KreuCelebrity

INTERVISTË/ Gjergj Leka: “Së shpejti do të jepen titujt Mjeshtër Tallava…”

Nga Sara Gurabardhi

Na surprizoi jo pak me publikimin e këngës së tij më të re, e cila të zgjonte kuriozitetin që në titull. “Brez me tollona” ka ngacmuar memorien e një brezi të tërë shqiptarësh, që lindën e u rritën në sistemin komunist, ashtu sikurse ka ngjallur kureshtjen e të gjithë të lindurve në pas ’90. Teksti përshkrues, sa satirik, aq dhe nostalgjik, jo vetëm që ka shërbyer si një formë ç’mallje e autorit me të kaluarën, por paraqitet ndër të tjera si një formë reflektimi e asaj çfarë ishim, e çfarë jemi sot. Në këtë intervistë eksluzive për bordo.al, Gjergj Leka rrëfen marrëdhënien me dy sistemet e jetuara, kutimet më të bukura të rinisë lidhur me kryeqytetin, si dhe shpreh opinionin e tij lidhur me ndarjen e çmimeve “Mjeshtër i Madh”…

Riktheheni pas në kohë me këngën tuaj më të re. Cila është nostalgjia më e madhe që keni nga periudha e para ’90?

Çdo ditë e më shumë jam nostalgjik duke parë kohët që po kalon, në rradhë të parë brezi im. Shrehjes: “shpresa vdes e fundit”, i besova deri më tash, por tani e tutje jo më.

“Brez me tollona”: përse jo “Brez i rradhës së qumështit, bukës, vajgurit…”?

Sepse periudha më e errët ishin tollonat. Dikush përcaktonte sa duhej ushqyer një familje.  Kjo ishte e tmerrshme.  Kishte shumë nga brezi im, që i blinin tollonat njëri-tjetrit (ashtu siç sot shesin votën me njëri-tjetrin)

Kurba e tekstit të këngës, është e njejtë me atë të jetës së shqiptarëve, që lindën e u rritën në kohën e komunizmit, e tashmë po kalojnë gjysmën e dytë të jetës në të ashtuquajturën demokraci. Cili është ndryshimi më i madh që keni pësuar nga ndërrimi i sistemit?

Përveç thinjave, pak bark e leximit të gazetave, asgjë nuk ka ndryshuar. Ah, po…na ndanë vitet e mërgimit nga njeri-tjetri.  Miqësia e dikurshme na mungon vërtetë.

Mendoni se të rinjtë e sotëm, do të ishin të njejtit, nëse do të jetonin në periudhen e para ’90?

Shyqyr që nuk e jetuan atë periudhë të rinjtë tanë.  Edhe ne bëmë gjithçka, që fëmijët tanë të kishin atë që ne nuk e patëm dhe ndoshta i përkëdhelëm më shumë se ç’duhet…Po e vuajmë çdo ditë që kalon gabimin që bëmë…

Në klip shfaqen shumë imazhe të Tiranës në atë kohë. Çfarë mendoni për ato pjesë kryesore të kryeqytetit, të cilat ndërruan plotësisht me rënien e sistemit?

Tirana duhet të ndryshonte dhe ndryshoi. Ndryshimi i madh është bashkëjetesa me njëri-tjetrin…Tirana në këtë aspekt është shkatërruar fare…

Do të dëshironit të ktheheshit pas në kohë, vetëm për një xhiro tek Bulevardi?

Për një xhiro, po (me këpucë të reja), por të kthehem në kohë, kurrë! Ose do të pranoja të kthehesha, vetëm që të rregulloja shumë gabime, të cilat brezi im besonte se po vepronte mirë…Një nga këto gabime është sjellja me fëmijët tanë…

Thonë se dikur parrula ishte “I gjithë populli ushtar”, e tani mesa duket është modernizuar në “I gjithë populli këngëtar”, por siç e keni përmendur edhe vetë, po pësojmë një tjetër shndërrim, në “I gjithë populli mjeshtër”. Sa të mëdhenj janë mjeshtërit tanë, në të vërtetë?

Kjo është një temë që më prek jashtë mase. Shqipëria ka patur e ka MJESHTRA të vërtetë të fjalës, muzikës, arteve figurative etj, por fatkeqësisht titujt që morën (sidomos pas vdekjes) u njëhsuan me tituj të dhënë pa asnje kriter profesional dhe vetëm klientelist.  I humbën vlerën një titulli të madh, pa i menduar aspak pasojat.  Mendoj se tani e tutje, do të japin fletë falenderimi, sepse kjo na mbeti…Mendoj se shumë artistë me vlerë (aq pak sa kanë mbetur), duhet ta refuzojnë një titull të tillë pa asnjë vlerë profesionale e njohëse.

Mendoni se do të shpiket një dekoratë e re, lidhur me nderimin e të tjerë artistëve?

Kam dëgjuar që po mendojnë të shpikin një titull të ri: MJESHTËR TALLAVA…Kështu do të kenë mundësi të japin 100-fishin e atyre që kanë dhënë…

Duke lënë mënjanë censurën dhe ndikimin diktatorial, mendoni se arti i vërtetë bëhej në atë kohë, apo nuk jeni mbështetës i kësaj deklarate të bërë jo pak herë nga muzikantë të ndryshëm?

Nuk besoj që është kështu.  Artin e mirë e bëjnë artistët të çdo kohe qofshin ata. Fatkeqësi e kohës është moskontrolli i niveleve e vlerave nën petkun e “lirisë” së mendimit e veprimit. Censura dhe frika që ne kaluam, nuk i bën mirë as artit, as shpirtit.

Në të vërtetë, kujt ia referoni më së shumti këngën? Brezit të ’60 apo atij të ’90?

Sigurisht brezit tim, nga 1960 deri në 1970. E gjej veten personalisht dhe kjo më mjafton.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF