Levina, këngëtarja e Gjermanisë në Eurovision: “Ja çfarë mendoj për Linda Halimin” 0 77

 

E takuam Levinën në Tiranë, pasi pjesë e turneut promovues të këngës së saj në Eurovision është edhe kryeqyteti shqiptar. E veshur thjeshtë, me lëkurën dhe flokët e çelët, sytë e kaltër dhe buzëqeshjen e ëmbël, këngëtarja gjermane na priti, e hapur për t’ju përgjigjur pyetjeve për Bordo.

Përshëndetje Levina, mirë se erdhët në Tiranë.

Përshëndetje. Shumë faleminderit.

Është hera juaj e parë në Shqipëri?

Po, është hera e parë.

Cilat janë përshtypjet e para?

Të jem e sinqertë, nuk kam parë shumë deri tani pasi kam mbërritur dje pasdite vonë. Përshtypje më bënë malet dhe deti që janë kaq pranë, kaq të mahnitshme. Një vend mesdhetar, me shumë gjelbërim, ndërtesa të këndshme, njerëz miqësorë dhe ushqim të shijshëm.

Keni mësuar ndonjë fjalë shqip?

Kam mësuar fjalën “mirëdita” (qesh). Po kështu edhe “faleminderit”. Është gjuhë disi e vështirë.

Ndalemi pak te kënga që ju do të këndoni në Eurovision. Për çfarë flet ajo? 

Kënga ime “Perfect life” tregon se jeta nuk është gjithmonë perfekte. Është normale të bësh gabime, të kesh përvoja të këqija apo situata që nuk shkojnë mirë. Dhe ti nuk duhet të ndikohesh nga këto por të bësh përpara me qëllimet dhe ëndrrat e tua. Në këtë mënyrë mund të krijosh jetën perfekte. Është një këngë pozitive dhe motivuese.

A mund të na tregoni se si do të jetë performanca juaj në skenë?

Nuk mund të tregoj shumë. Do të jetë diçka e thjeshtë por edhe speciale që njerëzit të mund ta mbajnë mend atë. Jam e gëzuar për këtë performancë.

Çfarë do të thotë për ju të prezantoni Gjermaninë në Eurovision?

Është nder për mua që jam zgjedhur për të përfaqësuar Gjermaninë në Festivalin Evropian. Për çdo konkurrent mendoj se është bukur të prezantojë vendin e vet. Eurovisioni për mua do të thotë shumë, për më tepër që motoja e këtij viti “festojmë diversitetin” është kaq e bukur sepse të gjithë festojmë muzikën pa kufij, festojmë kulturat e ndryshme. Dhe unë këtë kërkoj, të jem atje, të takoj njerëz të ndryshëm, këngëtarë nga vende të ndryshme.

Çfarë pritshmërish keni nga kjo pjesëmarrje?

Çdokush dëshiron të arrijë diçka. Pse jo të isha në dhjetëshen më të mirë (qesh). Për mua, më e rëndësishmja është të mbetem e kënaqur nga performanca ime, që të dua ta shoh sërish dhe të jem krenare për atë që kam bërë.

E ke dëgjuar këngën shqiptare në Eurovision? Çfarë mendimi keni për Linditën dhe këngën “World”?

Po, e kam dëgjuar dhe më pëlqen shumë. Mendoj që është një këngë e fuqishme. Më pëlqen zëri i Linditës. Unë e kam takuar atë në Amsterdam. Është një vajzë me trup të vogël por me zë të madh.

Cila është kënga juaj e preferuar e Gjermanisë në Eurovision përgjatë viteve?

Mund të them Lena me këngën “Satellite”. E mbaj mend Eurovision-in e atij viti sepse të gjithe po festonin. Më ka pëlqyer edhe këngëtari që këndoi pas Lenës, Roman Lob me këngën “Standing still”.

Po nga fituesit ndër vite, keni një të preferuar?

Më pëlqejnë shumë ABBA-t me këngën “Waterloo”. Sa herë shoh performancën e tyre aq argëtuese më sjell një gjendje të mirë. Conchita me “Rise like e Phoenix” ishte një këngë shumë e mirë. Në fakt ka shumë këngë të mira.

Çfarë planesh keni pas Eurovision-it?

Varet se si do të shkojnë gjërat. Do të vijoj me muzikën, me albumin që del në fund të këtij muaji dhe shpresoj të shkojë gjithçka mirë. Dua të bëj edhe një tur me këngët e albumit, një dëshirë e imja pas Eurovision-it.

Keni një mesazh për publikun shqiptar?

Faleminderit që mbështesni Eurovision-in sepse pa fansat nuk do të ishte ky eveniment që është. Shumë faleminderit (ndërkohë me duar formon shqiponjën).

Shumë faleminderit dhe fat në Eurovision. 

Shumë faleminderit juve.

 

 

 

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *