KreuBusull

INTERVISTË/Mariza Ikonomi: “Vera, sezoni i ri dhe jeta personale!”

Sara Gurabardhi

E kishit menduar ta shikonit ndonjëherë Mariza Ikonomin në rolin e moderatores? Epo, para se t’i jepni përgjigje vetes, po ju themi se artistja po përgatitet për sezonin e ri të emisionit ‘Me Marizën’, për të cilin zbulon shumëҫka, përfshirë këtu edhe personazhin që do t’i mbetet shumë gjatë në mendje. Rrëfen se do të largohet drejt Amerikës, por kush është bërë në fakt shkak i një vendimarrje të tillë? Angazhimi me botën televizive, për të është thjesht një eksperiencë e re, krahas karrierës muzikore, që nuk e braktis kurrë! Për sa i përket jetës personale, Mariza nuk nguron të tregojë nëse ka apo jo dikë tjetër në jetën e saj aktualisht. Këto e shumë të tjera, do t’i gjeni në intervistën e mëposhtme, ekskluzivisht për bordo.al!

Më në fund, jemi në përfundim të sezonit veror. Edhe pse me siguri fansat dinë pothuajse gjithҫka, mund të na bësh një përmbledhje të shkurtët të kësaj vere?

Në fakt, këtë vit kam bërë shumë pushime. Ndryshe nga ҫdo jherë tjetër, i kam fillluar që në fillim të qershorit dhe i mbarova para tre ditësh. Por, mund të dalë diҫka edhe në moment të fundit, e unë gjërave sponatne nuk mund t’i them ‘jo’! Isha në Italinë e jugut, vizitova Capri-n, Amalfi-n, Positano-n. Më pas, sigurisht zgjodha bregdetin shqiptar – isha në Sarandë, Drimadhes…Kam qenë nën shoqërinë e miqve, pasi më kanë ardhur shumë miq nga vende të ndryshme. Edhe pse kanë qenë pushime pak të zhurmshme, gjithsesi, siҫ dihet, me miqtë kalohet gjithnjë bukur. Por, tani ndjej tik-takun e orës që thotë vetëm: punë, punë, punë! (qesh)

Angazhohesh me muzikën gjatë sezonit veror?

Po, angazhohem. Jam bërë më selektive, pa diskutim. Nëse më parë pranoja ҫdo lloj ftese, tashmë ka ardhur një moment që stopohem dhe bëhem më përzgjedhëse. Ka dy apo tre vende që këndoj, por jo gjithë kohës. Sigurisht, muzika është një pasion shumë i madh, e si ҫdo këngëtar apo muzikant tjetër, ka patur momente që jam lodhur dhe kam thënë ‘boll më’. Por, muzika apo vetë arti më thërre. Më ka gjeturnjë pikë të dobët, që më bën të rifilloj gjithmonë.

Tashmë po të shohim në ekran me një rol krejt ndryshe: atë të moderatores. Sa përbën kjo ndryshim nga të qenurit këngëtare?

Është dhe nuk është nryshe nga të qenurit këngëtare, sepse jam rritur duke dhënë intervista, siҫ po jap edhe sot. Kështu që, duke patur një eksperiencë të tillë, mësohesh dhe të bësh pyetje. Meqënëse është një eksperiencë që është vënë në praktikë, të jep kënaqësi. Përveҫse është një emision i imi, kënaqësi të japin edhe të ftuarit. Është akoma dhe më mirë kur ke të bësh me personazhe që të inspirojnë për programin tjetër, që ta bësh akoma dhe më të bukur e të kesh vullnet për më tutje. Personazhet që unë përzgjedh janë shumë të veҫantë dhe mendoj se janë ata që e bëjnë emisionin, e gjej rast t’i falenderoj që kanë pranuar ftesën time.

Cili nga personazhet do të mbetet gjatë në kujtesë?

Secili nga personazhet më ka dhënë jo diҫka, por shumëҫka. Por, ai që do të mbetet gjatë në mendje është Franҫesk Radi. Ishte intervista e fundit për të, dhe e para për emisionin tim. Vendosa ta nisja këtë eksperiencë me intervistën e profesorit tim. Ka qenë intervistë zemre dhe do të mbetet e tillë, ashtu si kënga “Telefonatë zemre”. Duke qenë se ishte hera e parë, intervista zgjati rreth dy ditë e gjysmë, plot emocion. Kemi kënduar kaq shumë, kemi qeshur pafund…Shpesh herë e shikoj [intervistën] dhe mendoj se sa e ҫuditshme është jeta. Por, duhet ta pranojmë ashtu siҫ është.

Kur nis zyrtarisht sezoni i ri i emisionit ‘Me Marizën’?

Zyrtarisht nis me datën 1 tetor, ditën e diel, por mund të them se për mua ka filluar që tani, pasi kam përgatitur listën e personazheve që do të shihni në ekran sezonin e ardhshëm.

Ke ndonjë plan së afërmi lidhur me muzikën?

Po mendoj të marr pjesë tek Kënga Magjike. Kam një material timin, që jam duke e punuar. Kënga Magjike më pëlqen, më jep atë magjinë dhe komfortin në skenë, sepse mendoj se të marrësh pjesë në një eveniment që organizon Ardit Gjebrea, do të thotë se je në një event që ndihesh vërtetë artiste. Sa herë që jam tek ky festival, kënaqem dhe është kjo arsyeja pse po marr pjesë përsëri.

Do t’i drejtohesh Amerikës së shpejti. Zgjedhje përfundimtare apo thjesht pushime?

Do të largohem për pak kohë, pasi në Amerikë jeton motra ime, bashkë me mbesën e nipin. Më ka marr malli pafund dhe dhe mezi po pres të takoj sidomos nipin, që është vetëm gjashtë muajsh. E pres me padurim t’i përqafoj, pasi është ndryshe t’i shohësh në Skype, dhe krejt ndryshe kur i prek dhe i ndjen. Largohem javën tjetër drejt nipit e mbesës, që më falin energji si askush tjetër.

E ke menduar ndonjëherë largimin nga Shqipëria për karrierën si muzikante?

E mendoj shpesh, vetëm për faktin se këtu muzika po bastardohet nga dita në ditë. Nuk ka kritika dhe është shumë e vështirë të bësh muzikë të mirë. Shoh dhe fëmijët në lagjen time që po rriten me ca tekste ordinere…Por, gjithsesi, si ‘Don Kishot’-e që jam, them që mund të bësh diferencë. Është një mision që unë e kam ndërmarr, e do vazhdoj të bëj muzikën time, që me aq mundësi sa kam, t’i jap një edukim ndryshe këtij populli.

A ka dikë tjetër në jetën e Marizës aktualisht?

Mund të them vetëm që po përjetoj një emocion të bukur, dhe kaq. (qesh)

Tags:

Home Dossier

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF