KreuFashion

Vera e ardhshme na gjen me…shapka me gisht!

Java e modës në New York na mësoi shumë mbi atë çka pritet të shohim sezonin e ngrohtë vitit të ardhshëm. Mes shumë tendencave të veshjeve e aksesorëve të ndryshëm, çka spikati e surprizoi ishte rikthimi në qendër të vëmendjes të shapkave me gisht. Duket e habitshme që një model të tillë e gjetëm gjerësisht të ekspozuar në pasarelë, por Rihanna dhe Michael Kors sollën versionet më moderne e luksoze të këtyre shapkave. Riri kishte preferuar takat si risi për këto lloj modelesh, por kjo nuk i bënte aspak të dilnin nga lloji i tyre.

Michael Kors, nga ana tjetër, nuk solli asgjë të re në këtë drejtim, madje mund të themi se kishte ideuar kombinimin me veshjet e sipërme, në formën më të thjeshtë të mundshme. Të rehatshme e pa platformë, një palë shapka të tilla i disponojmë pothuajse të gjithë.

Marc Jacobs, edhe pse nuk i përdori gjerësisht, gjithsesi ekspozoi një stil më të moderuar. Zbukuruar me aksesorë e detaje lulesh, modeli i shapkave me gisht të Jacobs i përngjasonte më shumë familjes së sandaleve.

Një ekstrem kombinimi u vu re edhe tek sfilata e Dion Lee, ku pamë fustane mbrëmjesh të mëndafshta (ose jo), të shoqëruara me shapka me gisht të sheshta e të thjeshta. Ndërsa, Collina Strada dhe Assembly New York preferuan fundet e gjata për një paraqitje më pranë të përditshmes.

Megjithatë, duke qenë se jemi në sezonin e sfilatave, pritet të shohim nëse ky model do të ekspozohet edhe në të tjera pasarela përgjatë këtij muaji. Por, me aq sa kuptohet, shapkat me gisht do të jenë mbizotëruese verën e ardhshme, e në fakt, nuk kemi pse habitemi lidhur me këtë rikthim. Jeni gati për një verë komforte?

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF