KreuBusull

Hajrie Rondo, rasti i një kontributi ndryshe nga të tjerët!

Teatri dhe kinematografia shqiptare sollën në sytë e publikut disa nga emrat më të shquar të aktrimit dhe jo vetëm. Të konsideruara pa frikë si një trashëgimi e pakrahasueshme kulturore, largimi nga jeta i disa prej aktorëve më të mrekullueshëm shqiptarë do të mbetet gjithmonë një peng në zemrat e kujtesën e gjithësecilit. E tillë ishte lamtumira e fundit e Hajrie Rondos ditën e djeshme, shpresa dhe kurajo e së cilës shuajti gëzimin dhe entuziazmin e të gjithë ndjekësve të artit në tërësi. Insistimi se kinemaja e para-demokracisë është një vlerë e pamohueshme, do të mbetet më tepër si një ftesë që çdokush të kthejë kokën nga e shkuara jo vetëm për të parë dhimbjen, por dhe për të vlerësuar atë që i rezistoi dy brezave: artin filmik. Dhe këtu, mjafton të kujtojmë Tanën, roli ikonik që e shndërroi figurën e Rondos në një prej aktoreve më të dashura për publikun.

Mes 120 roleve në teatër dhe rreth 40 të tjerave në kinematografi, pjesëmarrja në kryeveprën e Anagnostit nuk ishte e vetmja që dalloi gjatë karrierës prej disa dekadash. Në vitin 1984, Vladimir Prifti do ta zgjidhte si një ndër aktoret kryesore, për të sjellë në jetë personazhin e Linës, bashkëshotes së Petro Nini Luarasit, në filmin “Kush vdes në këmbë”. Nuk mund t’i shpëtonte as vëmendjes së Viktor Gjikës, i cili e përzgjodhi mes shumë emrash të tjerë të shquar për veprën “Nëntori i dytë”. Kolegu, por njëkohësisht dhe regjisori Rikard Ljarja do ta vinte figurën e Rondos edhe më tepër në qendër të vëmendjes më 1988, kur artistja performoi krahë për krahë të madhit Kadri Roshi, edhe pse një vit më herët ishte shfaqur si protagoniste në “Një vit i gjatë” të Esat Ibros. Ardhja e demokracisë, e gjeti Rondon në disa prodhime televizive të karakterit komik, të drejtuara kryesisht nga Arian Çuliqi. Prodhimi i fundit kinematografik në të cilin aktorja mori pjesë ishte “Ballkan Pazar” i Edmond Budinës më 2011, ndërsa skena e teatrit na e solli për herë të fundit performancën e Rondos në 2016-tën, me komedinë “Tre dhëndurët”.

Pas luftës së gjatë me kancerin, Hajrie Rondo gjeti forcën jo vetëm për të luftuar për jetën, por edhe për të performuar në teatër. E cilësoi si “emocion, përgjegjësi dhe një ofertë e ardhur në kohën e duhur…diçka e nevojshme, që i duhet njeriut pasi kalon vështirësi të mëdha në jetë”. Është ndoshta, një nga fytyrat më teatrale të artit shqiptar, karakteristikë që e shfrytëzoi sa dhe si duhet për të kapërcyer edhe pragun e kinematografisë. Raporti i mimikës me kamerën në “Përrallë nga e kaluara”, i solli plotësisht jetë personazhit, e kjo është një ndër dy arsyet kryesore pse Tana do të mbetet karakteri i pavdekshëm, jo vetëm i Rondos, por i kinemasë vendase në tërësi. Portreti ishte arma më e fortë e saj, e ky nuk ishte rasti i thatë i një fytyre tipike aktoriale, jo! Rondo ishte koshiente për këtë karakteristikë tipike, me apo pa ndërgjegje, e kjo e ndihmoi të përdorte talentin, për t’i shkrirë në një trup të vetëm: atë të aktorit. Çka e veçoi më së shumti nga të tjerët, ishte fakti se ndryshe nga shumica e rasteve, Rondo i vishte trupin personazhit, pa lejuar që personazhi t’iu vishte trupit. Shmangia e një rasti të tillë klasik është në fakt ajo që bëri Tanën dhe shumë personazhe të tjerë, të shndërrohen të pavdekshëm në sytë e publikut. Dhe ky, është kontributi i paçmuar nga asnjë medalje, numër apo vlerë…

U prehsh në paqe, Hajrie Rondo!

Tags:

Home Busull

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF