Blendi Salaj/ Seks për mëngjes!   0 244

 



Versioni kryesor i zhvillimit të seksualitetit njerëzor është teoria Darviniane, e cila na mëson se qysh nga fillimi i historisë burrat përfitonin shërbimet riprodhuese të grave duke u ofruar atyre në këmbim mish, strehë, status, mbrojtje e gjëra të tilla, e se në këmbim të këtyre gratë ofronin për burrat besnikëri, apo të paktën premtimin e besnikërisë. Por sipas psikologut Christopher Ryan, një studiuesi akademik të seksualitet njerëzor, kjo mund të jetë krejtësisht gabim, dhe gjithçka që besonim mbi mënyrën sesi arritëm tek dëshirat seksuale që kemi sot, mund të ketë nevojë për një fshirje dhe rishkrim nga e para. Sipas Ryan-it, kjo lloj marrëdhënieje ekonomiko-seksuale, lindi vetëm pasi njeriu kishte filluar të praktikonte bujqësinë, pra 10,000 vitet e fundit, por para kësaj, paraardhësit tanë e përdornin seksin si një mjet i cili ndihmonte në mbarëvajtjen e marrdhënieve komplekse shoqërore. Ajo që Ryan thotë, është se paraardhësit tanë nuk kishin një partner seksual por disa marrëdhënie paralele. Monogamia si koncept është i vonë dhe zë një përqindje të vogël të kohës që njeriu ka kaluar mbi planet. Për qindra mijëra vjet, paraardhësit tanë kanë jetuar në grupe ku dashuria rridhte e lirë midis shumë personash, njëherësh. Dr. Christopher Ryan PHD, ka shkruar një libër me titullin “Seks në agim” (Sex at Dawn) i cili sjell disa koncepte revolucionare, njëri ndër më të rëndësishmit është: Epshi që ndjejmë dhe tundimet – janë ok. Janë natyrale.

-Nuk po them se paraardhësit tanë bënin dashuri me të panjohurit,- thekson shkencëtari Christopher Ryan, – por po them se ata i donin partnerët e tyre, por nuk kishte marrëdhënie seksuale ekskluzive. Ryan vazhdon duke thënë se ka shumë prej nesh që kanë zgjedhur të jenë monogamë – si prindrit e tij që kanë mbi 53 vjet sëbashku – dhe kjo është diçka e mrekullueshme. Por nëse paraardhësit tanë hanin mish, kjo nuk duhet lexuar si një kritikë ndaj vegjetarianëve të ditëve tona. Në të njëjtën mënyrë, nëse paraardhësit tanë kishin shumë partnerë, kjo nuk duhet të merret si një kritikë ndaj monogamisë që mbizotëron sot.

– Gjithkush mund të zgjedhë të bëhet vegjetarian, por kjo nuk do të thotë se mishi i pjekur nga ai moment e mbrapa nuk do lëshojë më aromë tunduese. – thotë Chris Ryan në njërën nga batutat e tij, të cilën ë përdor si metaforë për të thënë se edhe kur kemi zgjedhur partnerin e jetës, ne si njerëz do të vijojmë të tundohemi nga njerëz të tjerë.

– Prandaj njeriu ka kaq shumë epsh, sepse është në natyrën tonë, të jemi tipa të lëvizshëm, flirtues apo lozonjarë, – shton Ryan. – Është ajo aroma e mishit që na i shpon hundët, sado që betohemi se nuk e duam, sepse jemi bërë vegjetarianë.

Ka disa baza shkencore të mirënjohura të cilat e mbështesin teorinë e Ryanit. Asnjë gjitar tjetër mbi planet nuk ka oreksin tonë seksual, në fakt shumica dërrmuese, gati të gjithë gjitarët, bëjnë seks vetëm gjatë kohës kur femra është në proces ovulimi. Te vetmit gjitarë që bëjnë dashuri edhe kur femra nuk është duke ovuluar janë njerëzit, majmunët dhe delfinët, të cilët, nëse vini re janë specje me struktura shoqërore shumë të forta. Dhe në të treja këto specje seksualiteti është bërë i dobishëm për qëllime sociale, për të ndërtuar besim dhe për të mbajtur lidhje të ngushta dhe intimitet me dikë tjetër. Pra ne e kemi nxjerrë seksualitetin nga forma e tij parësore, riprodhuese dhe e kemi kthyer në një mjet, që disa e përdorin për mirë, e disa të tjerë për keq. Ndaj kur dikush thotë për dikë tjetër se “ai ishte si kafshë në shtrat” e gjithë shprehja është e gabuar, kafshët nuk bëjnë seks aq shumë sa ne, në fakt atyre duhet tu vijë turp nga ne, aq pak sa bëjnë, në ato përiudhuat e caktuara.

Libri i Dr. Ryan-it nuk jep receta mbi si duhet të sillemi seksualisht dhe as rekomandime, por shumë ndër ata që e kanë lexuar i kanë shkruar se kanë ndjerë një sens lehtësimi dhe faljeje për veten, kur kanë kuptuar se tudimet që pashmangshmërisht do t’i hasim në jetë, janë pjesë e natyrës sonë, janë të gdhenduara në ADN-në njerëzore, pasi pesë a gjashtë mijë vjet civilizim nuk mund të fshijnë dhe tjetërsojnë atë që është në natyrën tonë.

– Zgjidhni të bëni jetën tuaj, unë nuk mund t’ju them si të jetoni, – thotë Ryan, – por mos e hani veten me dhëmbë nëse syri ju shkon tek dikush që nuk është partneri juaj, nuk do të thotë se jeni anormalë, përkundrazi, do të thotë se jeni krejtësisht normalë – kjo na ndodh të gjithëve.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *