KreuCelebrity

Chester Bennington: rasti i një fëmijërie të dhimbshme, të pashëruar nga koha…

Sara Gurabardhi

“Koha shëron plagët”, është fraza më e zakonshme që dëgjojmë në raste zie, atëherë kur jeta vazhdon rutinën e saj, duke lënë nga pas dëme të pakthyeshme për njeriun. Por, “e tillë është jeta”, kështu që nuk na mbetet gjë tjetër, veҫse “të vazhdojmë të jetojmë”. Sa e sa shprehje të tjera kemi dëgjuar mbi vazhdimësinë e të qenurit gjallë, ashtu sikurse jemi mbushur me ideologji të kota mbi mospranimin e një cikli afat-shkurtër, që fillon e mbaron VETËM mbi Tokë. Shohim të afërm, idhuj, miq, njerëz që njohim, teksa largohen përgjithmonë nga kjo botë, e dhimbja në ҫdo rast, edhe pse me doza të ndryshme, na mbyt thellësisht – një ndjesi kjo, sa egoiste, aq dhe altruiste, e ndonjëherë, kombinim i të dyjave.

Mbrëmja e djeshme tronditi të apasionuarit pas artit e muzikës, me lajmin e ndarjes nga jeta të liderit të grupit ‘Linkin Par’, Chester Bennington. Që në adoleshencë, ata fëmijë që konsiderohen deri diku të mbyllur në vetvete, më rebelët në të menduar dhe në mënyrën e të shprehurit të vetes – pikërisht kjo kategori të rinjsh, rriten me muzikën e këtij grupi, më shumë se të ҫdo bande tjetër. Kjo, sepse tekstet e këngëve përshkruajnë atë anë të njeriut, që jo të gjithë e pranojnë, ashtu sikurse disa e kuptojnë, por thjesht nuk munden ta shprehin. Jo më kot, shpesh themi: “dëgjoj muzikë, se vetëm ajo më kupton”. Me pak fjalë, më tepër se sa thjesht disa vargje, për disa, tekstet e këngëve identifikohen si rrëfime personale, të pathëna më parë.

Ishte kjo fuqia e këngëve të ‘Linkin Park’, e Chester Bennington ishte i adhuruari i padiskutueshëm. Kjo jo vetëm prej pozicionit si lider grupi, por dhe prej vokalit e talentit të tij unik. Dhe ja, është data 21 korrik e vitit 2017, dhe mes nesh mungon një tjetër ikonë muzike. U përshkrua nga artikuj të ndryshëm si “vetëvrasje e papritur” e këngëtarit, e të gjithë pyesin veten pse ndodhi. Së fundmi qarkullon një artikull, që dëshmon disa postime (tashmë të fshira) në Twitter-in e bashkëshortes së Chester, ku ajo shprehet se ka qenë shkaku i vdekjes të së shoqit, si pasojë e disa tradhëtive të kryera kundrejt Bennington. Dyshohet se llogaria e saj është vjedhur, por a ka kjo rëndësi në të vërtetë?

Po flasim për atë, i cili krijonte tekstet më të trishta e depresive, ai që nuk pati frikë të pranonte varësinë ndaj drogës dhe alkolit, djali që më në fund mori guximin të dëshmonte fëmijërinë e tij traumatike e të frikshme. Nëna e Chester ishte infermiere, ndërsa i ati polic detektiv për rastet e fëmijëve që dhunoheshin seksualisht. Kur Bennington ishte vetëm 11 vjeҫ, prindërit e tij u divorcuan, ndërsa i ati fitoi kujdestarinë e djalit. Ishte pikërisht kjo periudha, në të cilën këngëtari provoi gati të gjithë llojet e drogërave, duke u kthyer në një vartës të këtyre lëndëve. Pasojë kjo vetëm e ndarjes së nënës nga i ati? Jo. Edhe pse një faktor kontribues, Chester ka zbuluar fakte tronditëse nga fëmijëria e tij, duke deklaruar se nga mosha 7 deri në 13 vjeҫ, është abuzuar seksualisht nga një djalë më i madh në moshë. Në atë kohë, Bennington kishte patur frikë të shprehej apo të dëshmonte diku, pasi mendonte se do të paragjykohej si gej dhe gënjeshtar. Është ironike, duke menduar se i ati punonte pikërisht në sektorin e mbrojtjes lidhur me këtë krim, por mesa duket, ky i fundit ishte problematik në një tjetër drejtim. Chester ka zbuluar se babai i tij ushtronte dhunë fizike, gjë që e detyroi këngëtarin të shkonte të jetonte me të ëmën. Por, mamaja e ka dëbuar menjëherë nga shtëpia, që në ҫastin e parë që mësoi se i biri ishte përdorues droge. Në të njejtën mënyrë, Bennington është përjashtuar edhe nga gjimnazi, e gjithë kjo periudhë e errët e jetës së tij, i dha forcë për të vizatuar e për të shkruajtur tekste të ndryshme.

A mund të themi se kjo është arsyeja e vetme e kësaj vetëvrasje të papritur? Nuk mund të njihet si ‘e vetmja’, por padyshim është një kontribues në këtë rast të pakthyeshëm. E shkuara, mesa duket, nuk harrohet aq lehtë sa mendohet, e ndoshta arti i prodhuar nga Chester, na ka bërë të distancohemi nga jeta e tij, duke na lënë jo pak të surprizuar me këtë që ndodhi së fundmi. Ndoshta, fasada e ekspozuar për ne si publik, përmbante nga brenda skuta të errëta, të një fëmijërie të dhimbshme, të pashëruara nga 41 vite jetë…

U prehsh në paqe, Chester Bennington!

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF