KreuFashion

Maskë dhe skrab me shegë për një lëkurë të shëndetshme

A e dini se shega është një frut me benefite të shkëlqyera për lëkurën tuaj? Ju sjellim disa këshilla të vyera se si të realizoni në kushtet e shtëpisë lehtë dhe me shumë pak përbërës disa trajtime bukurie.

Shega është një frut që ka në përmbajtje shumë antioksidantë, mes të cilëve edhe vitaminën C, polifenolet dhe alfa-hidroksiacidet. Të gjitha këto, të marra së bashku shërbejnë si një eksfoliant për lëkurën si edhe ndikojnë në rinovimin e qelizave. E bën epidermën e lëkurës më të ndritshme e më të shëndetshme.

Lëngu i shegës është fantastik sidomos për lëkurat e yndyrshme, me vetinë anti-flamatore lehtëson shërimin më të shpejtë të lëkurës dhe rivendos indet e dëmtuara nga aknet. Në të njëjtën kohë sjell sasinë e duhur e të dobishme të kolagjenit, duke e bërë lëkurën tuaj më kompakte dhe elastike.

Ja si të përgatitni një skrab me shegë: Në një tas shtoni kokrrat e shegës dhe shtypini ato me një pirun. Shtoni më pas 1 lugë gjelle sheqer, 2 me vaj vegjetal, 1 lugë kafeje me lëkurë portokalli të grirë. Përpara se ta aplikoni masën në fytyrë, duhet të keni një fytyrë të pastër e të lagur, në mënyrë që të hapni poret e të lehtësoni largimin e papastërtive nga lëkura. Masazhojeni fytyrën duke bërë lëvizje rrethore dhe më pas shpëlajeni atë.

Për të përgatitur një maskë antioksidante: Përzieni në një enë një lugë të vogël kakao 100% me 2 lugë gjelle lëng shege. Aplikojeni masën në fytyrë dhe në qafe për një gjysmë ore dhe më pas shpëlajeni.

Provojini në shtëpi dhe do të mbeteni të mrekulluara nga dobitë e shegës!

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF