Ja recetat për të bërë të ëmblat gliko 0 615

Një mëngjes ideal nis padyshim me glikonë e ëmbël mbi tryezë. Specialiteti I gjysheve tona, ende mbetet një prej zahireve të preferuara tonat. Ne ju sjellim disa receta të thjeshta, për të përgatitur vetë në shtëpi glikonë e famshme shqiptare. Ndoshta nuk do ju dali aq e shijshme, sa e gjyshes, por ju provojeni një herë!

Gliko Hurme

Përbërësit: 1 kg hurma, 800 gram sheqer, 0,5 gota rum, 1 bustinë vanilje

Përgatitja: Pritini hurmat në copa të vogla, duke i pastruar nga farat. Vendosini në një tenxhere për t’u zier dhe kur të fillojnë të zbuten, shtoni sheqerin duke e përzier për 3 minuta. Lëreni të ziejë derisa të bëhet transparent. Në fund hidhini vaniljen dhe rumin dhe përziejini në mënyrë që të marrë aromën e duhur. Pasi të jetë ftohur, vendoseni në kavanoza të sterilizuar dhe izolojeni mirë më kapak.

Gliko ftoi

Përbërësit: 1 kg ftonj, 1 kg sheqer, gjysmë litri ujë, 1 limon

Përgatitja: Fillimisht pastrojmë ftonjtë dhe i presim në kubikë. I hedhim në një enë me ujë ku kemi shtrydhur limonin, në mënyrë që të ruhet ngjyra natyrale. Më pas vendosini në një tenxhere dhe ziejini në zjarr të ngadaltë duke shtuar sheqerin. I lëmë të ftohen derisa të mpikset dhe më pas i vendosim sërish në zjarr për t’u zier. E heqim nga zjarri dhe pasi të jetë ftohur e vendosim në kavanozë të vegjël hermetikë.

 

Gliko portokalli

Përbërësit: 1 kg portokalle, 1 kg sheqer, lëng limoni, vanilje pluhur.

Përgatitja: Pastroni me një thikë pjesë e sipërme të portokallit dhe më pas vendosini në një tenxhere për t’u zbutur. Kullojeni ujin dhe lërini për 12 orë në ujë të ftohtë. Më pas pritini në feta dhe shtrojini në një tepsi, ku pjesa e lëkurës të qëndrojë sipër. Spërkatini me sheqer dhe lërini për 12 orë. Pas 12 orësh vendosini në tenxhere me ujë ku do të shtoni sheqerin. Përziejini derisa të krijohet një shurup i trashë. Hiqeni nga zjarri dhe lërini të ftohen. Shtoni portokallet dhe lërini të ziejnë duke shtuar lengun e limonit. Në fund i aromatizojmë me vanilje.

 

Gështenja

Përbërësit: 1.5 kg gështenja, 1.5 kg sheqer, I litër ujë. Lëng limoni dhe vanilje

Përgatitja: Qëroni gështenjat dhe vendosini në një tenxhere për të zierë, pa prishur formën. Nxirrini me kujdes nga tenxherja dhe hiqini lëkurën. Në një tenxhere zieni ujin me sheqer për të përgatitur shurupin. E lëmë të ftohet dhe brenda vendosim gështenjat, ku i lëmë aty gjatë gjithë natës për t’u ëmbëlsuar. Të nesërmen ziejini për 5 minuta në zjarr të ngadaltë duke shtuar lëngun e limonit dhe vaniljen. Vendosini sërish gështenjat në shurup për 3 orë, e më pas futini në kavanoza.

 

Gliko mandarine

Përbërësit: 15 mandarina, 1 kg sheqer, 1 litër ujë, 2 shkopinj kanelle, 250 ml vodkë

Përgatitja: Lajmë mirë mandarinat dhe i shpojmë me një kunjë dhëmbësh. I vendosim në një tenxhere me ujë për zierje për 5 minuta dhe i kullojmë. Në një tenxhere tjetër hedhim ujin dhe 1 kg sheqer për të krijuar shurupin. Pas 5 minutash hedhim mandarinat. I ziejmë në temperaturë të ulet për disa minuta dhe pasi i heqim nga zjarri, mandarinat i heqim dhe i vendosim në kavanoz. Shurupit i shtojmë kanellën dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta. Pasi e heqim nga zjarri shtojmë vodkën, duke e përzier me shurupin. Hedhim shurupin në kavanoza dhe i mbyllim hermetikisht. I lëmë në frigorifer për 1 javë

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *