Tom Cruise dhe Russell Crowe në Kinema Millennium

Dy histori princeshash, me karaktere diametralisht të kundërta, që ndërthurrin realen dhe imagjinatën.

“Wonder Woman” & “The Mummy” premierat e javës në kinema Millennium

Me aktorët Gal Gadot, Chris Pine, Robin Wright  si dhe protagonistët Tom Cruise, Sofia Boutella dhe Russell Crowe

 Ikona pa kohë e feminizmit popullor vjen në ekranin e kinema Millennium. “Wonder Woman” ose miti i superheroinës që frymëzon kinemanë prej të paktën 70 vitesh fillon projeksionet shqiptare prej datës 8 qershor pasi theu të gjitha rekordet e arkëtimeve dhe me një jehonë të fortë mediatike.

Filmi mban firmën e regjisorit Patty Jenkins, me skenarin e shkruar nga Allan Heinberg bazuar në historinë e Heinberg, Zack Snyder dhe Jason Fuchs. Në rolet kryesore interpretojnë  Gal Gadot në rolin e Dianës, Chris Pine në rolin e agjentit sekret Steve Trevor, Robin Wright  në rolin e Antiopes. Ndërsa  në rolet e dyta janë aktorët Danny Huston, David Thewlis, Connie Nielsen dhe Elena Anaya.

“Wonder Woman”  është bazuar në karakterin e fumeteve komike me të njëjtin titull. Diana, princesha e Amazonave e njohur ndryshe si Diana Prince, apo  Wonder Woman është gruaja e parë që ka shpëtuar botën. Diana është vajza e vetmje e mbretëreshës së Amazonave, Ipolitës. E rritur në një ishull të dhuruar nga Zeusi ajo ëndërron që të bëhet një luftëtare e madhe dhe për këtë stërvitet nga e afërmja e saj Antiope. Por forca e  Dianës, fuqia e saj tejkalojnë çdo femër tjetër. Ditën kur një avion ushtarak bie në det dhe një Diana shpëton nga mbytja majorin Steve Trevor, asgjë dhe askush nuk do ta ndalojë që të niset bashkë me të në frontin e luftës e vendosur për t’i dhënë fund luftës.

Regjisori Patty Jenkins rrëfen se “Zakonisht nuk besoj në këtë ndërthurje midis superheronjve dhe ngjarjeve historike por këtë herë është ndryshe. Ia dolëm që të reflektojmë mbi një dramë siç është lufta duke futur një personazh magjik dhe naiv si Wonder Woman. Ajo që vjen nga një botë tjetër e gjen veten duke bërë pyetje logjike të tipit: si ia bëni që të dini se kujt po i qëlloni nëse nuk mundeni as t’i shikoni”.

Zhvillimi i filmit ka filluar që në vitin 1996 por vetëm dy vjet më parë Jenkins firmosi që të ishte regjisori i këtij filmi.  “Wonder Woman” u shfaq premierë në Shangai 15 maj ndërsa në kinematë amerikane ka filluar të projektohet prej datës 2 qershor. Prej atëherë filmi ka arkëtuar një shumë prej 223 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej 149 milionë dollarë.

Filmi ka marrë edhe pëlqimin e kritikës e cila ka vlerësuar sidomos lojën e dy aktorëve kryesorë, Gal Gadot dhe Chris Pinesi dhe  alkiminë e krijuar midis tyre.  “Wonder Woman” është një histori e bukur superheroine që falë regjisë na tregon shndërrimin e Dianës nga një luftëtare naive në një heroinë frymëzuese”- shkruan kritika.

Legjenda e frikshme e Mumjes rivjen në një version të ri  dhe spektakolar të sagës së njohur, këtë herë që ka joshur kulturat e të gjithë botës vjen  me një çelës gotik dhe aventuresk me një Tom Cruise të rrezikshëm në rolin e një protagonisti heroik.  Projeksionet shqiptare të “The Mummy” fillojnë më 8 qershor një ditë para se filmi të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane.

“The Mummy” është një film aksion aventurë dhe  horror i drejtuar nga regjisoir  Alex Kurtzman dhe i shkruar nga David Koepp, Christopher McQuarrie dhe Dylan Kussman. Kjo është përshtatja e parë e serive të filmit “Dark Universe”. Protagonistë janë aktorët  Tom Cruise, Sofia Boutella, Annabelle Wallis, Jake Johnson, Courtney B. Vance, Marwan Kenzari dhe Russell Crowe.

Një grup arkeologësh dhe ushtarakësh mes të cilëve edhe Nick Morton (Tom Cruise),  gjejnë një varr në thellësi të shkretërirës dhe zgjojnë  padashje krijesën që ishte varrosuar aty, princeshën Ahmanet (Sofia Boutella), jeta e  të cilës ishte  prerë në moshën e rinisë pa të drejtë. Emri që evokon perëndinë egjiptiane të Kaosit, dikur e planifikuar për të qeverisur Egjiptin, por më pas e lënë në mëshirën e forcave demoniake e për pasojë e burgosur diku në thellësi të shkretërirës. E rikthyer në jetë në ditët tona, mumja synon që të  përdorë Morton për të rifituar fuqitë dhe për të lëshuar mallkimin e saj të tmerrshëm mbi të gjithë njerëzimin, një ligësi e rrallë e rritur bashkë me të gjatë gjithë mijërave viteve të burgut. Nga rërat e zbrazëta të Lindjes së Mesme e deri në labirintet e nëndheshme të Londrës,  Mumja  sjell në ekran historinë e plotë, me shumë fantazi të errët, mistere ekzotike  për t’u futur në një univers të ri, atë të monstrave dhe legjendave që gjithmonë kanë ngacmuar imagjinatën kolektive.

Ky është i pari film ku Mumja është interpretuar nga një femër, ndërkohë që filmi shënon edhe të parin bashkëpunim midis dy aktorëve Tom Cruise dhe Russell Crowe.

 Skeda e filmit

Titulli: Wonder Woman

Regjia: Patty Jenkins

Skenari: Allan Heinberg Zack Snyder

Aktorë: Gal Gadot, Chris Pine, Robin Wright

Kohëzgjatja: 141 minuta

Gjinia: Aksion, Aventurë, Fantazi

Sinopsi: Para se të ishte një Wonder Woman ajo ishte Diana, princesha e  Amazonave, luftëtare e stërvitur. Kur një pilot rrezikon të mbytet dhe i tregon për konfliktet në botë,  ajo vendos të lërë shtëpinë, dhe të luftojë për t’i dhënë fund të gjitha luftërave duke zbuluar kështu fuqitë e saj të plota dhe fatin e vërtetë.

Skeda e filmit

Titulli: The Mummy

Regjia: Alex Kurtzman

Skenari: David Koepp, Christopher McQuarrie

Aktorë: Tom Cruise, Sofia Boutella, Annabelle Wallis

Kohëzgjatja: 110 minuta

Gjinia: Aksion, Aventurë, Fantazi

Sinopsi: Një princeshë e lashtë, zgjohet dhe lirohet nga burgu i saj  në shkretëtirë duke sjellë për njerëzimin mallkimin dhe ligësinë e mbledhur në shekuj.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *