KreuArt

Homazh për 80-vjetorin e lindjes së regjisorit Viktor Gjika

Ditën e sotme, në ambientet e Ministrisë të Kulturës, u mbajt një përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të lindjes së regjisorit Viktor Gjika. Me iniciativën e vajzës së tij, Ester, organizimi mblodhi disa nga emrat më të njohur të kinematografisë, përfshirë këtu aktorë, kineastë e kompozitorë. Gazetarja e kulturës, Elsa Demo kishte realizuar një dokumentar rreth 30 minuta, ku skenat më të rëndësishme të filmave të Gjikës, alternoheshin me rrëfime nga miqtë e tij kolegë apo bashkëpunëtorë të afërt. Menjëherë pas mbarimit të kësaj përmbledhje filmike, Esteri mbajti një fjalim të shkurtër, gjatë së cilit nuk mund të mos shpaloste krenarinë e dashurinë për të atin. “Ndihem pafund krenare, që [babai] më ka trashëguar një mbiemër kaq të madh, që të bën të prezantohesh me kokën lart kudo.” Në stendën në hyrje të sallës, gjendej një foto e Gjikës me Esterin të përqafuar, e kjo nuk u kalua pa koment nga ana e kësaj të fundit: “Dhe dua të kërkoj ndjesë për egoizmin që tregova, duke përfshirë dhe një foto timen me babain, por do të më falni, pasi ai ishte një moment shumë i vështirë për ne, e nuk mund ta lija jashtë kësaj përmbledhje kujtimesh”. Më pas, Piro Milkani nuk mungoi të shprehte konsideratën e thellë që kishte për kolegun e tij, duke zbuluar se diferenca në moshë mes të dyve ishte vetëm një vit. “Viktori ishte gjithmonë një hap para meje. Ishte një vit më i madh, ishte një vit më lart në shkollë, edhe pse notin e mësuam në të njejtin vit”, e përmbylli me humor fjalinë Milkani, që ndër të tjera rrëfeu një detaj sa personal, aq edhe të rëndësishëm për të gjithë të pranishmit: “Gjika ishte inspirimi im për t’u bërë regjisor. Ai shkoi në Moskë, së bashku me Dhimitër Anagnostin, në një nga shkollat më të mira të kinematografisë në ato kohë…”. Mes shumë kujtimesh, që ngjasonin me ndodhi tipike prej miqsh të ngushtë, Mevlan Shanaj e përmbylli me një fjalim mjaft të shkurtër organizimin, duke e cilësuar Gjikën ndër të tjera, si regjisorin më të mirë shqiptar, e duke treguar mirënjohje të pafundme për kontributin e tij në kinematografinë e vendit tonë. Edhe pse nuk u prononcuan për ndonjë koment në veçanti, disa nga aktorët pjesmarrës në filmat e regjisorit, ishin të pranishëm deri në fund të ceremonisë, ku mund të përmendim emra si të Robert Ndrenikës, Rikard Larjas apo Timo Fllokos. Në galeri do të gjeni disa nga momentet më të bukura gjatë eventit të sotshëm.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF