Speca të shijshëm në vaj ulliri!

Amvisa të dashura, sot ju sjellim një recetë fantastike me pak përbërës e plot shije të një pjate shoqëruese për vaktet tuaja! Një recetë e thjeshtë dhe e shëndetshme e cila i shton harmoni dhe ngjyra tryezës: Speca në vaj ulliri!

Ja përbërësit dhe receta se si ta përgatitni!

Përbërësit: 2 kg speca të kuq e të verdhë, 40g kripë, 1litër uthull, 1 litër ujë, majdanoz i grirë, vaj ulliri ekstra i virgjër. Ju nevojiten edhe 3 vazo qelqi 500 gramëshe.

Lajini mirë specat, pritini në copa dhe pastrojini nga farat. Vendosni për të vluar ujin me uthullën dhe kripën. Ndajeni sasinë e specave në tre pjesë dhe shtojini me radhë në enën që po valon duke i lënë për 3 minuta. Në minutën e fundit shtojini majdanozin e grirë hollë. Nxirrini nga ena dhe lërini që të thahen mirë, përpara se t’i vendosni të sistemuar në kavanoza të mbushur me vajin e ullirit.

Pasi t’i keni sistemuar bukur specat në kavanozat me vaj, një i kuq e një i verdhë, mbyllini kapakun dhe lërini për 25 minuta brenda enës me ujë të valuar në banjo-mari.

Do të keni një pjatë shoqëruese fantastike, për ditët e dimrit që po vjen. Ju bëftë mirë!



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.