ka sjellë që mos t’i rrijë shumë pranë pikërisht prej mundësive dhe hapësirave të pakta që ofrohen, por unë nuk kam neglizhuar asnjë mundësi që më është ofruar, as ato më të voglat… kështu kam zgjedhur unë ta mbaj zjarrin ndezur, dhe të mbaj larg pakënaqësitë.

Çfarë mendoni se nuk shkon  me filmin në Shqipëri?

Buxhetet, kinemaëe e pakta, publiku ende i pandjeshëm, profesionistët e pakënaqur.

Bashkëshorti juaj Romir Zalla është gjithashtu shumë i njohur për publikun shqiptar. Keni të dy një profesion. Sa ndikoni në zgjedhjet apo punët e njëri-tjetrit? A këshilloheni? Merrni mendime?

Patjeter, Romiri është , për mua shumë më tepër se bashkëshort, është shok, koleg, njeriu me të cilin ndaj çdo grimë në aspektin profesional, dhe e ndjej që po kështu jam unë për të. Askush prej nesh nuk jep zgjidhje për punët e tjetrit, por secili nga ne, ndriçon më së miri, rrugën ku tjetri do të shkelë.

Një anë e mirë në rastin tuaj, është që nuk do të kishte vend për xhelozi nëse ndonjëri prej jush do të realizonte skena të nxehta në një film, apo në një pjesë teatrale.

Besoj qe jo, nuk do të ketë vend për xhelozi.

Ju i keni angazhuar dhe fëmijët në aktrim. Do të donit që ata të vazhdonin rrugën tuaj, edhe pse e pranoni që është e vështirë?

Të them të drejtën nuk do të doja, është një rrugë shumë e vështirë, është një test i vazhdueshëm, lojë nervash, lodhje, sfidë…e cili prind do të donte! Por, në fund secili prej tyre do ta zgjedhë vetë, jam pak e dëshpëruar në këtë pikë, se në familjen tonë flitet vetëm për këtë argument dhe ata(fëmijët) dashje pa dashje marrin nga një dozë çdo ditë.

Si ka qenë roli i nënës në jetën tuaj të përditshme?

Sfidues, por më i rëndësishmi. Në gjithë aktivitetin dhe rutinën time, fëmijët janë sfida më e rëndësishme e jetës. Nëse do ja dal të nxjerr në jetë dy krijesa të shëndosha, dy qytetare të denjë, dy qenie të formuara nga pikëpamja intelektuale dhe shpirtërore, ky do të ishte suksesi im më i madh.

 Roli që s’ju ka ardhur ende, por që ju e prisni me dëshirë, cili do të ishte?

Ah, shumë, pres me shumë dëshirë, shumë, dhe jam gati të përballoj çdo lloj roli. Merak kam që nuk kam mundur të eksploroj më shumë qenien femërore, dhe vitet shkojnë pa të lënë mundësinë e kthimit, dhe realizimit të disa figurave të tilla që shkojnë bashkë me vitet. Gjithsesi ka shumë të tjera për të bërë. Jetojmë në një vend dhe në një kohë që ofron shumë dhe kjo më frymëzon pa fund.

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *