Rasti i Klaudias: pro vulgares! kundër artit!

Nga Sara Gurabardhi

(Me shpresën që nuk do të lexohet në mënyrë të drejtpërdrejtë…)

“Në daç akrobate, në daç avokate, vetëm si jot’ëmë mos u bëj!”, i tha Kapedani mbesës, kur pa nusen e djalit, balerinë, në një nga shfaqjet e saj. Kinemaja shqiptare u përpiqte pak të jepte disa mesazhe, edhe pse të imponuara, por që mbeteshin mesazhe. Por nuk i shohim më ato filma, kemi frikë nga ndotja komuniste. Se falë politikave të brendshme e të jashtme, tashmë kemi marrë statusin e një vendi demokratik, i cili na ka dhënë lirinë e të shprehurit, menduarit, fjalës…vetëm nëpër rrjetet sociale, se ndryshe kemi frikë mos njëra parti apo tjetra na heq vendin e punës. Kështu, mes orvatjes nga një derë e mbyllur në tjetrën, shqiptari nuk merr forcën të shkelmojë pengesat që i dalin para një rruge të drejtë, por zhysin syrin, hundën, jargën, kokën, trurin në ekranin e “telefonit të zgjuar”, dhe shohin kazanin e plehrave të rrjeteve sociale, për të komentuar sa aty këtu, ndonjë “të përdalë” që i del përpara. Nga ana tjetër, në këtë drejtim e gjithë bota është njësoj, kështu që s’kemi pse luajmë nga vendi. Deri sa të vijë koha jonë, ohu…!

Dhe ja, sa të reja patëm këtë javë. Klaudia Pepa na paska publikuar disa foto nudo, domethënë pa rroba, që aty-këtu shfaq hapur njërën thithkë dhe shqiptari u tremb, u tremb shumë… “U ç’u kënaqëm!” Po mirë moj Klaudia, ne të falëm gjithë besimin, gjithë mbështetjen, kur ti korrje suksese në Itali. “Është shqiptare, jemi rracë e talentuar ne”, kështu thamë, duke rrahur gjoksin, duke bërë shqiponjën me dy duar, duke shpërndarë fotot e tua në profilet tona. U ndave nga burri, ta falëm, madje thamë: “Mirë bëre, ç’doje ti me atë plak!”. Fillove sezonin veror, dole me bikini, na ngrite temperaturat më shumë se në Sahara, dhe aq shumë i klikuam lajmet për ty, sa të nxehtit nga 40, shkoi në 80 gradë. Por…por këtë nuk e pritëm! Ti të zhvishesh e tëra?! Buzë detit?! Nëpër shkëmbinj?! Ç’krenari je ti? Ne krenarinë e duam të mbuluar, me rroba deri në limitin e thithkave, vitheve, e të tjera gjërave që nuk po i përmendim. Nëse i heq dhe këto, të kemi lënë shëndenë. Se shiko, ti vërtetë i realizove të njejtat nudo në 2015, domethënë para dy viteve, por ishe vajzë e martuar! Tani, nuk të ka hije. Se siç tha dhe një bashkëkombas: “A të hëngërt gerthi (?!) shalët…” Pastaj, pse nuk i dëgjon moralistët e thekur kur thonë: “Çdo gjë e ka një limit”, “Ishe vajzë e mirë të kisha idhull por tani e prishe muhabetin”, “Të paska mbajtur ftohtë burri, tani do të ngrohesh”…

Po mirë, ti Pina Bausch shikon, që zhvishej sa në një skenë në tjetrën? Po janë të degjeneruar moj vajzë, ajo bashkë me dhjetëra kolegë të tu nëpër botë që kanë realizuar pafund sete fotografike nudo. Pastaj, ata kanë qenë në studio, ti nëpër shkëmbinjtë e bregdetit shqiptar. Na ndyn, më keq se fekalet e Ksamilit. Ah, kur s’të morën fekalet me vete! Ne të mbështesim vetëm kur bën ndonjë këngë me kushuririn e fqinjit të të afërmit të shtatë të një këngëtari nga Teksasi, se kështu, për këto baletrat (që fatmirësisht nuk janë prekur nga modifikimet teknologjike), për këto nuk pyesim fare! Tani, lutu që të të pranojë prapë Italia, se përndryshe nuk kemi si të ndihemi krenarë. Jo më. Dhe “vishu, se do ftohesh”.

(Në galeri do të gjeni disa kolegë të pacipë ndërkombëtarë të Klaudias, që do t’jua skuqin faqen më pak, se nuk janë shqiptarë.)

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *