Scorsese, De Niro dhe Pesci rikthehen fuqishëm në sheshxhirim!

Siç e do zakoni, edhe ky vit e gjen Scorsese-n në sheshin e xhirimit për “The Irishman”. Si për të mos mjaftuar kjo, De Niro dhe Pesci janë të përzgjedhurit e regjisorit, për të bërë kështu një rikthim historik të kësaj tresheje të artë. Filmi është bazuar në një nga librat e Charles Brandt dhe trajton historinë e qitësit me famë botërore, Frank Sheeran (De Niro), që përflitet se ka gisht edhe në zhdukjen e Jimmy Hoffa, personazh të cilin do ta luajë Al Pacino. Ky është rikthimi i Scorsese-s në territorin e gangsterëve, dhe përpos emrave të lartpërmendur, në kast nuk mund të mungonte as Harvey Keitel.

De Niro dhe Pesci kanë sjellë performanca dhe role ikonike në sytë e publikut, pikërisht në filmat e Scorsese. Edhe pse më i famshmi mbetet “Raging Bull”, askush nuk mund ta harrojë “Goodfellas”, hit i kohës dhe i ditëve të sotme. Nga sheshxhirimi janë shkëputur disa foto të regjisorit me aktorët e tij të preferuar, ndërsa fansat e kinematografisë po presin me padurim premierën, që do ende edhe afro një vit për t’u realizuar. Scorsese rikthehet në vitet ’60 – ’70, periudhë që e ka risjellë me çdo detaj të mundshëm: nga subjekti, e deri tek skenografia e kostumet. Dhe vërtetë, nuk na pritet deri sa të shohim “The Irishman” në ekranin e kinemasë!





No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.