KreuArt

INTERVISTË Olta Daku: “E gjithë bota është plot me Shirli Valentina!”

Nga Sara Gurabardhi

 

Është monodrama e parë për aktoren Olta Daku, e cila ka sjellë plot emocione për publikun, në Teatrin Aleksandër Moisiu në Durrës. Vepra dramaturgjike angleze “Shirli Valentina” erdhi e përshtatur në shqip, nën drejtimin e regjisores Driada Dervishi. Në atë çfarë ndryshe u quajt ‘one woman show’, Olta solli në jetë Shirlin, gruan 42 vjeçare në kërkim të lirisë. E ne nuk mund të mos zbulonim më tepër, nga superaktorja e karaktereve, e cila hodhi një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë, duke na zbuluar ekskluzivisht për bordo.al, marrëdhënien me personazhin, dramën angleze e për të vazhduar më tej me një përgjigje prej artisteje, nëse ka apo jo femra si Shirli në Shqipërinë e 2017…

 

Si e prite ofertën për të luajtur në një monodramë?

Ishte propozim më shumë, propozim i ndyrë! Bëj shaka. Lindi gjatë një bisede, e rastisi që të dyja e kishim lexuar dhe na kishte pëlqyer . Dhe kështu, Ada më ftoi ta punonim.

 

Sa ndikoi kjo eksperiencë në karrierën tënde si aktore?

E kuptoj që më ka bërë mirë, shumë mirë! Eksperiencë shumë e bukur dhe shume sfilitëse. Me shumë dilema, kënaqësi, kthim nga e para, pikëpyetje, kuriozitet pa fund. Jam e lumtur kur dal nga një shfaqje, me të gjitha këto ndjesi të mbartura.  O Zot, sa shumë ulje e ngritje, do vdes herët…

 

Zakonisht, aktorët preferojnë të lidhen shumë pas rolit. Cila është marrëdhënia jote me Shirli Valentinën?

Shirli… Personazh i bukur. Më ka sjellë shumë të qeshura dhe trishtim. Më pëlqejnë këto kombinime.

 

Sa e rëndësishme është për ty pjesëmarrja në një dramë angleze?

Mendoj që anglezët kanë gjithçka duhet, për të të përfshire deri në fund me stilin e tyre elegant dhe të pakrahasueshëm me askënd.

 

Cila është këshilla më e mirë, që të ka dhënë regjisorja Dervishi, për këtë shfaqje?

(Me humor) Mos rri vonë. Ka qenë një punë, që vetëm me Adën mund ta bëja. I jam mirënjohëse për këshillat e shumta dhe komoditetin e bukur e të nevojshëm që më krijoi.

 

Mendon se një Shirli Valentina mund të gjendet në Shqipërinë e 2017?

E tërë bota është plot me Shirli Valentina.  Në fund të shfaqjes, mes shumë njerëzve më bën shenjë një zonjë në moshë. I afrohem, më uron dhe më thotë: “Unë jam 74 vjeçe, por dhe unë dua një jetë.” Unë jam Shirli, të gjitha janë Shirli. Dhe një Shirli nuk ndalet kurrë!!!

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF