KreuBusull

Syzet e diellit tek fëmijët jo modë, domosdoshmëri!

Vizita e parë tek okulisti, domosdoshmëria e syzeve të diellit, kujdesi për të mos përdorur syze jo origjinale apo edhe përqafimi i trendeve janë pjesë e rutinës së prindërve ndaj të vegjëlve të tyre tashmë. Romina Ferra, menaxherja e përgjithshme e optikës së parë private në Shqipëri, Italoptik, e njohur për seriozitetin dhe kualitetin që ofron, na tregon për BORDO gjithçka duhet të dimë në këtë kulm sezoni veror për kujdesin e syve të fëmijëve tanë.

Romina, kur duhet të fillojë kujdesi për sytë tek fëmijët?

Një vizitë normale te okulisti duhet bërë në moshën 3-vjeçare. Nëse prindërit shikojnë që fëmija i tyre ka problem, nga mënyra sesi shikon televizorin apo sesi ndihet, mund të shkojnë edhe më shpejt. Tashmë çdo fëmijë, kur shkon në klasë të parë paraqitet me një recetë nga mjeku okulist që ai është në rregull me shikimin. Nëse nuk është, atëherë fëmija duhet të marrë syze në mënyrë që t’i përmirësohet shikimi e të mos ketë probleme kur të shkojë në shkollë.

Po për syzet e diellit, kur duhet të fillojnë t’i mbajnë?

Fëmijët patjetër që duhet të mbajnë syze dielli. Mirë është që fëmijët të mbajnë syze dielli rreth moshës 2 vjeç. Në fillim pothuajse të gjithë fëmijët kanë pak siklet nga syzet e diellit, por mësohen. Ato janë të domosdoshme për fëmijën sepse e mbrojnë nga rrezet e dëmshme UVA dhe UVB. Në të njëjtën mënyrë se si ne mbrojmë sytë tanë në një vend mesdhetar me 300 ditë diell, ashtu duhet të mbrojmë edhe sytë e fëmijës. Nëse fëmija nuk mban syze në verë, veçanërisht në plazh, problemi nuk është në termin afatshkurtër, por atë afatgjatë. Mund të ketë probleme si: katarakt, degjenerim okular, etj.

Cilësia e syzeve të diellit tek fëmijët a është rëndësishme…

Për syzet e diellit prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm se ku i blejnë ato. Duhet t’i blejnë në dyqane optike e në qendra të licensuara. Nuk duhet t’i blejnë në tregje e në plazh ku thonë që ‘janë syze të vjedhura’ sepse janë thjesht imitacione.

Pse është kaq e rëndësishme që t’i blejnë në dyqane optike dhe jo në tregje?

Në dyqane optike shiten syze të cilat e mbrojnë syrin nga rrezet e dëmshme UVA dhe UVB. Përkundrazi, syzet që shiten në treg janë syze shumë të dëmshme për syrin. Çfarë ndodh? Ato shkaktojnë vetëm errësim dhe nuk e mbrojnë syrin nga rrezet e dëmshme UVA dhe UVB. Në këtë rast,ato nuk shkaktojnë vetëm errësim por zgjerojnë pupilat ose beben e syrit dhe automatikisht syri merr më shumë rreze UVA dhe UVB, të cilat integrohen brenda në syrin tone duke gjeneruar një problem në terma afatgjatë.

Ka shumë modele në dyqanet e Italoptik për fëmijë?

Larmia e syzeve të diellit për fëmijë është shumë e madhe ashtu siç ështe edhe për të rritur. Ka syze për vajza, për djem, duke filluar nga mosha 2 vjeç – 14 vjeç. Fëmijët e moshës 14 vjeç përdorin edhe syze për të rritur. Siç bëjmë syzet e diellit me numër për të rritur, ashtu bëhen edhe syzet e diellit me numër për fëmijë duke i adoptuar skeletin e përshtatshëm formës së fytyrës së fëmijës, gjë që është shumë e rëndësishme.

Po, çmimi si varion?

Çmimet e syzeve të diellit për fëmijë janë shumë ekonomike, fillojnë nga 60 mijë lekë të vjetra e deri në 190 mijë lekë që janë syze dielli firmato për fëmijë. Edhe syzet e thjeshta të diellit të mbrojnë nga rrezet UVA dhe UVB sepse ky është edhe funksioni parësor dhe kryesor i syzeve të diellit.

Jemi ne sot të edukuar për përdorimin e syzeve të diellit me cilësi të garantuar?

Po, sidomos në 5-vjeçarin e fundit ka një ndryshim shumë të madh. Prindërit dikur i merrnin syzet e diellit në tregje, tani nuk i marrin më atje sepse malli nuk është cilësor dhe shkakton problem për fëmijët. Është një gjë që tregon se edhe prindërit kanë filluar të informohen dhe të edukohen përsa i përket shikimit dhe mbrojtjes së shikimit në terma afatgjatë.

Pas verës është nevoja e një vizite tek okulisti?

E mira është që të gjithë fëmijët që mbajnë syze, të bëjnë një rikontroll, veçanërisht para fillimit të vitit të ri shkollor. Sepse në këtë rast prindërit shikojnë ecurinë e përmirësimit të shikimit të fëmijëve të tyre. Mbi të gjitha shikojnë nëse fëmija ka ndryshim dhe në këtë mënyrë fëmija adaptohet me ndryshimin me numrat nëse u nevojitet, para fillimit të vitit të ri shkollor. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme sepse shumica e prindërve e neglizhojnë që ta bëjnë këtë gjë. Do të ishte më mirë që ta bëjnë para fillimit të vitit të ri shkollor.

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF