Talente apo diplomë? Kush e ka pushtuar tregun sot!

Tea Kola

Tregu muzikor shqiptar i ditëve të sotme është i mbushur me artistë të njohur të cilët jo të gjithë kanë studiuar për këtë profesion. Ata janë pjesë e skenës dhe mbrëmjeve live, por në të vërtetë kanë zgjedhur të studiojnë diçka tjetër duke ndjekur njëkohësisht edhe muzikën si një pasion, që ju ka rezultuar edhe fitimprurës! Suksesi i këtyrë artisëve, një pjesë e mirë e të cilëve kanë dalë prej spektakleve talent show si “X Factor”, “The Voice of Albania”, ka rezultuar edhe më i suksesshëm sesa e atyre që kanë mbaruar studimet për muzikë. Ata janë më popullorë, realizojnë klipe, janë më prezent në jetën muzikore të natës dhe sigurisht kanë çmime edhe më të majme. Bordo.al sjell përballë njëri-tjetrit ‘Talente apo diplomë’ disa nga artistët e rinj pjesë e skenës së sotme.

 

Sheila Haxhiraj, talenti që studion për drejtësi

Sheila ka qenë fituesja e edicionit të parë të spektaklit “X Factor Albania” në Tv Klan, nën kujdesin e trajneres Juliana Pasha. Kjo fitore bëri që këngëtarja të vazhdonte me pjesëmarrjen e saj në festivale si “Kënga Magjike”, të realizonte klipe këngësh  ritmike në rrymën R&B si edhe balada. Ajo nuk ka studiuar muzikë me mësues apo të ndjekë leksione muzikore, por ka qenë talent që e vogël. Me gjithë pasionin për muzikën, Sheila ka zgjedhur të studiojë për drejtësi në një universitet privat.

 

Rina Bilurdagu, pianistja-këngëtare

Rina Bilurdagu, vajza nga Prizreni e trashëgoi talentin dhe pasionin për muzikë nga e ëma, profesorëshë muzike. Që e vogël ajo ka marrë pjesë në festivalet për fëmijë, derisa u rrit dhe konkurroi në skenën e “Voice of Albania”. Pjesë e skuadrës së Alma Bektashit në edicionin e parë, ajo u shpall fituese, si më e preferuara e publikut shqiptar. Rina ka studiuar muzikë dhe i bie pianos. Ajo preferon ta quajë veten një këngëtare-pianiste. Që prej pjesëmarrjes së saj në The Voice 1, dhe disa pjesëmarrjeve të atij viti në skenat shqiptare për Rinën është dëgjuar thuajse asgjë!

 

Kejsi Tola, nga talent drejt diplomës

Kejsi ishte këngëtarja e re që doli me fitore nga spektakli “Ethet 4” në Top Channel, por ajo mori më tepër famë nga fitorja e Festivalit të R.T.SH-së, i cili e bëri pjesëmarrëse në Eurosong me këngën “Carry me in your dreams” ku arriti të kualifikohej në finale. Kejsi ka marrë pjesë edhe në “Kënga Magjike” me këngë si “Ajsberg”, “Perëndeshë e fantazisë”, “Më jeto”. Ajo ka studiuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pjesëmarrjet e saj i takojnë më shumë Festivaleve, ndërsa është prezente në mbrëmjet live prej disa vitesh në një lokal në Tiranë.

 

Kamela Islamaj, e diplomuara për piano pa klipe

Këngëtarja me origjinë nga Korça, Kamela Islamaj, debutoi për herë të parë tek spektakli “Ethet”, por u bë e njohur nga performancat e cover-ave në Top Show si dhe është mjaft e pëlqyer për të kënduarit live ne club-et e kryeqytetit. Ajo ka marrë pjesë në Top Fest, si zëvendës-trajnere në “Voice”, edhe në festivalin e fundvitit të  R.T.SH-së, por nuk ka ende një klip apo një album të sajin. Ajo ka studiuar për piano që kur ishte pesë vjeç e deri në universitet dhe adhuron rrymën rock.

 

Venera Lumani, talenti me shkollë kantoje

Venera, vajza nga Struga e Maqedonisë e ka nisur pasionin për muzikën që pesë vjeç. Ajo ka ndjekur shkollën fillore për muzikë, shkollën e mesme për kanto në Tetovë dhe Fakultetin e Muzikës në Shkup. Venera u bë e njohur për publikun shqiptar përmes “The Voice”, ajo zgjodhi si trajner Sidrit Bejlerin dhe duke punuar fort arriti ta fitonte edicionin e dytë të këtij spektakli. Konkurrent me të ishte edhe Lind Islami, i dashuri i saj me të cilin performojnë live në mbrëmjet e kryqytetit ose evente të tjera muzikore në vend. Venera i bie pianos dhe kitarës, pasionin e së cilës e ka trashëguar nga i ati kitarrist.

 

Erik Lloshi, kantoja diploma e tij!

Erik Lloshi është një emër i njohur i muzikës shqiptare në rrymën Pop. Dueti i tij me Mariza Ikonomin nën titullin “E di” e bëri këtë artist mjaft të dashur për publikun si edhe të nominuar për klipin nën kategorinë “Best Video” në vitin 2009 në “Balcanika Music Awards”. 28-vjeçari ka pasur pjesëmarrje të suksesshme në festivalet “Kënga Magjike” e “Top Fest”. Disa nga hitet e tij në vite janë: “Ajo është ajo”, “Më ndiq në faj”, “Të kam bërë të qash”, “Diku të kam parë”.  “Erik & the Band” është banda e tij muzikore me të cilën luan muzike live në kryeqytet. Eriku ka studiuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë.

 

Marsela Çibukaj, e diplomuara për drejtësi

Marsela u kthye në Shqipëri pas një periudhe të gjatë në Itali për të qenë pjesë e edicionit të parë të “The Voice of Albania” në Top Channel. Konkurrentja zgjodhi të ishte pjesë e skuadrës së Elton Dedës dhe dalloi për zërin e fuqishëm e disi të çjerrë që në performancat e para live. Marsela arriti deri në finalen e spektaklit, nuk doli me fitore, por u bë një nga zërat më të dashur të publikut shqiptar të cilët e ndjekin në mbrëmjet me muzikë live në kryeqytet. Ajo ka marrë pjesë në Top Fest, Festivalin e RTSH-së dhe preferon rrymat rock, jazz dhe blues. E dini se çfarë ka studiuar ajo? Marsela ka studiuar për drejtësi dhe e ka ushtruar këtë profesion nëpër zyra ligjore në Itali, krahas muzikës live që luante atje me bandën e saj.

 

Arilena Ara preferon diplomacinë

Arilena i nisi hapat në muzikë që fëmijë me “Gjeniu i vogël” derisa u paraqit si një konkurrente e fortë në edicionin e dytë të  “X Factor Albania”, dhe arriti fitoren e këtij show me trajnere Tuna Sejdiun. Ky moment ishte thelbësor për karrierën muzikore të këngëtares së re nga Shkodra, i cili u pasua me klipet “Aeroplan”, “Bussiness Class”, “Vegim” si edhe hiti “Nëntori” i cili pati jehonë edhe në Rumania e Rusi. 19-vjeçarja e ka shprehur se kur të vijë momenti për studimet e larta ka dëshirë të zgjedhë degë të kundërta me artin, duke preferuar diplomacinë. Sezoni veror që lamë pas ka qenë i mbushur me koncerte për Arilenën e cila ka performuar së bashku me “Threedots”.

 

Edea Demaliaj, talenti drejt shkollimit

Edea e  ka të trashëguar nga i ati këngëtari Gentian Demaliaj pasionin ndaj muzikës dhe të kënduarit. Ai e përkahu shumë vajzën në hapat e saj të parë drejt muzikës. Pjesëmarrja e saj në edicionin e katërt të “X Factor”, me trajnere Miriam Canin e çoi artisten e re drejt fitores! Një vit më pas ajo konkurroi me sukses në Festivalin e RTSH-së me këngën “Besoj në ëndrra”. 19-vjeçarja me origjinë nga Lezha po e ndjek rrugën e muzikës për të qenë pranë të atit Gentit, si dhe është shprehur se ka dëshirë të ndjekë studimet për muzikë në të ardhmen.

 

Aslaidon Zaimaj, student i Shkencave Sociale

Aslaidon është një tjetër personazh i cili u kthye nga Italia në Shqipëri për të qenë pjesë e spektaklit “The Voice of Albania”. Djaloshi 24-vjeçar ishte pjesë e skuadrës së Genc Salihut. Interpretimet e tij të arrira bënë që të ishte fitues i këtij edicioni. Karriera në Shqipëri vijoi me pjesëmarrjen në “Top Fest”, në Festivalin e RTSH-së dhe “Kënga Magjike”. I lindur nga dy prindër këngëtarë, Aslaidon i frymëzuar nga “Nirvana” krijoi një grup me miqtë dhe luante muzikë gjatë periudhës së adoleshencës. Ai praktikohej në shtëpi, përmes kanalit Youtube dhe nuk kishte mundësi të ndiqte leksione kantoje. Pas “The Voice” ai u kthye në Itali dhe ka studiuar Shkenca Sociale.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *