KreuCelebrity

Erik Lloshi: “Projektet dhe të rejat e mia!”

Nga Tea Kola

Erik Lloshi, një këngëtar i njohur i muzikës shqiptare, u bë shumë i dashur për publikun që me daljet e para në kompeticionet muzikore dhe baladat si “Ajo është ajo”, por edhe me tingujt më ritmikë si “Të gjeta ty”. Prej vitesh, “Erik & Band” sjellin muzikë të mirë live në club-et e kryeqytetit e Shqipërisë. Në këtë intervistë për Bordo.al këngëtari rrëfen projektin më të ri muzikor që ka realizuar “Afër vetes”, tregon të vërtetën mbi lajmin e ndarjes nga e dashura, si ndikojnë lajmet e pavërteta në jetën e tij, si dhe raportin me miqtë artistë. Eriku na zbulon për Bordo.al edhe surprizat që do të sjellë së shpejti në muzikë e televizion…

Riktheheni me një klip të ri “Afër vetes”, na zbuloni disa detaje nga ky projekt muzikor.

Projekti  muzikor “Afër vetes” është një produksion i shkruar nga Kledi Bahiti dhe me tekst të këngëtares  Filloreta Raci e njohur ndryshe si Fifi. Është një këngë ritmike dhe shumë melodioze e cila është pritur shumë mirë nga publiku dhe fansat e mi. Videoja  është realizuar nga Max Production të cilët i falenderoj shumë së bashku me kompozitorin Kledi Bahiti dhe Fifin për tekstin.

Cilat janë disa nga prapaskenat gjatë xhirimeve të klipit?

Një  nga prapaskenat më të lezetshme që mbaj mend nga ky klip është momenti ku më janë vërsulur një tufë me grerëza dhe më kanë pickuar gjithandej. Gjithashtu  xhirimi që është bërë sipër në tavanin e nje lokali, ndërkohë që unë kam shumë fobi nga lartësitë.

 

Kë mban Eriku “Afër vetes”?

Afër  vetes mbaj gjithmonë njerëzit që dua të kem më pranë dhe të gjithë ata që ja vlejnë t’i mbash pranë,  ku vendin kryesor këtu e zënë pjesëtarët e familjes sime.

Si ishte vera që lamë pas për ju, punë apo pushime?

Të  them të drejten kjo verë ka qenë tejet e ngarkuar me punë dhe shumë pak pushime. Kam pasur fatin që të kem disa koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në një lloj forme kanë qenë edhe si një lloj pushimi për mua .    

Po gjëja më e çmendur që do të mbani mend nga kjo verë?

Gjëja  më e çmendur që do mbaj mend nga kjo verë janë udhëtimet e ndryshme të punës  që kanë qenë shumë të bukura me “Festën e Miqësisë” dhe me “Maratonën e këngës”. Ndonjë çmenduri nuk është se kam bërë se nuk kam pasur shumë mundësi për të pushuar dhe për mua është vera e parë që kaloj pa bërë pushime fare. Këtë  gjë do ta konsideroja si çmenduri.

Cili është thashethemi më i çuditshëm që keni dëgjuar për veten? A ju prekin ato të dëgjoni, apo qëndroni indiferent ndaj tyre?

Thashetheme  ka pafund se bota jonë është pjesë e thashethemeve në përgjithësi,  po janë pa vlerë dhe nuk u duhet venë shumë rëndësi.  Ka aq shumë sa s’mund të veçoj dot një. Përgjithësisht  i marr me shumë sportivitet pavarësisht se ndërhyjnë në disa gjera që nuk është mirë.  

Për ju qarkulloi  prej ditësh lajmi se jeni ndarë nga e dashura juaj Jola Progri. Si qëndron e vërteta dhe si u ndjetë kur u përpoqën “T’ju ndajnë me zor” siç u shprehët edhe vetë?

Pikërisht  për këtë gjë çuditem përgjithësisht me disa media mediokre të cilat për të marrë ndonjë  klikim shpifin gjëra të pavërteta dhe ndërhyjnë në jetën time private pa ditur asnjë gjë. Nuk është aspak i vërtetë lajmi. Unë  jam mirë e bukur dhe shkoj shumë mirë me të dashurën time. Për sa i përket pjesës “Na ndajnë me zor” e kam thënë si batutë se nuk mendoj se ka shanse asnjeri të na ndajë me zor.

Çfarë rëndësie ka për ju personi i zemrës që keni në krah?

Normalisht që ka shumë rëndësi  sepse personi që kam në krah është gjysma ime dhe më bën të ndihem shumë mirë dhe i plotësuar.

“Erik and Band”, a vazhdon të argëtojë publikun me performanca live në mbrëmjet e kryeqytetit?

Erik Lloshi nuk do të ndalet kurrë duke performuar live jo vetëm në kryeqytet,  por në të gjithë Shqipërinë dhe shumë shpejt do ketë disa materiale për të gjithë fansat e mi! Shpresoj  dhe uroj që të pëlqehen. Për momentin nuk mund të zbuloj gjë, por  ky vit do të jetë shumë i fuqishëm për mua për sa i përket televizionit do kemi surpriza!

Si i keni marrëdhëniet me miqtë artistë?

U  bënë gati 13 vjet që unë kam dalë në skenë që nga hera e parë dhe deri tani dhe nuk kam asnjë armik apo marrëdhënie të keqe me ndonjë koleg. Ka nga ata që më kanë inat sa të duash po nuk ma kanë shprehur kurrë, por unë si koleg i respektoj të gjithë ata që bëjnë art dhe muzikë të bukur.

Cili është projekti juaj muzikor i radhës, po pjesëmarrjen në ndonjë kompeticion muzikor së afërmi  a keni menduar?

Projektet  muzikore do jenë disa dhe shumë shpejt do jem në një program televiziv i cili do të jetë për herë të parë në Shqipëri, më tepër nuk mund të zbuloj prej tij. Gjithashtu mund të zbuloj edhe pjesëmarrjen time në “Këngën Magjike”.

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF