KreuArt

Tre premiera fantastike për të mos u humbur në Kinema Millennium nga 31 gushti!

Komedi, aksion dhe triller janë zhanret që bashkohen në premierat e javës në ekranin e madh të kinema Millennium. Bashkë me aktorë si Ryan Reynolds, Samuel L. Jackson, Gary Oldman,  Suki Waterhouse, Keanu Reeves,  Jim Carrey apo edhe ylli Goldie Hawn,  që rikthehet pas 15 vitesh. Tri premiera për të mos u humbur prej datës 31 gusht për publikun shqiptar, në Millennium: “The Hitman’s Bodyguard”, “The Bad Batch”dhe “Snatched”

Vetëm pak ditë pas projeksioneve në sallat amerikane dhe arkëtimeve që e kanë vendosur në krye të renditjes, “The Hitman’s Bodyguard” vjen premierë në kinema Millennium prej datës 31 gusht.

Me interpretimin e aktorëve Ryan Reynolds, Samuel L. Jackson, Gary Oldman  vjen historia e njërit prej truprojave më të mirë në botë, që ka një klient të ri, armikun e tij më të keq. Është  një dëshmitar që duhet të dëshmojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ata duhet të lënë mënjanë gjërat që i ndajnë dhe të bëhen bashkë për t’ia dalë që të jenë në gjyq në kohën e duhur.

Filmi bashkon për herë të tretë aktorët  Samuel L. Jackson dhe Gary Oldman pas bashkëpunimit në “True Romance” (1993) e “RoboCop” (2014). Ndërkohë që Samuel L. Jackson shënon të dytin bashkëpunim me Ryan Reynolds “Turbo” (2013). I dyti bashkëpunim është edhe për Ryan Reynolds dhe Gary Oldman që pas “ Criminal” (2016). Filmi ribashkon edhe aktorët Salma Hayek e Joaquim de Almeida, të cilët më parë kanë interpretuar në “Desperado” (1995).

Shumë i spikatur është roli i Samuel L. Jackson i cili në fund të filmit performon këngën “Nobody Gets Out Alive”.

“The Hitman’s Bodyguard” është një komedi aksion e drejtuar nga Patrick Hughes me skenar të shkruar nga Tom O’Connor. Deri më 27 gusht “The Hitman’s Bodyguard” arkëtoi 61.1 milionë dollarë në mbarë botën kundrejt një buxheti prej 30 milionë dollarësh. Kritika ka thënë fjalët e saj pozitive për filmin ndërsa publiku tashmë e ka shndërruar në filmin më të mirë të javës.

Fituesi i çmimit të jurisë së Festivalit të Filmit në Venecia si edhe kandidat për Luanin e artë, si filmi më i mirë i edicionit të 73-të, “The Bad Batch” vjen premierë edhe për publikun shqiptar me projeksionet që fillojnë më 31 gusht në kinema Millennium në Tiranë.

“The Bad Batch” është një komedi e zezë, romancë, triller dhe horror. Arlen dëbohet nga kufijtë e Teksasit dhe gjendet në mes të shkretërire në luftë për mbijetesë. Shumë shpejt bie pre e kanibalëve të cilët e gjymtojnë por ajo arrin të arratiset dhe të ndeshet me të tjera të papritura.  Kjo është historia e filmit të drejtuar dhe shkruar nga skenaristja dhe regjisorja Ana Lily Amirpour që me këtë film ndjek suksesin e arritur me “A Girl walks Home Alone at Night”.

Në rolet kryesore interpretojnë  Suki Waterhouse, Jason Momoa, Giovanni Ribisi, Keanu Reeves dhe Jim Carrey.  Regjisorja Ana Lily Amirpour është e njohur për efektet praktike gjatë gjithë xhirimit të filmit që duhet thënë se është vendosur në vendxhirime tejet ekstreme. Pjesa më e madhe e filmit është xhiruar në plazhin Bombay, Kaliforni dhe kohëzgjatja e xhirimeve ishte vetëm 28 ditë. Ky është i pari rol i aktorit Jim Carrey ku personazhi i tij nuk thotë asnjë fjalë.

Filmi është vlerësuar pozitivisht nga kritika e cila ka vlerësuar si shumë mbresëlënës dhe si një përzierje zhanresh të vendosura bukur në një univers plot ngjyra.

Goldie Hawn, rikthehet në ekranin e madh 15 vjet pas interpretimit të saj në filmin “The Banger Sisters” (2002). Aktorja mit e Hollivudit interpreton rolin e një nëne të kujdesshme por edhe të fortë në komedinë aksion “Snatched” që do të fillojë të shfaqet premierë për publikun shqiptar prej datës 31 gusht në kinema Millennium

FIlmi tregon historinë e një vajze të quajtur Emili. Kur i dashuri i saj e braktis, vajza në të 30-at, bind nënën e saj të kujdesshme që ta shoqërojë për pushimet e planifikuara në Ekuador. Me këmbënguljen e Emilisë, të dyja nisen në kërkim të aventurave por shumë shpejt merren peng. Ndërsa përpiqen që të shpëtojnë marrëdhënia e tyre nënë – vajzë forcohet. E kështu skenë pas skenë kjo komedi që tregon marrëdhënien nënë e bijë do të bëjë publikun për të qeshur falë interpretimit të dy aktoreve kryesore; Goldie Hawn, në rolin e nënës dhe Amy Schumer në rolin e Emilisë. Në kastin e aktorëve janë edhe emra të tjerë të njohur si: Joan Cusack, Ike Barinholtz, Wanda Sykes dhe Christopher Meloni në rol dytësor.

“Snatched” është drejtuar nga  Jonathan Levine dhe shkruar nga Katie Dippold. Filmi ka marrë kritika pozitive që vlerëson talentin e aktorëve  dhe deri më sot ka arkëtuar 60 milionë dollarë kundrejt një buxheti prej vetëm 42 milionë dollarë.

Tags:

Home Art

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF