KreuBusull

Joni Kraja: I mallkuar të mos harroj…

 

Olsi Kolami

Takohemi pas thuajse pesë vjetësh, në një ditë të ngrohtë. Thuajse nuk ka ndryshuar fare, me një stil unik në veshje, totalisht në të zeza dhe një kapele, nën strehën e të cilës fshihen sytë pas qelqit të errët të syzeve. Prej së largu më ngjan me Picason, falë t-shirtit me vija marinari. Ulemi në një kafe të thjeshtë, pak metra larg ‘Gallery 70’, të cilën e has lehtësisht me sy, në të majtën e hyrjes perëndimore të qendrës ‘Toptani’. Vendos të rrëfejë për Bordo, lidhjen me gjyqin, një artist shkodran i viteve 1920, nga i cili trashëgon edhe talentin, projektin e fundit dhe një perspektivë mbi pikturën e të tjera…!

Çdo të thotë të trashëgosh gjenin e një gjyshi artist, na treguat u izolua për një proces të rrallë purifikues?

Gjyshi im ishte themeluesi i të parit karnaval në Shkodër. Ai ishte një piktor, skulptor, poet dhe muzikant autodidakt. Flasim për vitet 1920 dhe të sillesh në atë mënyrë në shoqërinë e asaj kohe, për mua ka qenë gjithmonë çudi dhe mister. Shumë njerëz edhe sot kur shohin fotografinë e gjyshit, realizuar nga brilanti Marubi, nuk e besojnë që është foto e bërë në atë kohë, e marrin për ndonjë rockstar të ditëve të sotme.

Rrjedh nga një familje ku arti, piktura, teatri, kinemaja, muzika, letërsia dhe sporti kanë qenë pjesë e formimit tim. Jam rritur me art dhe sport. Besoj se Ne, jemi grimca të momenteve kur prindërit tanë nuk kanë dashur të na mësojnë asgjë. Janë pikërisht këto grimca momentesh, në pamje të parë të parëndësishme të mbetura nga studio e gjyshit në Shkodër, që sot për mua janë univers ku shtrij krijimtarinë time

Nga galeritë e mëdha, ktheheni me një dimension më të vogël, pse e konceptuat kështu?

‘Gallery 70’ është konceptuar si një vitrinë, ku vepra shfaqet, demonstrohet, ekspozohet para syve të gjithkujt. Qëllimi i kësaj vitrine është të krijojë një marrëdhënie me veprën në mënyre sa më të thjeshtë, organike dhe të sinqertë. Nëse vepra të thërret, atëherë mund të futesh brenda kësaj vitrine dhe të krijosh një intimitet me të, sepse je Ti dhe piktura, jo Ti dhe shumë piktura. ‘Gallery 70’ prezantohet si një institucion që përfaqëson artin bashkëkohor, një hapësirë arti modern, ku tregtohet arti më unik dhe të ofron mundësi për të blerë art në forma të ndryshme si piktura, grafika, objekte artistike, duke krijuar mundësi reale për vizitorët dhe koleksionet e tyre. Galeria është ‘eau de parfume’ i punimeve të mia. Do të thotë nuk janë vepra që bëhen në seri për të përfituar një anë ekonomike, janë unike, janë më të mirat e koleksionit tim.

Shijova një cikël unik, nga kanavaca tek një abazhur, a konceptohet piktura edhe si pjesë e interiorit?

Në rastin konkret ideja e dizajnit të abazhurit me imazhin e të njëjtës pikturë që i qëndron në krah është një eksperiment që luan me kompozimin, duke e futur atë në objekte funksionale, por mendoj se piktura gjithmonë do të mbetet stoike në lidhje me interiorin. Ajo përjetësisht do të jetë një vlerë e papërsëritshme. Nëse ky i fundit ndryshon shumë herë, piktura jo. Një pikturë mund të qëndrojë në shumë koncepte interiori, ndërsa interiori pa pikturën është si ndryshimi i arkitektit me piktorin. Të dy bëjnë art, por të dytët njohin shpirtin. Me gjithë idetë, trendin dhe ekperimente minimaliste që mundohen ta largojnë pikturën nga hapësira me elemente industriale, piktura do të vazhdojë të qëndrojë si një vlerë që i jep jetë gjithçkaje që e rrethon. Një pikturë e mirë pasqyron dhe tregon drejtpërsëdrejt njeriun që e zotëron. Nisur nga pikturat që një njeri ka në ambientin e tij, mund të krijojmë pak a shumë një ide të karakterit te tij. Pra, me pak fjalë, pikturat dhe vlerat artistike që zotërojmë janë pasqyrë e shpirtit tonë. Ne flasim nëpërmjet veprave që kemi.

Takohemi pas disa vitesh dhe shoh që femra nuk është zbehur. Mbetet sërish muza juaj? Pse ?

Një nga ciklet e mia që është pothuajse në përfundim titullohet “All about my muse”. Në parathënien shoqëruese vjen ky interpretim: Të praruara, hyjni, virgjëresha, muza, megallomane dhe arrogante, kurva apo të ndershme, mbi të gjitha unë isha prostituta, sepse merrja si shkëmbim të sjelljes apo seksit, të gjitha virtytet e tyre. Virtyte që do më shoqëronin gjithë jetën, do më vrisnin dhe persekutonin për të vetmen arsye: doja të isha gjithmonë me to edhe pse e dija që momentet e lumtura zgjasin pak. Shumë pak, pastaj do ti humbja, nuk do ti kisha më. Diku kam lexuar se momentet e vogla të lumturisë janë ato gjatë së cilave harrohen gjërat e këqija. Lumturia formohet nga momentet e harresës. Lumturia qenka harresë dhe unë qenkam i mallkuar të mos harroj. Një tmerr i vërtetë që e ndërtoja vetë dhe që isha i bindur që do më përpinte. Edhe pse e dija që e nesërmja do te vinte shpejt , doja të jetoja të sotmen…! Ditët, muajt, vitet kalonin duke më vështruar si një qënie të parritur, herë-herë fëmijë i llastuar me vesin e të paturit gjithçka të bukur që dëshiroja, pastaj më vishnin me rrobën e krijimeve të mia, muzave, për të më dehur me aromën që mbante malli im për to. Pra, “All about my muse” është interpretimi i lumturisë, ankthit, arrogancës dhe thjeshtësisë, dashurisë dhe urrejtjes, obsesionit dhe vuajtjes, shkatërrimit dhe shpreses. “All about my muse” është pendimi, falja, lumturia.

Ju keni një eksperiencë të gjatë si skenograf, ç’vend zë në punën tuaj, a gërshetohet me pikturën?

Skenografia nuk është thjesht shqetësimi i krijimit dhe prezantimi i imazhit tek audienca. Ajo është sinteza e hapësirës, ndjesi, eksperiencë intelektuale dhe emocionale. Skenografia duhet të shprehë në mënyrën më të thjeshtë konceptin e shfaqjes. Në këto kohë mediokriteti triumfoi mbi idetë e mia skenografike. Do të thotë që producentët dhe autorët e programeve nuk duan të riskojnë në ide të reja e novative. I mbeten besnikë dhe përulshëm platformave të gatshme televizive që i sjellin publikut pa një art të mirëfilltë. Në këte pikë nuk jam fare modest sepse krijimtaritë e mia kanë qenë dhe janë autentike. Mirëpo askush nuk e thotë këtë. E kuptoj që televizioni është konsum, por i qëndroj idesë për të sjellë art të sinqertë dhe original, larg imitimeve që realizohen në mënyrë të shëmtuar. Me idenë e tmerrshme se “kjo i pëlqen publikut”, televizioni është kthyer në një ‘bordello’ mesjetare me xixa dhe drita që verbojnë. Si një pemë e vitit te ri që fiket dhe ndizet në një bylmetore .

I qëndroj besnik thënies “Më mirë të dështosh në origjinalitet, se sa te kesh sukses në imitim”. Një skenografi është një ëndërr që ndërtohet dhe qëllimi i saj është të bëjë të ëndërrosh dhe të kuptosh! Televizioni është kthyer në promovimin e provincializmit, mediokritetit dhe plagjiaturës, por ka edhe raste kur profesionistë me emër të ardhur nga Italia firmosin mbi platforma të gatshme televizive të krijuara nga tjetërkush. Ja pse ky vend është një çudi, ndaj ndihem më komod i vetëm përballë pikturës time.

 

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF