KreuKuzhine

Lazanjë me patate, për një drekë të shpejtë e shumë të shijshme

Le ta pranojmë: vera nuk është stina më e favorshme për të gatuar. Përveç të të nxehtit, koha e shpenzuar në kuzhinë nuk është gjithmonë zgjedhja e preferuar e femrave. Kështu, pyetja përditshmërisht e ngritur ‘Ç’do të bëj sot për drekë?’, bëhet akoma dhe më problematike në këto tre muaj të vitit.

Duke qenë se, siç e thamë dhe më lart, ju kuptojmë plotësisht kur thoni që dëshironi diçka të shpejtë, ne sot ju japim një zgjidhje ideale për drekë. Ndoshta, jeni mësuar të shijoni lazanjën më bazë brumin e makaronave, por ja që jo gjithmonë funksionon domosdoshmërisht kështu. Me vetëm katër përbërës bazë dhe 20 minuta pjekje në furrë, do të keni mundësinë të shijoni pjatën e shijshme të lazanjës me patate. Mjafton të ndiqni recetën e mëposhtme:

Përbërësit

3 kokrra patate

500 g salcë e kuqe

200 g fleta të vogla spinaqi

400 gramë djath kaçkavall

Rigon

Përgatitja

Pastroni patatet me ujë, pa ia u hequr lëkurën. Pritini në feta fare të holla, afërsisht sa trashësia e një patatine. Shtrojini në një tavë qelqi katrore, pa e rënduar. Mjafton të mos mbetet asnjë centimetër i pjesës së poshtme të tavës pa patate. Sipër shtresës së krijuar, shtoni salcë të kuqe, aq sa të mbulohen ato që shtruat poshtë. Më pas, vendosni në mënyrë të rregullt fletat e vogla të spinaqit, duke i mbuluar këto të fundit me copa djathi kaçkavall të prera. Përsëriteni tre herë proçesin e lartpërmendur, për të përfituar kështu tre shtresa. Futeni në furrë në nxehtësinë 200 gradë. Lëreni për 20 min dhe…gati për servirje! Nëse dëshironi, mund te shtoni pak rigon pasi ta keni nxjerrë nga furra.

Ju bëftë mirë!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF